Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e tyre kanë habitur dhe zemëruar vende të tjera gjatë muajit të kaluar, ndërsa u larguan nga forumet e mëdha ekonomike globale, si G20 dhe APEC, në emër të bojkotimit të Rusisë për krizën në Ukrainë.

Zyrtarë të lartë dhe studiues nga vende të tjera, duke përfshirë Kinën, janë shprehur kundër largimeve të tilla, duke thënë se ata po i kthejnë platformat bashkëpunuese në armë në shërbim të klikave të vetë Perëndimit, duke përkeqësuar fragmentimin e botës dhe duke sabotuar shtigjet e mundshme për të trajtuar rënien ekonomike globale.

[Foto:]

[Foto: VCG]

VCGSi një platformë shumëpalëshe që lidh ekonomitë kryesore të zhvilluara dhe ato në zhvillim, G20 përfaqëson afërsisht më shumë se 80 për qind të PBB-së botërore, 75 për qind të tregtisë ndërkombëtare dhe 60 për qind të popullsisë së botës.

Zyrtarët amerikanë, kanadezë dhe britanikë, dolën nga takimi i ministrave të Financave të G20-s në Uashington më 20 prill kur fjalën e morën delegatët rusë.

Në një intervistë me “CNN”, Sri Mulyani Indrawati, ministre e Financave e vendit pritës të G20-s të këtij viti, Indonezisë, tha se vendi i saj fitoi “shumë simpati" pasi shumë anëtarë të G20-s thanë privatisht se "ata duan që ky bashkëpunim si një forum kryesor ekonomik... të vazhdojë".

Po ashtu, përfaqësuesit e SHBA-së, Japonisë, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re u larguan nga takimi i përfaqësuesve tregtarë të grupit 21 anëtarësh të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Bangkok, Tajlandë, mikpritës i këtij viti i takimeve të APEC-ut.

Takimi gjithashtu dështoi në nxjerrjen e një deklarate të përbashkët, që është gjëja e fundit që Kina dhe shumë anëtarë të tjerë të APEC-ut shpresojnë të shohin, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin.

Të gjitha palët duhet të respektojnë natyrën e APEC-ut si një forum ekonomik dhe mandatin e vetë takimit, të fokusohen në çështjet ekonomike dhe tregtare dhe të shmangin paraqitjen e çështjeve gjeopolitike, shtoi Wang.

"Politizimi i forumeve ekonomike globale dhe përdorimi i tyre si “armë” po zhvillohet në të vërtetë dhe vendet e udhëhequra nga SHBA mund të bëjnë edhe më shumë në të ardhmen e afërt",- tha Zhu Jiejin, profesor i studimeve të qeverisjes globale në Shkollën për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Fudan.

"Uashingtoni dhe disa nga aleatët e tij po përpiqen të zvogëlojnë dhe të krijojnë përçarje në G20 dhe APEC, duke zëvendësuar forume të tilla me klikat e tyre dhe axhendat e tyre, siç është "Kuadri Ekonomik Indo-Paqësor" i sapopublikuar. Ky është egoizëm i pastër",- tha Zhu.

Në një fjalim më 10 maj, drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, paralajmëroi për një botë "që mund të ndahet në blloqe ekonomike, duke krijuar pengesa për rrjedhën ndërkufitare të kapitalit, mallrave, shërbimeve, ideve dhe teknologjive”.

Ekspertët thanë se është ironike dhe e mjerueshme që Uashingtoni të prishë funksionimin e G20-s, një forum i madh global që fillimisht trajtoi pasojat e krizës financiare globale në 2008-n.

Vasuki Shastry, bashkëpunëtor i Programit të Azi-Paqësorit në “Chatham House”, paralajmëroi se përleshja mbi pjesëmarrjen e vazhdueshme të Rusisë ka të ngjarë të konsumojë kapitalin politik dhe të dëmtojë seriozisht aftësinë e grupimit për të ofruar për dy vitet e ardhshme.

"Një rikthim në rendin botëror të para vitit 2008, kur G7-a ishte i vetmi grupim, duket i pashmangshëm, por do të ishte thellësisht jopërfaqësues i ekonomisë globale sot",- shkroi Shastry në një artikull në faqen e internetit të “Forbes” muajin e kaluar.

