Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës i janë drejtuar panairit të tregut të punës, që universiteti i tyre organizoi pranë korpusit qendror. Të rinjtë e interesuar patën mundësi të dorëzonin CV-të dhe të intervistoheshin nga përfaqësuesit e 40 kompanive pjesëmarrëse. Mundësinë për t‘u punësuar duket se e kanë studentët më të mirë, ndërsa praktikat mësimore kërkohen më së shumti nga studentët e viteve të para dhe të dyta ku nevoja për eksperiencë është edhe më e madhe.

“Besoj që pas 2-3 vitesh kur të dal në tregun e punës janë bonus i madh si për mua dhe vlerat që japin kompanitë ku shkoj, sepse nuk dal direkt pa asnjë eksperiencë.” u shpreh një prej studentëve.

Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)

Ballafaqimi i studentëve me tregun e punës është një ndër praktikat më të mira të universiteteve, pasi i jep mundësi atyre të përshtasin kurrikulat me nevojat që ka tregu për të përgatitur të rinjtë të aftë për punë. Studentët pohojnë se pritshmëritë e tyre mbi panairin u plotësuan pasi kompanitë ishin të gatshme të ofronin mundësi punësimi ose internshipe për studentët e të gjitha viteve me ose pa eksperiencë.

"Intersohemi më shumë për internship, duke qenë se jemi dhe në vit të dytë dhe mundësia e puësimit në vit të dytë nuk është se ofrohet shumë, por na kanë dhënë shpresën se në vit të tretë duke bërë intershipin të kemi më shumë mundësi punësimi”, u shpreh një student

Andrea Maliqari (foto personale)

Rektori i Universitetit Politeknik Andrea Maleqari ka sqaruar se ky panair është një mundësi e mirë për të lidhur studentët me tregun e punës. Por pavarësisht ofertës për punë, sipas tij studentët e Politeknikut janë më të prirur drejt tregjeve europiane të punës.

“Duke analizuar programet tona mësimore ne shohim specifikat që ka Universiteti Politeknik, ne duhet t’i orientojmë programet tona mësimore afër kompanive qoftë në mënyrën sesi i ndërtojmë programet, por edhe në një komponent shumë të rëndësishëm që e kemi mangut dhe është një difekt që e kanë të gjitha universitetet shqiptare, por sidomos UPT që janë praktikat profesionale." tha rektori i Universitetit Politeknik.

Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë së aftë për punë.

Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjerojnë mundësi dhe perspektivë për popullatën. Sipas një studimi të fundit të Fondacionit të Trajnimeve Europiane, prirjet e larta të emigracionit nga Shqipëria pritet të krijojnë mungesa shqetësuese të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë për të gjitha llojet e profesioneve, deri në vitin 2030.

Studimi vë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor, por sidomos Shqipëria do të përballet me një krize të tregut të punës, që po krijohet në mënyre specifike nga emigracioni i lartë i moshave të reja. Fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë. Synimi për të emigruar është i lartë edhe për studentët e Universitetit Politeknik që gjejnë më shumë mundësi në tregun evropianë se sa në atdhe.

Kompanitë pjesëmarrëse (upt.al)

Tri janë grupet e faktorëve që shtyjnë studentët të emigrojnë nga Shqipëria. Grupi i parë lidhet me faktorë ekonomikë, siç janë përmirësimi i standardeve të jetesës, gjetja e një vendi pune, kushtet e punës, kërkimi i një karriere ndërkombëtare dhe një sistem më i mirë i sigurimeve sociale. Në tre vitet e fundit mungesa e punonjësve është kthyer në shqetësimin kryesor të klimës së biznesit në disa sektorë të industrisë përpunuese. Bizneset pohojnë se, mungesat janë evidente për të gjitha llojet e aftësive dhe niveleve arsimore. Problemet më të mprehta po i kalojnë fabrikat e fasonit, të cilat po përballen me një mungesë akute të punonjësve në një kohë që kërkesa për punë nga jashtë është shumëfishuar.

Emigracioni i personave me arsim të lartë, nëse është i vazhdueshëm dhe intensiv, siç po ndodh, me kalimin e kohës mund të gjenerojë mungesa kualifikimesh për punonjësit dhe në varësi të nevojave të tregut të punës. Me kalimin e kohës mund të kthehet kurth për ekonominë, pasi emigrimi i të arsimuarve sot pengon në të ardhmen e afërt tërheqjen e investimeve të huaja në sektorë me vlerë të lartë.

I organizuar për herë të dytë ky panair kishte si qëllim krijimin e një urë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, duke ofruar mundësi internshipi dhe punësimi pranë kompanive potenciale në treg nga njëra anë, dhe nga ana tjetër t’u ofrojë kompanive një mundësi të gjerë për përzgjedhje dhe rekrutim.

"Jemi të interesuar për të sapodiplomuar, për studentë që janë në vit të 5-të, të cilët mund zhvillojnë intershipe në studion tonë. Ne jemi firmë ndërtimi prej shumë vitesh me eksperiencë në treg dhe ne kemi gjashtë departamente për të cilat jemi në kërkim të praktikave të reja dhe ofrojmë edhe intershipe dhe praktika pune e punësimi" shprehen përfaqësuesit e kompanive.

Në këtë aktivitet ishin pjesmarrës rreth 40 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare me profile të fushave inxhinierike dhe arkitekturë, me të cilat UPT bashkëpunon.