Pavarësisht ndikimit negativ që rrjedh nga lufta në Ukrainë, Shqipëria vazhdon të jetë tërheqëse për investitorët e huaj, të cilët e shohin atë si një potencial për të zhvilluar planet e tyre te biznesit. Presidenti i Dhomës Britanike të Tregtisë Zenel Hoxha në një intervistë për mediat tregon edhe fushat ku ka më shumë interes dhe ecurinë e këtyre bisedimeve.

Instalimi i solareve (Foto ishasol.com)

Instalimi i solareve (Foto ishasol.com)

“Shqipëria vazhdon të jetë interesante për ta sidomos në tregun energjitik. Dihet që dhe kriza tashmë dhe lufta që ka nisur prej mëse dy muajsh në Ukrainë, thelbi i saj është energjia dhe Shqipëria dihet që i ka të gjitha mundësitë për të qenë një vend me energji të rinovueshme, jo vetëm për nevojat e veta, por edhe për eksport. Dhoma Britanike prej katër vjetësh tashmë është e fokusuar në projektet solare, pra të prodhimit të energjisë solare. Kemi disa investitorë të interesuar në këtë fushë. Ata janë në momentet e finalizimit të projekteve të tyre. Tani mbetet për qeverinë shqiptare për të ulur barrierat përsa i përket pengesave që krijohen për ardhjen e investitorëve të huaj, por dhe për biznesin local. Kështu është mungesa e konkurrencës, paketa fiskale, në përgjithësi klima e acaruar që ekziston në vendin tone, që kur u hap Shqipëria 30 vjet më parë, problemet që trashëgojmë ne dhe që vazhdojnë të jenë koherente, është pronësia mbi tokën, sistemi ligjor në Shqipëri, i cili akoma ka shumë për të bërë. Shqipëria ka hyrë në fazën interesante të reformës në drejtësi, por përsëri po ecën me ritme shumë të ngadalta dhe vendi ynë është etiketuar si një vend ku drejtësia është ende e munguar. Ne jemi në kontakt me ekspertë të fushave të ndryshme, për herë të parë ndoshta në këto 30 vjet.”-thotë Hoxha.

Presidenti i Dhomës Britanike të Tregtisë Zenel Hoxha Hoxha flet dhe për efektin aktual të krizës në Ukrainë.

Presidenti i Dhomës Britanike të Tregtisë Zenel Hoxha (Foto Start news)

Presidenti i Dhomës Britanike të Tregtisë Zenel Hoxha (Foto Start news)

“Interesi për tregun shqiptar është i vazhdueshëm nga Britania e Madhe dhe nga vende të tjera sepse megjithëse është treg i vogël, Shqipëria është mjaft interesante edhe për shkak të pozicionit të saj gjeografik, edhe të burimeve natyrore dhe shumë faktorëve të tjerë. Përsa i përket rritjes së çmimeve askush nuk priste që pas pandemisë së gjatë, tashmë gati 2 vjet, bota do të përballej me një rrezik shumë të madh siç është lufta në Ukrainë. Them rrezik shumë i madh sepse gjithçka është e lidhur në aspektin global. Pra, kur flasim për biznesin në këto 20 vitet e fundit kemi globalizimin e ekonomisë në përmasa historike të panjohura më parë, por tashmë pandemia dhe për më tepër kriza në Ukrainë, e cila ka një ndikim të jashtëzakonshëm përsa i përket rritjes së çmimeve në periudhën aktuale, sepse siç dihet është një vend me burime të mëdha natyrore siç është nafta, gruri e produkte të tjera ushqimore dhe për pasojë ne kemi rritje të cmimeve të shportës tashmë në të gjithë planetin, jo vetëm në Shqipëri. Kjo sigurisht që krijon një stepje dhe për të gjithë ata që duan të investojnë jashtë vendeve të tyre dhe konkretisht Britania e Madhe. Tashmë ata që kishin dhe kanë interes për tregun shqiptar, tregun e Ballkanit Perëndimor, sepse ne shpeshherë Shqipërinë e promovojmë në kontekstin e Ballkanit Perëndimor për arsye se tashmë Shqipëria dhe shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete dhe në këtë aspekt ne synojmë që të promovojmë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, po rishikojnë sesi mund të vazhdojnë me projektet e tyre, me planet e tyre gjithashtu.”- shton me tej Hoxha.

Vendet po vijojnë përpjekjet për të gjetur burime të tjera për të gjitha produktet që krijohet vakuum.

“Askush nuk është në gjendje të parashikojë në kushtet e luftës atë që po ndodh në Ukrainë. Dihet që tashmë në një formë apo në një tjetër gjithë Evropë është e përfshirë në këtë betejë e për më tepër në aspektin ekonomik dhe po rishikohen rrugë të reja për sigurimin e energjisë, rrugë të reja për sigurimin e produkteve të shportës, por kjo merr kohën e duhur. Pyetjes suaj do t’i përgjigjesha se akoma askush nuk është në gjendje të përcaktojë çfarë do të ndodhë nesër. Megjithatë përpjekjet po vazhdojnë për të gjetur burime të reja për të gjithë produktet.”- shprehet Hoxha.

Solarët (Foto Pv Magazine)

Solarët (Foto Pv Magazine)

Investimet nga bizneset e huaja arritën në 9.5 miliardë euro vitin e kaluar, me rritje mbi 12 %. Zvicra dhe Holanda ishin dy shtetet që hodhën më shumë para në vend, ndërsa Greqia pakësoi investimet, duke tërhequr disa prej kompanive të saj. Në vitin 2021 investimet e huaja direkte kapën vlerën e 9.53 miliardë eurove. Rritja vjetore ishte 12.5 %, krahasuar me vitin e pandemisë, ku u regjistruan 8.5 miliardë euro. Stokun më të lartë në Shqipëri, vitin e kaluar e kanë mbajtur Zvicra, Holanda, Kanadaja, Italia dhe Turqia. Edhe investimet e SHBA në vend kanë shënuar vlerë rritëse. Ivestimet zvicerane ishin 1.76 miliardë euro dhe zunë 18% të totalit, ndërsa ato holandeze 16%.

.