Tregu i punës ka pësuar ndryshime të forta, veçanërisht pas pandemisë së COVID-19. Profesione të vjetra po mbyllen dhe të tjera po krijohen. Një dukuri që po ndodh jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Të rinjtë ndodhen përpara dilemave se çfarë dege duhet të zgjedhin për profesionin e tyre në të ardhmen. Zhvillimi aktual, në të cilën po ecën ekonomia globale, produkt i të cilit është edhe globalizimi i tregut të punës po evidenton gjithnjë e më shumë fenomenin e ndërthurjes dhe varësisë së kërkesave dhe ofertave, në tregjet rajonale e kombëtare të punës. Ky fenomen shfaq efektet e veta pozitive dhe negative, të cilat ndryshojnë në varësi të nivelit ekonomik të vendit.
Për të bërë zgjedhjen e duhur në profesione, ajo që shërben është këshillimi i karrierës.
Joniada Hito (foto personale)
Joniada Hito, përgjegjëse në sektorin e Këshillimit të Karrierës në Bashkinë Tiranë thotë se lista me profesionet më të kërkuara mund të gjendet lehtësisht në portalin e karrierës.
“Zyra e këshillimit të karrierës në Bashkinë Tiranë është hapur që prej dhjetorit 2020. Ajo ka për vizion të ofrojë një shërbim komunitar gjithëpërfshirës, duke e kthyer në burim burimin kryesor të shërbimit të karrierës. Zyra ka për mision të ofrojë informacion të pavarur lidhur me arsimin, formimin, planifikimin dhe zhvillimin e karrierës. Nëpërmjet informacionit dhe shërbimit që zyra e karrierës dhe këshillimit ofron, përmbush misionin e saj për t’i ofruar të rinjve dhe të rriturve të interesuar një hapësirë të sigurtë e për t’i ndihmuar ata në planifikimin dhe zhvillimin e karrierës së tyre. Pjesë e shërbimeve që kjo zyrë ofron është dhe shërbimi virtual. Nëpërmjet portalit karriera.tirana.al një portal i punuar mjaft mirë dhe me detaje listohen dhe 100 profesionet të cilët janë të shpjeguara në mënyrë të detajua”, shprehet Hito
Profesionet më të kërkuara (foto Bashkia Tiranë)
Struktura e punësimit dhe e prodhimit sipas degëve të ekonomisë në vend, ka ndryshime esenciale në krahasim me vendet e tjera të Europës dhe në ato vende të cilat kanë kushte të ngjashme me Shqipërinë. Ndërsa sa i përket profesioneve të tjera përfshirë dhe ato të ekonomisë, bashkia sjell një listë me 100 profesionet më të kërkuara për të bërë dhe një orientim konkret për të rinjtë.
“Kjo listë profesionesh ka për qëllim përcjelljen e informacionit, duke nisur që nga kodi me zyrën e punës për secilin profesion përkatës, më pas në shpjegimin e secilit prej profesioneve në mënyrë të përgjithshme, të detajuar. Të gjitha përgjegjësitë dhe kopetencat që një inidivid duhet të ketë për të kryer atë lloj profesioni si dhe secili prej përshkrimeve shoqërohet me nga një video demostruese 3-4 min. Të gjitha profesionet janë të shkruara në një gjuhë të kuptueshme posaçërisht që të lexohen dhe të përthihen si informacion për të gjithë grupmoshat e interesuara, të cilët hulumtojnë rreth profesioneve të ndryshme që ofron tregu i punës në Shqipëri”, tha ajo.
Të rinjtë shqiptarë janë të mirëarsimuar. Bazuar nga të dhënat e INSTAT, në vitin 2014, 60% e të diplomuarve ka përfunduar nivelin e parë të studimeve universitare dhe 40% e tyre ka përfunduar nivelin e dytë të studimeve.
