Duket se rrjedhja e informacioneve sa i takon listës së pagave ka patur edhe anë pozitive. Kryeministri Edi Rama deklaroi se shumë biznese kanë reaguar pozitivisht duke bërë ndryshime në pagat e punonjësve, pas publikimit të tyre në dhjetor të 2021. Në konsultimin e ardhshëm me pulikun sipas kryeministrit kjo do të jetë një pikë ku do të merret nje mendim nëse duhet apo jo t’i publikojmë pagat një herë ne vit.
Por si komentohet kjo nga ekspertët e ekonomisë, të cilët shohin çdo anë të medaljes. Enton Duro, pedagog dhe ekspert ekonomie thotë në një intervistë per mediat se kjo gjë do të çonte në cënimin e sigurisë së individëve.
“Besoj se shtysa ka ardhur pikërisht nga publikimi i pagave në periudhën pararendëse, ku shumë qytetarë, shumë individë morëm informacion të cilin nuk e kishin, nuk e perceptonin këtë informacion. Sigurisht që të ndash informacion në tregje do të thotë më shumë efiçencë. Ky është rregulli një i parimeve të ekonomisë së tregut. Nga krahu tjetër mos harrojmë që është një informacion sensitiv. Është një informacion që i përket individit, mbi të gjitha mundet të preket, mundet të cënohet siguria e individit.Unë besoj se publikimi i pagave nga administrata, shpresoj që kjo mos të jetë si rezultat i pritshmërive që ka administrata për të rimarrë një informacion. Pra, flasim për garë informacioni drejt publikut, secili është elemet i pagës dhe ky informacion në nivel individual i përcillet të punësuarit. Nëse do të niseshim për publikimin e pagave, i cili do të racionalizojë apo do të përmirësojë procesin e punës nga administrate, atëherë do të thotë që këtu jemi totalisht të rrënuar” thotë Duro.
Por a ka vende që e aplikojnë një gjë të tillë, pra të publikojnë pagat e punonjësve një herë në vit?
“Me sa kam dëgjuar janë vendet nordike, që kanë publikimin e pagave, por unë besoj se jemi të gjithë të qartë për diferencat e mëdha që ne kemi me këto ekonomi, me këto shoqëri, me perceptimin që ato kanë pikërisht me të drejtat e individit dhe me informacionin që ato mund të përftojnë dhe mundet ta përmirësojnë situatën e tyre. Kështu që ka modele, por modeli është në përshtatje me gjithë mundësinë që ka shoqëria në përgjithësi”, u shpreh Duro.
Eksperti flet edhe për rritjen e pagës minimale, në një kohë që janë rritur edhe çmimet e ushqimeve de shërbimeve të tjera.
“Ne ndodhemi në krizën e inflacionit tashmë. Është një inflacion i lartë, i cili po vijon ende të rritet. Pra, kemi një inflacion në nivelin 6.2% të publikuar për muajin e fundit dhe pritshmëritë janë që ky inflacion të vijojë të paktën në këto nivele deri në fund të vitit 2022. Në këtë kuptim, duke qenë një shoqëri me nivel të ulët të të ardhurave, shtresat që preken më shumë nga kjo krizë inflacioni janë shtresat me të ardhura të ulëta, shtresat e varfëra. Individët me pagë minimale 30’000 lekë që kalojnë në 32'000 lekë padyshim që u jep një mundësi më shumë për të përballur krizën e rritjes së cmimeve në këtë rast.”, shton ai
Por kush fiton më shumë në inflacion të lartë?
“Në momente inflacioni unë besoj që kompanitë janë ato që realizojnë më shumë të ardhura, sepse çmimet nuk arrijnë të ndikojnë në mënyrë të menjëhershme te pagat. Pagat u përgjigjen kontratave dhe ato duan një farë kohe për t’u përshtatur. Kështu që, gjithë ajo vlerë që vjen si rezultat i rritjes së cmimeve, dhe cmime më të larta duke shitur produkte realizon më shumë të ardhura, besoj që kjo është tek kompanitë. –” thotë Duraj.
Eksperti sqaron edhe ndryshimet e taksimit për fasha të ndryshme pagash që nisën efektin nga prilli. Të gjithë qytetarët që marrin paga deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim ,nga 30 mijë lekë që ishte aktualisht. Ndryshim ka edhe për personat me paa më të larta e deri tek ata që marrin deri në 200 mijë lekë. Ata që marrin nga 30-50 mijë lekë do të paguajnë 6.5% tatim, nga 13% që kanë paguar deri tani. Qeveria teksa rishikoi taksën progresive vendosi që për të gjithë qytetarët që marrin 50 mijë lekë në muaj, tatimi nis nga 30 mijë lekë. Pra nëse merr 50 mijë lekë do paguhet 6.5% tatim për 20 mijë lekëshin.
“Nga fashat 30’000 deri në 50’000 lekë u prek, u përjashtua një pjesë deri në 40’000 lekë dhe më pas 40’000 deri në 50’000 lekë është përgjysmuar. Ndërkohë që nga 50’000 deri në 150’000 lekë ka mbetur e pandryshuar. Është shtyrë më tej fasha për tatimin në vlerën 23% në 200’000 lekë.” – sqaron më tej Duro.
Përballë kërcënimit të inflacionit, eksperti bën thirrje për fokus tek shtresat e varfëra dhe të mesme.
“Nëse flasim për ndërtimin e shoqërisë në tërësi, në fakt ne duhet të fokusohemi më shumë tek shtresat e mesme. Një shoqëri që ka një shtresë të mesme të konsoliduar është një shoqëri që racionalizon më mirë, optimizon më mirë, ka politika më efektive edhe si rezultat i racionalitetit që kanë shtresat e mesme. Janë shtresa që i përgjigjen politikave, i kundërshtojnë ato me bindje dhe pa një anshmëri politike le të themi përsa i përket nevojës për të ndërtuar një familje.”, thekson eksperti Duro.