Xu Xiujun, drejtor i Departamentit të Ekonomisë Politike Ndërkombëtare të Institutit të Ekonomisë dhe Politikës Botërore të Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, tha: "Forumet kryesore me koordinim shumëpalësh - si G20 dhe APEC - duhet të kishin luajtur role më të mëdha dhe të jetonin më mirë në përputhje me pritshmëritë dhe nevojat e komunitetit ndërkombëtar”.

"Sidoqoftë, SHBA dhe disa vende të tjera perëndimore janë ende duke u larguar nga rryma kryesore botërore, pasi po shtyjnë të politizojnë organe të tilla shumëpalëshe dhe t'i përdorin ato si mjete dhe armë, duke çuar kështu në mosfunksionim të organeve në disa raste. Praktika të tilla kishin filluar shumë përpara shpërthimit të krizës në Ukrainë", - tha Xu.

"Rritja e populizmit dhe pabarazia ekonomike në vendet e tyre kanë shkaktuar probleme serioze sociale, duke i shtyrë qeveritë e tyre të marrin një qasje më të ashpër jashtë shtetit për të zhvendosur fajin te kombet e tjera",- shtoi Xu.

Kundërshtimi i fragmentimit

Si shenjë e forcimit të unitetit global, Ministritë e Jashtme të Kamboxhias, Indonezisë dhe Tajlandës nxorën një deklaratë të rrallë të përbashkët për shtyp më 4 maj në kapacitetet e tyre përkatëse si kombe pritëse të takimeve të këtij viti të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, G20-s dhe APEC-ut.

“Si kryesues të këtyre takimeve të rëndësishme këtë vit, ne jemi të vendosur të punojmë me të gjithë partnerët dhe palët e interesuara për të siguruar një frymë bashkëpunimi”, - thuhet në deklaratë.

Kina mbështet me vendosmëri Indonezinë në rolin e saj si kryesuese e G20-s dhe eliminimin e ndërhyrjeve për të arritur qëllimet e përcaktuara të agjendës dhe për të udhëhequr G20-n në drejtimin e duhur, tha Këshilltari Shtetëror dhe ministri i Jashtëm Wang Yi në një bisedë telefonike me ministren e Jashtme indoneziane Retno Marsudi.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është platforma e duhur për të diskutuar çështjet politike dhe të sigurisë, ndërsa G20-a duhet të qëndrojë i përkushtuar për t'u fokusuar në koordinimin e politikave makroekonomike dhe për të përmbushur misionin e tij të duhur, tha Wang.

Në një artikull opinioni të botuar në “Bangkok Post” më 12 maj, Korn Chatikavanij shkroi: "Perëndimi duhet të kuptojë gjithashtu se narrativa e tij nuk konsiderohet domosdoshmërisht si mençuri e pranuar në Azi. Bojkoti dhe mosangazhimi i tyre do të linte një zbrazëti që do të mbushej me pikëpamje alternative, që mund të reduktonin më tej ndikimin e Perëndimit në këtë rajon”.

Yang Baoyun, profesor i studimeve ASEAN në Universitetin Thammasat në Bangkok, tha se pas konfuzionit mbi forumet kryesore globale qëndrojnë mënyrat drastike të ndryshme midis vendeve në zhvillim - si Kina - dhe vendeve perëndimore të udhëhequra nga SHBA për trajtimin e globalizimit dhe rritjes botërore ekonomike.

"SHBA dhe disa nga aleatët e saj janë të fiksuar pas konfrontimeve dhe klikave që janë jokonstruktive, përçarëse dhe që synojnë atë që ata antagonizojnë. Megjithatë, Kina është e përkushtuar për të mbajtur në këmbë globalizmin ekonomik dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin",- tha Yang. "Gjithashtu, një numër në rritje i vendeve në zhvillim po marrin një pamje më të qartë për atë që po ndodh".

Arsjad Rasjid, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Indonezi, tha se G20-a nuk duhet të kthehet në një fushë tjetër beteje për rivalitetin e fuqive të mëdha, në një kohë që shumica e vendeve aktualisht po përballen me inflacionin dhe mungesat dhe rimëkëmbja pas pandemisë në botë duket e brishtë.

"Pa adresuar rënien ekonomike globale, paqja nuk mund të sigurohet. Të gjitha forumet për komunikim duhet të mbahen të hapura, veçanërisht në kohë mosbesimi",- shkroi ai në një artikull të nënshkruar në “South China Morning Post” më 13 maj.