Familjet shqiptare paguan më shtrenjtë mallrat e konsumit dhe shërbime të ndryshme në muajin prill. Sipas Institutit të Statistikave Instat inflacioni arriti në 6,2 %, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 1,9 %. Sipas të dhënave kjo është rritja më e fortë e çmimeve me të cilën po përballen familjet dhe individët që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6%.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë në një intervistë për mediat flet për sfidat ekonomike dhe pasiguritë e krijuara, sidomos në menaxhimin e borxhit.

“Tendenca duket në rritje gjatë gjithë kohës edhe pse parashikimet janë dhe ne i kemi definuar si të paditura, të panjohura. Të paditura, të panjohura sepse realisht edhe parashikimet që vijnë nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar janë parashikime që ndoshta korrigjohen çdo dy-tre javë. Kemi parë rikorrigjime të vazhdueshme, qoftë të inflacionit, qoftë të tendencës së rritjes, por edhe problematikave që pasojnë krizën botërore.”- thotë Shkodra.

Sa i takon çmimeve është ngritur bordi i transparences, ku monitorohen me kujdes që mos të ketë abuzime në treg. Por kjo për përfaqësuesit e biznesit nuk është shumë efektive.

“Mbajtja në kontroll me anë të këtyre instrumentave, të krijuara posaçërisht është një tentativë, një mundësi që qeveria të garantojë dhe të qetësojë tregun dhe konsumatorin. Por a është zgjidhja kjo? Unë besoj se kjo mund të jetë zgjidhje shumë e përkohshme. Pra, mund të jetë një nga zgjidhjet e tamponimit të situatës të menjëhershme të traumës. Ndërkohë që besoj se tregu ka nevojë më shumë se kaq. Nuk ka nevojë për t’u orientuar nga bordet, tregu ka një nevojë për të marrë mbështetje nga qeveria, por do patjetër dhe kontributin e sipërmarrjes. Me këtë nënkuptoj që sipërmarrja duhet të kontribuojë në një mënyrë pak më ndryshe, përsa i përket gjithë kësaj krize që po kaplon jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe ekonomitë e tjera rajonale dhe përtej”- thotë Shkodra.

Arben Shkodra(Foto cna.al)

Arben Shkodra(Foto cna.al)

Emergjente për të mos shtuar barrën e çmimeve tek qytetarët eshtë luftimi i mashtrimeve nga tregtarët.

“Ne duhet të evidentojmë spekulimet dhe na takon dhe ne. Ne gjithmonë themi qeveria, gjithmonë e adresojmë te qeveria, por nga ana tjetër dhe ne duhet që të evidentojmë spekulimet dhe qeveria duhet të marrë masa për spekulimet. Cfarë duhet të bëjë qeveria? Patjetër që duhet të luftojë fort kontrabandën, informalitetin, sepse në fakt spekulimet gjejnë më shumë veten te kontrabanda dhe informaliteti sesa tek biznesi i ndershëm ose tek sipërmarrësi, prodhuesi i ndërshëm. Kështu që të dyja palët duhet të sinkronizojnë, por kjo nuk bëhet duke krijuar një bord dhe duke propaganduar punën e bordit, ndërkohë që bordi merr në shqyrtim 1,2,3 produkte kur tregu ka me mijëra produkte.”-nënvizon Shkodra

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Rritja graduale e çmimeve ka ndikuar në rënien e konsumit, sipas bizneseve prodhuese.

“Ka filluar të ndjehet, kam përshtypjen që në dhjetor ka filluar të ndjehet kjo gjë dhe tashmë është natyrore. Nëse në dhjetor kishte perceptime, që do të kishte probleme, krizë, njerëzit filluan të mendonin më shumë për të ruajtur kursimet dhe për të mos u ekspozuar më shumë drejt shpërdorimit të parasë në gjëra të cilat janë të tepërta, tashmë ka filluar tkurrja natyrore që realisht në xhepat e qytetarit ka më pak lekë.”

Sfidë e madhe për kompanitë prodhuese sipas Shkodrës në këtë periudhë është çmimi i energjise elektrike dhe menaxhimi i situatës.

“Në fakt qasja e qeverisë në fillim të shpalljes së emergjencës në tetor ishte një qasje dukshëm e njëanshme, duke u kujdesur vetëm për shtresat e sipërmarrjes të cilat mund t’i quajmë “në nevojë”. Biznesi mikro i vogël, personi fizik e me rradhë, i cili u garantua që nuk do të kishte ndryshim apo luhatje dhe zyrtarisht, kryeministri dhe ministrja për energjinë kanë dalë me shprehjen që biznesi i madh të arranxhohet vetë. Kur ju thashë për një model të ri të qasjes kisha parasysh dhe këtë, që do të thotë që ne kemi mundësi të vendosim. Me fondet tona, me investimin tonë kemi mundësi të vendosim burime të rinovueshme alternative, për të plotësuar një pjesë të nevojës, sepse jo të gjithë nevojën mund të plotësojmë. Duke plotësuar një pjesë të nevojës dhe duke marrë parasysh që do të investohet vetë nga privati, ka një kalkulim që ekziston mundësia që të kemi një çmim shumë të reduktuar sesa çmimi i bursës sot, por edhe çmimi normal që ka qenë më përpara”, thekson ai.

Për zgjidhjen e çështjes së energjisë bizneset kërkojnë që të ketë një pakt me qeverinë.