Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri po përballet me kosto të shtuara dhe kjo është arsyeja për çmimet e rritura të bulmetit. Kështu shprehet Drejtori ekzekutiv i shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit” Donjaldo Hoxha në një intervistë për mediat. Ai ka thënë se efektet janë të shumta, që ndikojnë në formimin e çmimit dhe se fabrikat janë përballur me kosto shumë të larta në këto muaj, duke nisur që nga çmimi i energjisë elektrike, rritja e çmimit të gazit, naftës, ambalazhit si dhe lëndës së parë nga fermerët.

Donjaldo Hoxha (abc news.al)

Donjaldo Hoxha (abc news.al)

“Realisht sektori i përpunimit të qumështit është ndodhur në nje veshtirësi shume të madhe para ardhjes së krizës globale të shkaktuar si nga Covidi dhe nga lufta aktuale. Kësaj situate të vështirë të blegtorisë dhe sektorit të perpunimit të qumështit i është bashkangjitur dhe situata botërore, që jemi duke hasur aktualisht. Duhet të theksojmë që prej kohësh ne kemi kërkuar që të ketë një ndërhyrje nga ana e qeverisë shqiptare për t’u mbështetur blegtorët dhe fermerët, veçanërisht ata të sektorit të prodhimit të qumështit, sepse situata e tyre ka qenë e vështirë dhe parashikohej që do të bëhej më e vështirë.”- thotë Hoxha.

Po ashtu sektorit ju shtuan edhe barra e taksave. Sipas Hoxhës, qeveria ka qendruar indiferente ndaj kërkesave të industrisë për të amortizuar këto kosto, të paktën për dy ndërhyrje, që do të ishin lehtësuese.

“Për këtë arsye ne bëmë disa propozime për paketën e re fiskale të vitit 2022, të cilat për fat të keq nuk u morën parasysh dhe në ndryshimet e reja të propozuara në këtë paketë situata e blegtorëve të sektorit të përpunimit në vijim u përkeqësua më shumë. Konkretisht u hoq rimbursimi 6% për fermerët. U shtua TVSH 10% për imputet bujqësore dhe u shtua në nje taksë e re akcizë mbi gazin, 6 lekë për liter, e cila implementohet nga data 1 korrik e vitit 2022.”- shprehet ai.

Prodhime qumështi(Foto nga Telegraf)

Prodhime qumështi(Foto nga Telegraf)

Industria e Përpunimit të Qumështit kërkon nga qeveria që në këto kushte të rishikojë vendimin për rritjen e akcizës së gazit nga 1 korriku 2022, me argumentin se do të rriste edhe më shumë kostot, duke i çuar fabrikat në prag falimenti. Kompanitë nuk mund të mbajnë çmimin aktual përballë kostove në rritje, por nga ana tjerër një çmim më i lartë i bën të pa konkurrueshëm me produktet e importit.

Kërkesë kryesore është edhe ndërhyrja me subvencione direkte për prodhim.

“Nëse qeveria nuk ndërhyn, industria vështirë të mbajë këto çmime. Duhet të theksojmë që prej kohësh ne kemi kërkuar që të ketë një ndërhyrje nga ana e qeverisë shqiptare për t’u mbështetur blegtorët dhe fermerët”, shton ai

Vendet e rajonit kanë politika më të favorshme, sipas grupeve të interesit.

“Modelet e subvencioneve të rajonit për blegtorinë nuk kanë limite, mbështetje për lindjet, therjet në ferma dhe kanë ulje të konsumit nga qytetarët ”- shprehet Drejtori ekzekutiv i shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit” Donjaldo Hoxha

Qumesht (Foto Monitor.al)

Qumesht (Foto Monitor.al)