Kohët e fundit vihet re se kemi një rritje të kërkesës nga familjet shqiptare mbi huamarrjen për blerjen e pasurive të paluajtshme, pavarësisht inflacionit të lartë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit 2022, kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme shënoi vlerën rekord të 10.6 miliardë Lekëve ose 88 milionë Eurove, duke vendosur një rekord të ri historik.

Orgeta Bala, agjente imobiliare (Foto Real estate)

Agjentja mobiliare Ogerta Bala, tregon se sa ka ndryshuar ndër vite kërkesa për kredi për pasuritë e paluajtshme.

"Kërkesa nga ajo që unë kam vënë re, duke qenë se kam gjashtë vite që merrem me këtë punë, në tre vitet e fundit ka shumë raste që blejnë shtëpi me kredi. Ka shumë raste, të paktën unë trajtoj tre raste në muaj, që marrin apartamentin me kreditim.", shprehet Bala.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kreditimi i sektorit është rritur me 48%. Në veçanti, muaji mars ka shënuar një rekord të ri për shumën e kredisë së re për shtëpi.

Ajo ka shënuar vlerën e 4.9 miliardë Lekëve, duke kaluar rekordin e mëparshëm, që ishte shënuar në qershor të vitit të kaluar. Pas pandemisë, kredia për shtëpi ka marrë një shtysë të fortë, i nxitur nga një cikël i ri rritjeje i tregut të pasurive të paluajtshme.

Keditë (Foto nga Monitor.al)

Vetëm vitin e kaluar janë dhënë 261 mijë kredi për individë dhe biznese të vogla, të cilëve bankat nuk u japin kredi. Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Mikrofinancave tregojnë se një interes në rritje për mbështetje financiare vjen edhe nga fermerët, të cilët përbëjnë 1/3 e kredisë së re.

"Kërkesa për apartamentet me kredi ka ardhur gjithmonë në rritje vitet e fundit për shkak se qiratë janë goxha të larta dhe është më e arsyeshme për ta që të marin shtëpi me kredi.", shpjegon agjentja imobiliare.

Rritja e shpejtë e çmimeve ka bërë që individët ta shohin blerjen e një prone si investim më leverdi. Normat e ulëta historike të interesit kanë qenë gjithashtu një faktor shumë i rëndësishëm në mbështetje të tregut të pronave. Edhe oferta për kredi në këtë segment ngelet shumë e lartë, sepse bankat e shohin zgjerimin si një alternativë të mirë për të shpërndarë më mirë rrezikun e kredisë dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme të portofolit.

"Oferta për kredi është në varësi të bankave, sepse disa banka i japin mundësi klientëve që të marrin edhe 100 për qind kredi, pastaj ka të tjera që marrin 80 për qind kredi. Interesat janë të ndryshme, ndryshon vetëm mënyra e prezantimit, sepse thuaje të gjitha janë njësoj." , shton ajo.

Keditë (Foto nga Monitor.al)

Historikisht, kredia për shtëpi ka qenë ndër produktet me raportin më të ulët të kredive me probleme. Aktualisht, ky raport qëndron pranë nivelit 3%. Nga ana tjetër, edhe rritja e ndjeshme e çmimeve të pronave në vitet e fundit ka ndikuar që individët të marrin hua në vlera më të mëdha për të përballuar blerjen e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave u rritën me 9% vitin e kaluar.

"Normalisht që kërkesa e apartamenteve për blerje me kreditim ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve për vetë motivin që ka disa kosto ekstra. Deklarimi që është 100 për qind, rivlerësimi që pronarët i kanë bërë apartamentit që ta shesin me kreditim, pastaj kostot e tjera të sigurimit të pronës etj. Normalisht që kjo gjë ndikon dhe në rritjen e çmimit, por jo vetëm kjo pasi kanë një tjetër arsye janë edhe apartamentet në ndërtim.", thotë agjentja Bala.

Në perceptimin e aktorëve të tregut, kredia bankare ngelet një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës. Sipas agjentëve, të paktën një e treta e transaksioneve në tregun e pronave financohen me kredi bankare.

Rritja e kërkesës për kredi (Foto nga Monitor.al)

Në teori, inflacioni i lartë dhe pritshmëritë për rritje të normave të interesit mund ta dekurajojnë huamarrjen afatgjatë në shuma të mëdha, siç është rasti i huave për shtëpi.

Vitin e kaluar mikrofinancat dhanë 250 milionë euro kredi të reja. Megjithatë ky sektor vazhdon të ofrojë norma të larta interesi veçanërisht për individët të cilët arrijnë mesatarisht deri në 148%.

Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme arriti vlerën e 152 miliardë lekëve ose 1.26 miliardë Eurove.

"Raporti me vendet jashtë normalisht që është më i ulët në Tiranë, duke qenë se në kryeqytet shumica e punonjësve nuk janë të deklaruar me rroga që mund të kenë mundësi për të marr kredi apo me punën që bëjnë nuk ja jep mundësinë. Duke qenë jashtë është mundësia më e lartë për të marrë apartament me kredi, tek kjo gjë ndikon. Dhe fakti që ne kemi aq shumë apartamente me qira dhe klientë që kanë kërkesë për qira është vetëm sepse nuk janë pagamarrës të rregullt.", thotë Bala.

Kredia për shtëpi ngelet ndër segmentet me rritjen më të lartë vjetore të portofolit, me 17.3%. Rritja vjetore është edhe më e lartë se niveli 14.6% , që ishte shënuar në fund të vitit 2021.