Pas mbarimit të univeristetit shumë të rinj shqiptarë zgjedhin të krijojnë biznesin e tyre në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ana Dyrmo dhe Serxhio Cakaj janë dy të rinj shqiptarë, të cilët sapo mbaruan universitetin vendosën të krijonin studion e tyre të arkitekturës. Për Radio Ejani ata rrëfejnë se rrugëtimi ka qenë i bukur, por shpesh herë sfidues. Në vitin 2006 ata arritën të kishin një portal të tyre për ta kthyer më pas në një biznes të mirëfilltë.

“Angry architect u lançua për herë të parë në 2016 nga arkitekt Serxhio Çakaj si një portal online, në të cilën publikoheshin arkitektë të talentuar ndërkombëtarë, dizajne inovative. Ndërsa kjo revistë evoluoi gjatë viteve, në 2020 u bashkova dhe unë për të ndihmuar në zgjerimin dhe në rritjen e kësaj fushe të re. Të nxitur nga dëshira, pasioni për botën e arkitekturës dhe dizajnit ne menduam të themelonim Angry arcitecht studio në po të njëjtin vit. Vizionet e ndryshme dhe individualitetet që ne kemi unike, kanë një emërues të përbashkët që është eleganca e heshtur”, shprehet arkitektja Ana Dyrmo.

Nisja e një biznesi sjell shumë vështirësi, por dëshira dhe pasioni janë shtysa më e madhe për të kaluar çdo pengesë edhe përtej kufijve të vendit. Serxhio shprehet se gjatë punës mjafton të kesh kreativitet, në këtë mënyrë edhe vështirësitë do jenë të pakta.

“ Kur diçka e bën me pasion, zor se je në gjendje për të diktuar momente të vështira. Dëshira e madhe për ta bërë të pamundurën të mundur të bën që mos t’i shohësh vështirësitë si të tilla. Je duke ndjekur dinamikën e zhvillimit, në një projekt ti je ende në aksion, akoma i nxehtë le të themi, por kjo nuk do të thotë që puna jonë nuk ka momente të vështira. Përsa i përket fazës së projektimit, rrallë herë mund të hasemi me vështirësi pasi kreativiteti nuk ka tavan. Ne inspirojmë dhe sjellim inovacion, realizojm mobilje, ndriçues, gjë që sjell shumë vështirësi tek bashkëpunëtorët tanë për t’i sjellë këto ide në jetë. Ne duke punuar me ta arrijmë në përfundime respektivisht të kënaqshme.”, shprehet arkitekti Serxho.

Projektet e tyrë janë të shumta në vende të ndryshme të botës. Ndërsa Ana na rrëfen sesi janë realizuar më konkretisht disa prej tyre.

“Ne kemi realizuar disa projekte jashtë vendit dhe i fundit ka qenë një apartament në Milano. Është realizuar në fundin e vitit të kaluar dhe ka patur një stil minimal nga modern. Çdo gjë e përfshirë në atë projekt është prodhuar në Shqipëri, si dhe projekti u bë këtu, pra ka qenë i gjithë Made in Albania. Projekti tjetër që jemi duke punuar është në Maqedoni, ku jemi duke ndërtuar një qendër rehabilitimi të quajtur Narconon, e cila është përfaqësuese e të gjithë Ballkanit. Narconon është një qendër ndërkombëtare dhe për ne është shumë e rëndësishme, pasi qëndra të tilla kanë arkitektët e tyre dhe ne jemi duke punar për projektin e Ballkanit. Kjo qendër funksionon ndryshe dhe për këtë arsye dhe në arkitekturë dhe në projektim kërkon disa detaje ndryshe nga ato që ne kemi studiuar, apo punuar në shkollë. Për ne ky projekt është një sfidë, por edhe një gjë e bukur dhe interesante, të cilën jemi duke e punuar me shumë pasion”, thekson arkitektja Ana.

Çfarë ndodh në vendin tonë ? Sa ka ndryshuar qasja e qytetarëve shqiptarë lidhur me rëndësinë e arkitekturës?

“Kultura shqiptare në arkitekturë është një diapazon shumë interesant, duke marrë parasysh që qytetarët shqiptarë janë të lidhur ngushtë me ambientet ku ata jetojnë, zgjedhin të punojnë dhe jo vetëm. Arredimi është pjesë shumë e rëndësishme për ta. Vitet e fundit mund të themi se shqipëtarët janë kompleksuar nga idea se mund ta bëjnë vetë dhe e kanë ndjerë nevojën e arkitektit në një projekt. Mendoj se klienti i kënaqur shqiptar për ne është një trofe në vete”, shprehet ajo.

Së fundmi ata kanë arritur të jenë fitues të një konkursi europian, lidhur me arkitekturën dhe bizneset nga “Big See”, Qendra për Ekonominë Kreative të Evropës Juglindore, një ombrellë e madhe për një sërë përpjekjesh kreative bindese me bazë në City of Design, në kryeqytetin slloven, Ljubljana. Qëllimi i tyre është për të sjellë praktika të forta krijuese më afër audiences, kudo në një rajon më të madh.

“U prezantuam për herë të parë me ekzistencën e këtij projekti në një seminar arkitekture, ku kryefajla ishte arkitekti me famë ndërkombëtare Simone Michael. Gjatë prezantimit të bigorafisë së tij u përmendën edhe çmime, të cilat ai dhe studioja e tij kishin fituar ndër vite. Një ndër këto çmime ishte edhe Big See Award në vitin 2020 në të cilin ai kishte aplikuar me projektin e një hoteli në kategorinë arkitekturë. Ne na u duk shumë interesant dhe pas një kërkimi kuptuam që konkursi kishte 5 tema kryesore dhe kishin disa nën tema të cilat t’i mund të aplikoje me një projekt. Ne vendosëm të konkuronim në këtë konkurs me projektin e një zyre në kategorinë interior design office. Aplikimi ishte i thjeshtë. Ne ngarkuam të gjitha fotot që kemi realizuar në ambient dhe projektin e detajuar. Më pas pritën dhe na erdhi përgjigja që ishim fitues. Ishim shumë të lumtur që u bëmë pjesë dhe patëm mundësinë të shikonim nga afër punët e të gjithë arkitektëve nga bota. Ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe fitimprurëse, sepse ne ndamë dijet, eksperiencat, informacione dhe kulturë për vendet tona”, shprehen ata

Ky projekt dhe çmimet që ata kanë fituar kanë sjellë shumë përfitime tek dy të rinjtë, ndërsa ata shprehen se projektet e tyre në të ardhmen do të jenë më të shumta.