Çdo 6.5 minuta, një motor del nga linja e montimit që funksionon me robotë në fabrikën e një sipërmarrjeje të përbashkët kinezo-gjermane në Changsha, kryeqendra e provincës Hunan të Kinës qendrore.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në një sipërfaqe prej rreth 120,000 metrash katrorë, fabrika e motorëve të “Hunan Deutz Power Co., Ltd.” ka nisur menaxhimin e informacionit të të gjithë procesit. Me një linjë montimi prej gati 100 metrash dhe mbi 40 procedura të kryera nga robotë, shkalla e automatizimit të procedurave kryesore në fabrikë ka arritur në 90 për qind, ndërsa kapaciteti i planifikuar i prodhimit është 300,000 njësi në vit.

Me një investim prej 408 milionë juanësh (rreth 60 milionë dollarë amerikanë), kompania me bazë në Changsha angazhohet në kërkimin dhe zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e motorëve të makinerive të ndërtimit. Ajo është themeluar bashkërisht në vitin 2019 nga prodhuesi kinez i pajisjeve “Sany Group” dhe “Deutz AG”, një nga prodhuesit kryesorë gjermanë të motorëve me naftë dhe gaz.

Feng Jinliang, drejtoresha e zyrës së kompanisë, është e sigurt për zhvillimin e ardhshëm të sipërmarrjes së përbashkët.

"Kryeqendra e provincës krenohet me një nga grupimet më të mëdha industriale në botë të makinerive të ndërtimit",- tha ajo.

Pavarësisht pandemisë globale të Covid 19, Hunan është bërë gradualisht një pikë e re për investimet e huaja, falë politikave preferenciale dhe mjedisit të favorshëm të biznesit.

Sipas departamentit provincial të tregtisë, investimet e huaja direkte (IHD) në provincën Hunan, në përdorim aktual, u zgjeruan 165.8 për qind nga viti në vit në afro 1.8 miliardë dollarë amerikanë në tremujorin e parë, duke u renditur e para në Kinën qendrore. Investimet e huaja direkte në sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve prodhuese përbënin 86.2 për qind të investimeve totale. Shumë kompani kanë regjistruar rritje të porosive të tyre të importit dhe eksportit, pavarësisht situatës së zymtë si pasojë e shpërthimeve të virusit.

Në zonën e zhvillimit industrial të teknologjisë së lartë të Changsha, autoritetet lokale ofrojnë shërbime të përshtatshme për projektet e investuara nga jashtë, duke i lejuar ndërmarrjet të kryejnë regjistrimin dhe ndryshimin e biznesit në kohën më të shkurtër të mundshme. Kompanitë kryesore të financuara nga jashtë në zonë mund të gëzojnë gjithashtu shërbime të personalizuara.

"Mbështetja e madhe nga qeveria ka ndihmuar kompanitë të kapërcejnë vështirësitë gjatë epidemisë, duke rritur besimin e lojtarëve të tregut",- tha Yang Jie, CEO i “BASF Shanshan Battery Materials Co., Ltd.”, një ndërmarrje e përbashkët e krijuar nga gjiganti kimik gjerman “BASF” dhe Shanshan, një furnizues kryesor kinez i materialeve të baterive litium-jon.

Yang tha se me politika të favorshme, kompania gëzon një normë interesi preferenciale nga banka, e cila redukton kostot operative të projekteve të saj të transformimit të teknologjisë.

"Ne duam të jemi gjithmonë pjesë e tregut kinez, tregu më i madh në botë i automobilave, automjeteve me energji të re dhe tregu kimik. Nëpërmjet investimeve lokale, ne do të jemi më pranë klientëve tanë dhe do të përmbushim më mirë nevojat e tyre në rritje",- tha Yang.

"Shpresojmë që autoritetet lokale të vazhdojnë të na mbështesin, siç bëjnë gjithmonë, të përmirësojnë më tej zinxhirin e industrisë dhe të ruajnë vrullin e zhvillimit të qëndrueshëm",- shtoi Yang.