Në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor nga Banka Botërore evidentohet se Shqipëria shënoi një rimëkëmbje të fortë ekonomike në vitin 2021 falë politikave stimuluese dhe rigjallërimit të sektorëve të udhëtimeve, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse. Sipas këtij raporti PBB-ja reale u rrit me 8.5 për qind, duke u rikuperuar plotësisht nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë, por edhe pse rritja në vitin 2021 ishte me bazë të gjerë, borxhi publik mbetet i lartë. Përsa i përket kreditimit thuhet se për sektorin privat u rrit fuqishëm gjatë vitit 2021 si për bizneset ashtu edhe për individët. Po kështu, depozitat bankare vijuan të zgjerohen me 10.3 për qind, ku kursimet e individëve përbëjnë rreth dy të tretat e rritjes së totalit të depozitave në sistemin bankar.

Ekonomia (Foto Njeshi.com)

Ekonomia (Foto Njeshi.com)

Në raportin e publikuar se fundmi nga Banka Botërore theksohet se investimet e huaja direkte u rritën në vitin 2021, duke arritur në 6.4 për qind të PBB-së si rezultat i investimeve në industrinë nxjerrëse, sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve. Rritja e fortë e të ardhurave solli ngushtim të deficitit fiskal në 4.5 për qind të PBB-së.

Por si shumë vende të botës edhe Shqipëria nuk i shpëton prekjes nga zhvillimet në arenën ndërkombëtare dhe po përballet me sfida të reja, të cilat kërcënojnë perspektivën e rritjes ekonomike dhe uljen e varfërisë. Pasiguritë në lidhje me luftën në Ukrainë po ndikojnë stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike, ritmi i së cilës pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022. Sipas raportit Konsumi privat parashikohet të jetë nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së. Investimet private mund të vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit.

Shqetësimi për çmimet është ngritur së fundmi edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Por pavarësisht situatës, sipas Sejkos do kemi rritje ekonomike gjatë 2022.

Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Exit.al)

Guvernatori i BSH Gent Sejko (Foto Exit.al)


“Ky zhvillim ka sjellë një rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve. Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi. Megjithatë, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë. Bazuar në informacionin aktual, ne presim që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në ekuilibrat e konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe në vijimin e një miksi stimulues politikash monetare e fiskale.Ne parashikojmë që inflacioni të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024”. – tha Sejko.

Rritja e PBB-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti në 7.4 për qind në vitin 2021, pas një tkurrjeje prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky rikthim në norma pozitive i rritjes ekonomike u shoqërua me një rritje të ndjeshme të vendeve të reja të punës, ku kërkesa për punësim solli ulje të varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Ekonomia (Foto The kathmandu post)

Ekonomia (Foto The kathmandu post)


Megjithatë, rimëkëmbja pas pandemisë është ndalur, pasi lufta në Ukrainë ka tronditur të gjithë rajonin. Rritja ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vitin 2022 aktualisht parashikohet të jetë vetëm 3.1 për qind.

“Pavarësisht rikuperimit të fortë pas pandemisë, Ballkani Perëndimor po përballet aktualisht me një sërë sfidash të reja, të shtuara dhe nga lufta në Ukrainë, si rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i tregtisë dhe investimeve,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa raporti i Bankës Botërore thekson se :"Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë nevojë për politika mbështetëse të kujdesshme për t’i menaxhuar këto kriza në mënyrë efektive dhe për të ruajtur përfitimet e rëndësishme të arritura në 2021, siç është ulja e varfërisë."

Por çfarë mund të ndodhë nëse konflikti zgjat?

“Rreziqet e kahut të poshtëm lidhur me perspektivën ekonomike të rajonit janë shqetësuese. Zgjerimi i konfliktit ose zgjatja e luftës në Ukrainë mund të shkaktojnë ndërprerje të tjera në zinxhirët e tregtisë globale dhe rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Në rast se kushtet e financimitnë tregjet ndërkombëtare do të jenë edhe më të shtrënguara, mund të shfaqen rreziqe që lidhen me rifinancimin e borxhit. Qëndrueshmëria e borxhit mund të kthehet në një shqetësim nëse hapësira e kufizuar fiskale do të ezaurohet nga politika të ndërmarra si kundërpërgjigje ndaj çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve dhe në kushtet e rritjes së kostove të rifinancimit. “- theksohet më tej.

Po ashtu jepen mesazhe të qarta se ku duhet të fokusohen politikat e qeverisë në këtë rast.

Prodhime vaji(Foto Panorama.com.al)

Prodhime vaji(Foto Panorama.com.al)

“Në një mjedis të tillë, politikat e qeverisë duhet të fokusohen në forcimin e qëndrueshmërisë dhe ndërmarrjen e reformave strukturore me synimin për të mbështetur rritjen ekonomike dhe përballuar krizat. Në kushtet e hapësirës së kufizuar fiskale, vendet duhet të analizojnë me kujdeskostot dhe përfitimet e angazhimeve të reja për shpenzime si kundërpërgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke u dhënë përparësi familjeve më të cenueshme.” u shpreh Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit.

Në kushtet e krizës energjetike në Europë, raporti jep gjithashtu një vlerësim lidhur me nivelin e cenueshmërisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve të çmimeve të energjisë, masat e marra nga qeveritë për zbutjen e pasojave dhe se si kriza mund të ndikojë avancimin e procesit të kalimit në energji të gjelbër.

“Mes përpjekjeve për t’iu përgjigjur krizës aktuale të energjisë dhe për të garantuar mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve më të rrezikuara nga kjo krizë, Ballkani Perëndimor gjithashtu nuk duhet të harrojë synimet e veta afatgjata në drejtim të arritjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë energjetike si pjesë e agjendës së gjelbër”, shton Richard Record, kryeekonomist i Bankës Botërore dhe një nga autorët e raportit.

Raporti thekson se nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike pa reforma strukturore që nxisin rritjen e produktivitetit, konkurrencës, investimeve në kapitalin njerëzor dhe forcimin e qeverisjes. Ulja e kostove rregullatore për bizneset, rritja e konkurrencës në treg, mbështetja e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe forcimi i pavarësisë së institucioneve publike janë të gjitha masa që do të mbështesnin rritjen ekonomike në një mjedis të pasigurt.