“Portali ka një akses të gjerë në grupmosha të ndryshme brenda dhe jashtë vendit dhe për këtë arsye larmishmëria e klikimeve në profesione të ndryshme është e një game të gjerë. Duke qenë që kryesisht më të interesuarit për klikimin dhe për marrjen e informacionit rreth profesioneve të ndryshme janë gjimnazistët, pra ata të cilët nuk e kanë zgjedhur akoma një profesion, atëhere përcakëtimi i këtyre profesioneve është më shumë i klikuar është pothuajse e pamundur. Shumica e të rinjve që hyn për të marrë dhe për të hulumtuar rreth profesioneve të caktuara sigurisht nuk klikojnë vetëm një, por bëjnë krahasime dhe dallime nëpërmjet interesave të tyre rreth profesioneve që ata do të kryejnë në të ardhmen” thotë Hito.
Procesi në fakt nuk nis me zgjedhjen për arsimin e lartë, por shumë më herët. Dhe për këtë nevojitet këshillimi i karrierës, si forma e duhur drejt profesionit. Kjo listë e profesioneve ,sipas Hitos nuk është vetëm për të rinjtë, por edhe për grupmosha të tjera.
“Shërbimi i këshillimit të karrierës është një proçes jetësor, prandaj ne kemi të ndërtuara mjaft mirë sistemet të brendshme për të mbajtur të dhënat e përfituesve, pasi ata mund të vijnë më shumë se 2 apo 3 herë për t’u këshilluar drejt orientimit profesional. Mund të vijnë në moshën kur janë 17 apo 18 për të zgjedhur degën e tyre të studimit apo rrugën profesionale, por sigurisht mund të vijnë përsëri për të zgjidhur vazhdimësinë e tyre akademike apo profesionale në mosha të ndryshme. Prandaj kjo listë nuk është vetëm për të rinjtë, por për një grupmoshë të gjerë për këdo që do një informacion të detajuar dhe korrekt përsa i përket përshkrimit të profesioneve të ndryshme”, sqaron Hito.
Bashkia e Tiranës (tirana al)
E pyetur se ku mund të gjendet dhe si duhet të informohen të rinjtë Hito shprehet se ky shërbim nuk është i vetmi që ofrohet nga Zyra e Këshillimit në Bashkinë e Tiranës.
“Përsa i përket informimit të të interesuarve për listën e profesioneve që ne disponojmë, lista është e hapur për këdo dhe është pjesë e portalit karriera.tirana.al, Lista është e rëndësishme, por ajo është vetëm një nga elementët që zyra ofron pasi me ndihmën e takimeve të ndryshme që ne kryejmë në komunitet në arsime universitare dhe jo vetëm, informacioni është lehtësisht i gjendshëm në takimet që ne kryejmë javë pas jave”, shton ajo.
Mbarëvajtja e tregut të punës është një faktor i rëndësishëm makroekonomik, ndaj ekonomitë e zhvilluara në vendet e BE-së, si Gjermania, Holanda, Austria etj., i kanë kushtuar vëmendje përzgjedhjes së politikave të tregut të punës në vendet e tyre, me qëllim që ato të jenë sa më efiçente. Ndërsa një vëmëndje të veçantë merr dhe këshillimi i të rinjve rreth shkollimit dhe më pas punësitmit të tyre.
“Të gjitha shërbimet e Zyrës së Këshillimit të Karrierës pranë Bashkisë Tiranë janë ndërtuar me një asistencë të mirë teknike brenda dhe jashtë vendit për t’i ofruar dhe për t’i lehtësuar zgjedhjet jo vetëm të rinjve por të kujdo që ka dilema profesionale. Shërbimet janë të ndryshme. Njëri prej tyre është informimi online, por sërish pjesë e shërbimit që zyra ofron janë këshillimit individuale, në grup, testet e karrierës, të cilët janë një mjet mjaft i mirë për të orientuar dhe ndihmuar të rinjtë përsa i përket zgjedhjeve profesionale por edhe evente të ndryshme si shkollat e verës që ne organizojmë apo trajnime në soft skills, përsa i përket zhvillimit të mëtejshëm profesional të të interesuarve” ka thënë Joniada Hito, përgjegjëse në sektorin e Këshillimit të Karrierës në Bashkinë e Tiranës.