Kenia nisi testimet në autostradën e autobusëve të Nairobit, të ndërtuar nga Kina, përpara vënies në punë të saj në javët e ardhshme.
James Macharia, sekretari i kabinetit në Ministrinë e Transportit, Infrastrukturës, Strehimit dhe Zhvillimit Urban, gjatë një konference për media në Nairobi, kryeqyteti kenian, tha javën e kaluar se ka një interes masiv në mesin e shoferëve për të përdorur rrugën me pagesë, që shtrihet nga ana perëndimore e qytetit në skajin juglindor të metropolit.
James Macharia (L 3), sekretari i kabinetit të Ministrisë së Transportit, Infrastrukturës, Strehimit dhe Zhvillimit Urban të Kenias dhe përfaqësues të tjerë duartrokasin për testimet e autostradës së Nairobit në Nairobi, Kenia, më 14 maj 2022. Kenia filloi provim të shtunën në autostradën automobilistike të Nairobit, të ndërtuar nga Kina, përpara se të vihet në punë në javët e ardhshme. Foto nga Xinhua
"Është një nga projektet më të mira të infrastrukturës së bërë ndonjëherë në Afrikë. Në fakt, është autostrada më e gjatë në Afrikë. Ndaj ne jemi shumë krenarë sot që jemi dëshmitarë të fillimit të testimeve, që do të zgjasin për rreth tre ose katër javë",- tha Macharia, duke shtuar se 11,000 përdorues të rrugës nga Kenia janë regjistruar dhe numri do të shkojë në pothuajse 50,000.
Autostrada e shpejtë e Nairobit, 27,1 km e gjatë, u financua dhe u ndërtua nga “China Road and Bridge Corporation” sipas një modeli të partneritetit publik-privat. Ndërtimi në shkallë të plotë i projektit të infrastrukturës prej rreth 600 milionë dollarësh amerikanë filloi në shtator 2020.
Macharia tha se autostrada e shpejtë është ndërtuar në kohë rekord, sepse është përfunduar një vit përpara afatit dhe ndikimi i saj do të jetë pozitiv në ekonomi. Ai vuri në dukje se projekti i infrastrukturës përfaqëson një agim të ri për Kenian, pasi do të ketë një ndikim shumë të madh në aspektin e lëvizshmërisë, veçanërisht për shoferët që udhëtojnë midis Aeroportit Ndërkombëtar “Jomo Kenyatta” dhe rrethit qendror të biznesit të Nairobit.
Macharia tha se autostrada e Nairobit është një investim privat dhe për këtë arsye qeveria nuk ka investuar para për projektin e infrastrukturës.
"Qeveria e Kenias nuk ka hedhur para për këtë investim, ne nuk kemi marrë hua asnjë cent të shumës totale prej rreth 600 milionë dollarësh amerikanë, që është rreth 70 miliardë shilinga",- tha ai.
"Paratë që qeveria mund të kishte shpenzuar këtu tani janë shpenzuar diku tjetër".
Sipas Macharia-s, autostrada e Nairobit është një shembull i mirë i përfitimeve nga partneriteti publik-privat, sepse liron shpenzimet publike për përdorim në shpenzimet sociale.
“Kenianët duhet të dinë se ky partneritet publik-privat është i rëndësishëm, sepse para së gjithash nuk po marrim hua dhe nuk ky investim nuk ndikon në raportin tonë të borxhit",- shtoi ai.
Foto nga Xinhua
Ibrahim Doboshek, një automobilist i cili mori pjesë në provën e austradës, tha për “Xinhua” se standardet e ndërtimit të rrugës së autostradës janë të krahasueshme me ato në vendet e përparuara të botës. “Jam shumë mirënjohës, sepse për shkak të trafikut humbisja dy deri në tri orë në rrugën e Mombasa-s, por sot m’u deshën vetëm10 minuta”, - tha ai.
George Were, një përdorues tjetër i rrugës, i cili jeton në qytetin Kitengela, rreth 30 km në juglindje të qendrës së Nairobit, tha se autostrada e re është shumë e përshtatshme dhe e shpejtë. "Unë e rekomandoj për përdorim. E di që ka elementin e kostos. Por për sa i përket komoditetit, mendoj se me të vërtetë ia vlen, sepse një udhëtim që dikur zgjaste dy orë tani është më pak se 20 minuta", - tha ai.
Foto nga Xinhua
Përpara provës së parë, në autostradën e Nairobi u zhvillua një maratonë inauguruese, e cila tërhoqi më shumë se 8,000 vrapues.
"Si rezultat i zhvillimit të projekteve moderne të infrastrukturës, si autostrada e Nairobit, vendi do të korrë përfitime të shumta, mes tyre lehtësia e udhëtimit, përmirësimi i tregtisë, investimeve dhe shëndetit mjedisor",- tha presidenti kenian, Uhuru Kenyatta, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për fituesit e maratonës.
Gjatë periudhës së ndërtimit të autostradës u hapën më shumë se 6000 vende pune të drejtpërdrejta, duke përfituar 200 nënkontraktorë dhe qindra furnizues të tjerë vendas të materialeve të ndërtimit, si çeliku, rëra dhe çimentoja.
Po ashtu, një pozicion i ri pune është hapur tashmë në Kenia, ai i punonjësit të tarifave në autostradë.
"Jam vërtet e emocionuar për këtë punë, sepse ajo ndikon pozitivisht në zhvillimin e vendit", i tha “Xinhua”-s Rodah Mwenje Okoth, e cila mban këtë pozicion pune në autostradën e Nairobit. Përpara se të fillonte punën ajo ndoqi dy muaj trajnim intensiv.
Ajo tha se projekti i rrugës u ka ofruar shumë mundësi punësimi kenianëve dhe zgjidh bllokimin e trafikut në kryeqytet.
Ashtu si Okoth, më shumë se 400 punonjës të tjerë tani po punojnë në autostradën e Nairobit.