Bashkimi Europian ka miratuar një buxhet për projektin IPARD 3 me vlerë 112 mlilionë euro për bujqësisë shqiptare. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, bëri të ditur se bashkë me financimin e qeverisë shqiptare prej 34 milionë euro, e çon këtë program në 146 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vend.

Programi IPARD III për bujqësinë (Foto ATSH)

Programi IPARD III për bujqësinë (Foto ATSH)

“Programi IPARD III është miratuar nga Bashkimi Europian. Në fund të vitit 2018 ne çelëm programin IPARD II, duke i dhënë mundësi bujqësisë shqiptare të përjetojë një hov zhvillimi si kurrë më parë. Kështu nëpërmjet këtij programi ne kemi mundësuar rreth 67 hektarë sera të reja moderne, 73 qendra të mëdha grumbullimi, 132 traktorë, mekanika bujqësore, 52 investime në bujtina të reja, qindra hektarë ferma bujqësore, blegtorale dhe shumë e shumë investime të tjera, duke përafruar kështu standardet shqiptare me ato europiane”, -deklaroi ministrja Krifca.

Programi IPARD ka qëllim specifik afatgjatë në drejtim të përgatitjes së sektorit të agrobiznesit, zbatimin efikas të programit dhe shfrytëzimin e fondeve nga Bashkimi Europian. Në këtë moment, sektori bujqësor dhe rural në Shqipëri ballafaqohet me sfida të rëndësishme, lidhur me mundësitë për prodhimtari cilësore bujqësore, konkurrencën nga tregjet rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, mënyrën e përmirësimit të cilësisë së jetës në mjediset rurale, hapjen e vendeve të reja të punës, etj. Në këtë proces kaq të rëndësishëm është jashtëzakonisht e nevojshme dhe e rëndësishme mobilizimi i të gjithë aktorëve, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo ndikojnë në sektorin bujqësor dhe atë rural.

Minstrja shqiptare e Bujqësisë Frida Krifca (Foto Ministria e Bujqësisë)

Minstrja shqiptare e Bujqësisë Frida Krifca (Foto Ministria e Bujqësisë)

“Janë punësuar njerëz, të cilët janë angazhuar duke krijuar një ekonomi me investime që janë kryer në çdo cep të Shqipërisë. Është rritur në mënyrë të ndjeshme mbështetja e të rinjve dhe grave. Rreth 40% e përfituesve kanë qenë start-up-e në bujqësi dhe sot pas katër vitesh implementim të këtij programi ne shohim me krenari dhe kënaqësi që të gjithë janë në punë, vazhdojnë të prodhojnë dhe rriten falë faktit që zgjodhën pikërisht këtë rrugë për zhvillimin e tyre. Programi ka injektuar financim te kapital-financimi, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen e standardeve të prodhimit, në përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe këto investime të kryera nga fermerët, nga agro-përpunuesit, nga investuesit që zgjodhën bujqësinë për të injektuar kapitalin e financimit të tyre dhe kanë përqafuar programin, kanë kontribuar në zhvillim e bujqësisë. Krahasuar me statistikat e vitit 2017, kemi një rritje të eksporteve shqiptare prej 47 për qind. Mund mos të jetë e gjitha falë këtij programi, por patjetër që ai ka pasur një ndikim të madh në rritjen e tyre”, -u shpreh ministrja.

Fondi IPARD, si pjesë e instrumentit IPA, i është dedikuar vendeve kandidate për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Europian, si dhe përgatitjes së tyre për shfrytëzimin e programeve para anëtarësimit për zhvillim bujqësor dhe rural. Kapaciteti përthithës për shfrytëzimin e fondeve të BE-së paraqet aftësinë me të cilën vendi kandidat është në gjendje t’i shfrytëzojë burimet në mënyrë efikase. Duke e parë nga pozita kombëtare, ky kapacitet varet nga tre faktorë: situata makro-ekonomike, mundësitë për bashkëfinancim dhe kapaciteti administrativ. Ministrja Krifca shprehet se çfarë ofron më tej ky program.

Programi IPARD III (Foto Ministria e Bujqësisë)

Programi IPARD III (Foto Ministria e Bujqësisë)

“Ky është një proces mjaft i rëndësishëm, shumë delikat, ardhur pas një pune shumë të madhe, një buxhet që shkon 112 milionë euro nga pala europiane, duke arritur në 56% më shumë se buxheti i vënë në dispozicion në programin IPARD II. Së bashku me financimin e qeverisë shqiptare prej 34 milionë euro e çon këtë program në një total prej 146 milionë euro në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit të zonave rurale në vend. Nëpërmjet IPARD III ne ecim në një rrugë të sigurt të zhvillimit, ku i njohim të gjithë ekosistemet në shërbim të bujqësisë dhe zhvillimit rural, rolin thelbësor të qëndrueshmërisë së përdorimit të burimeve, mbrojtjen e ekosistemeve natyrore apo në mbrojtjen e ekuilibrave klimaterikë. E vëmë këtë program në funksion të objektivave tona të zhvillimit drejt një bujqësie të qëndrueshme, por të përafruar me politikat e BE-së, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin e vetëm në Rajon që operon sot nën masa financimi për këtë program. Buxheti prej 146 milionë euro i programit, përveç katër masave ekzistuese, do të financojë pesë masa të reja të cilat do ta ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e marrë në Deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Këto masa ndikojnë që bujqësia, blegtoria, peshkimi, agrikultura dhe zhvillimi rural të mund të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme duke respektuar natyrën, nëpërmjet integrimit të masave agromjedisore, mbrojtes së pyejeve dhe ruatjes së mjedisit. Zhvillimi i bujqësisë organike është një tjetër masë e cila duhet thënë se premton të ardhura shumë më të larta për fermat, punësim më të madh për shkak të proceseve të punës dhe kërkesës në rritje të tregut ndërkombëtarë për këto produkte”, -bëri të ditur ministrja Krifca.

Serë bujqësore (Foto ATSH)

Serë bujqësore (Foto ATSH)

Shqipëria ka marrë të drejtën e aksesimit të granteve IPARD, program i iniciuar në dhjetor 2018 me një vlerë financimi rreth 17 milionë euro në vit. Sipas ministres, miratimi i këtij programi me buxhet të miratuar pra 56% më shumë se programi i kaluar flet për një performancë fantastike të të gjitha strukturave që kanë punuar në sinergji të plotë mes tyre, me fermerët dhe me sipërmarrësit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural të Shqipërisë ka shpallur thirrjen e tretë për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të sektorit agroushqimor. Thirrja e tretë për aplikime është e hapur për të gjithë personat, fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor ose të agro-përpunimit dhe atij rural.

Përgatiti: Algerta Tafani