Foto:VCG

Foto:VCG

Muajin e kaluar, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi zyrtarisht dokumentin për shpejtimin e ndërtimit të tregut të madh kombëtar. Analistët janë të mendimit që tregu i madh i integruar kombëtar është një shtyllë e rëndësishme për të ashtuquajturin “model i ri zhvillimi me dy qarkullime”. Për ndërtimin e një tregu të tillë, do të merren masa reforumuese më të thella dhe më sistematike, çka ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vazhdueshëm dhe cilësor të ekonomisë kineze.

Përse duhet të ndërtohet një treg i madh kombëtar

Para se të paraqitej koncepti për modelin e ri të zhvillimit me dy qarkullime, Kina u përfshi në mënyrë aktive në qarkullimin ndërkombëtar dhe u integrua plotësisht me globalizimin. Në këtë proces, Kina, duke u mbështetur në epërsitë e veta, ka zhvilluar një ekonomi të orientuar nga eksportet dhe ka nxitur reformën nëpërmjet hapjes. Për modelin e ri të zhvillimit, është shumë e rëndësishme që të formohet një strukturë me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor dhe me zhvillim të integruar ndërmjet qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Me një fjalë, Kina do të kalojë nga modeli i zhvillimit “e jashtmja nxit të brendshmen” në modelin “e brendshmja nxit të jashtmen”.

Por si të ndërtohet modeli i ri me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor? Zv.drejtori i Institutit të Financave pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Zhang Ming, analizon që ky model i ri duhet të bazohet në tre shtylla kryesore: konsumi, risitë industriale e teknologjike dhe tregu i madh kombëtar.

Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 ka sjellë goditje ndaj zinxhirëve globalë të prodhimit, furnizimit e vlerës dhe zinxhiri i prodhimit mund të bëhet më i shkurtër dhe rajonal. Për këtë shkak dhe në kushtet e ndikimeve nga mosmarrëveshjet e saj tregtare me ShBA-në, Kina duhet të përmirësojë strukturën e brendshme industriale dhe të forcojë inovacionin teknologjik.

Kina ka një popullsi 1.4 miliardë banorë dhe të ardhurat vjetore për frymë janë mbi 10 mijë dollarë amerikanë. Këto në fakt janë parakushtet për formimin e një tregu të madh kombëtar. Por deri tani, në tregun e brendshëm të Kinës ekziston dukuria e ndarjes mes krahinave. Kjo jo vetëm ka penguar lëvizjen e lirë të faktorëve të ndryshëm të prodhimit dhe caktimin e çmimeve sipas tregut, por edhe ka dëmtuar përmirësimin e shfrytëzimit të faktorëve të prodhimit dhe maksimalizimin e mirëqenies shoqërore për banorët. Kështu që, për ndërtimin e modelit të ri me qarkullimin e brendshëm si bosht, duhet medoemos të kapërcehet gjendja e tanishme me pengim të qarkullimit dhe me fragmentarizim të tregut, dhe më pas të formohet tregu i madh i integruar që nxit lëvizjen e lirë të faktorëve të prodhimit.

Po këto tre shtylla në fakt janë pjesë kyçe për tregun e madh kombëtar. Shtimi i konsumit është shtylla e kërkesës, ngritja e nivelit industrial dhe risitë teknologjike janë shtylla e ofertës dhe tregu i madh kombëtar është shtylla sistemore për nxitjen e qarkullimit të brendshëm.


Foto:VCG

Foto:VCG

Si të ndërtohet një treg i madh kombëtar

Në prill 2020, Këshilli i Shtetit publikoi dokumentin për përsosjen e sistemit për ndarjen e faktorëve të tregut, ku vihet në dukje që duhet të “nxitet vetëqarkullimi i rregullt i faktorëve të tregut”, me synim që “të rritet efektiviteti në ndarjen e faktorëve të tregut”.

Në janar 2022, Këshilli i Shtetit publikoi planin e përgjithshëm për reformën e ndarjes së faktorëve të tregut, çka është një përimtim i mëtejshëm i masave në dokumentit të 2022-s.

Në këtë plan janë përfshirë masat e detajuara, si zbatimi i projekteve pilot për të ashtuquajturat aglomerate urbane, rrethe metropolitane, qytete qendrore etj., pasi në to ka nevoja urgjente, bazë të mirë dhe potencial të madh.

Krahas kësaj, do të merren masa për ndarjen e elementeve të tokës, të fuqisë punëtore, të kapitaleve, të elementeve teknike dhe atyre mjedisore.

Synimi i këtyre masave është që tregu i brenshëm i Kinës të shndërrohet nga një treg i madh në një treg të fuqishëm, me standarde të larta dhe me nivel të lartë të ekonomisë së tregut.

Mund të shohim që këto dy dokumente, përkatësisht të prillit 2020 dhe janarit 2022, bashkë me dokumentin e publikuar në prill 2022 për shpejtimin e ndërtimit të tregut të madh kombëtar, në fakt janë të ndërlidhura me një koncept dhe janë përplotësuese e mbështetëse të njëra-tjetrës. Ky është një sinjal që në të ardhmen, qeveria kineze do të ecë në drejtimin e përcaktuar nga këto tre dokumente dhe do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e qarkullimit të faktorëve të tregut me ndërtimin e një megatregu të integruar. (Jiang Lei)