Në fushën e agroturizmit janë përqëndruar shumë aktorë për të dhënë kontribut. Një ndër aktorët e rëndësishëm është edhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), e cila ofron disa projekte në këtë drejtim, qoftë në zhvillimin e agroturizmit, qoftë në nxitjen e rinisë për t’u angazhuar në këtë sektor.

Sofjola Kotelli, këshilltare pranë GIZ tregon më shumë për nismën me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shqiperia rurale (lifejourney4two)

Shqiperia rurale (lifejourney4two)

“Projekti i Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural është një projekt që financohet nga qeveria gjermane. Ka filluar prej vitit 2019 dhe punon ngushtësisht me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Është një projekt që fokusohet si në mbështetjen e politikbërjes përsa i takon bujqësisë, ashtu edhe sa i takon zhvillimit të turizmit rural. Pak a shumë lidh bujqësinë me turizmin, agroturizmin, fermat turistike, produktet tradicionale. “ tha Kotelli.

Sipas saj ka qënë një studim i thelluar që ka nxjerrë në pah nevojën për një strategji më afatgjatë për zhvillimin rural.

“Para rreth një viti GIZ së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit, ka iniciuar një studim të thelluar të sektorit të agroturizmit në Shqipëri. Pra, cilat janë potencialet e sektorit, çfarë mund të përmirësohet në kuadrin ligjor, fiskal, në lidhjen më të mirë ndërmjet agroturizmeve dhe fermave turistike me fermerët e vegjël, me prodhuesin lokal dhe në fund të prillit në kemi bërë një prezantim të këtij studimi të thelluar. Prej këtij prezantimi vumë re se janë një sërë fushash të tjera të cilat duhet t’i shohim me vëmendje dhe Ministria pati iniciativën për të krijuar këtë strategji të re.”- shprehet Kotelli.

Znj. Kotelli jep më shumë detaje për mënyrën se si do të organizohet dhe cilat institucione do të marrin pjesë.

Sofjola Kotelli GIZ (Foto GIZ)

Sofjola Kotelli GIZ (Foto GIZ)

“Strategjia tani do të fillojë. Sigurisht që aktorë të rëndësishëm janë dhe biznesi privat, janë shoqatat. Kur flasim për zhvillim të turizmit rural nuk kemi të bëjmë vetëm me subjekte të agroturizmit dhe fermat turistike, por kemi të bëjmë dhe me turoperatorët, me ata që shesin ofertën turistike. Kemi të bëjmë me zinxhirin e fermerëve të vegjël, ata që janë furnizuesit e agroturizmeve apo fermave turistike. Ndaj them që identifikimi i aktorëve dhe mënyrat sesi ata do të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe si mund të kontribuojnë do të jenë një pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie “, thekson ajo

Shifrat e agroturizmit janë optimiste, po ashtu dhe e ardhmja shikohet me pozitivitet.

“Agroturizmi është një treg në rritje, sidomos gjatë pesëvjecarit të fundit. Flasim për një sektor që vetëm në 2016-2017 numëronte pak agroturizme apo ferma turistike, ndërkohë flasim për një sektor që mund të themi ka shpërthyer nga veriu në jug. Numërojmë rreth 200 agroturizme dhe ferma turistike anembanë Shqipërisë, nga veriu në jug, por jo vetëm kjo. Shohim dhe një vëmendje të qeverisë përsa i takon zhvillimit të agroturizmit. Në vitin 2018 kemi iniciativëtn e parë përsa i takon përgatitjes së kuadrit ligjor dhe certifikimit të këtyre subjekteve, kemi incentivat fiskale që u dhanë për të mundësuar zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori, kemi grante përmes IPARD-it, përmes skemës kombëtare, të cilat e kanë suportuar këto tre vite këtë sektor dhe nga ana tjetër shohim një përgjigje shumë të mirë të vetë bizneseve për të investuar në sektorin e agroturizmit.”, shton Kotelli.

Nëse keni një agroturizëm Kotelli tregon mënyrën se si operon GIZ për mbështetjen që jep.

Valbona (council of europedevelopement b_ank)

Valbona (council of europedevelopement bank)

“Ne në fushën e agroturizmit kryesisht operojmë me të gjitha bizneset agro-turistike, jo vetëm ato të certifikuara. Më duhet ta theksoj edhe fermat e tjera agroturistike nga veri në jug. Fokusi ynë kryesor për këto 3 vite kanë qenë kryesisht Rajoni i Dibrës, Rajoni i Shkodrës dhe Rajoni i Vlorës, por nuk kemi përjashtuar edhe agroturizme të tjera kudo në Shqipëri. Ne i suportojmë përmes ofrimit të asistencës teknike, në lidhje me cështje, problematika që ata duan të zgjidhin në biznesin e tyre. Megjithatë, edhe si përgjigje për krizën Covid që të gjithë sapo kaluam, ne kemi lancuar dhe një program ku përfshihen dhe fermat turistike dhe agroturizmet, ku i suportojmë me këshillim plus grante. Pra, në mënyrë që ata të rinovojnë biznesin e tyre dhe ta bëjnë atë më të qëndrueshëm.”, thekson Sofjola Kotelli, këshilltare pranë Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).