Banka Botërore ka publikuar raportin e fundit gjysmë-vjetor mbi zhvillimet e fundit ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ku pjesë e tij është edhe Shqipëria.

Banka Botërore (Foto Worldbank.org)

Banka Botërore (Foto Worldbank.org)

Banka Botërore thekson se rritja ekonomike në vitin 2021, u rikuperua plotësisht nga recesioni i shkaktuar nga pandemia. E vlerësuar në 8.5% rritja rezultoi më e fortë nga sa ishte parashikuar, nga politikat stimuluese dhe rigjallërimi i sektorit të udhëtimeve dhe ndërtimit.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pësuan një rritje në 2022, ku rritja e GDP arriti në 7.4 për qind, pas një tkurrje prej 3.2 për qind në vitin 2020. PBB tani pritet të kalojë nivelet e para-pandemike nga 2022.
Sistemet financiare të ekonomive të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur elastike gjatë pandemisë, me mbulesë adekuate të kapitalit dhe likuiditetit dhe me ruajtjen e cilësisë së aktiveteve. Mbështetja e politikave, duke përfshirë masat e lehtësimit të huamarrësve, së bashku me një rikuperim të rritjes, ka ndihmuar në uljen e rreziqeve të sektorit bankar dhe madje në rritjen e përfitimit të bankave tregtare”, shkruhet në raportin e BB-së.

Banka Botërore thekson se borxhi publik u reduktua në 2021 duke arritur në 74% të PBB-së. Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në 3.7% në Janar 2022, kryesisht për shkak të presionit për rritjen e pagave si rezultat i zgjerimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve, energjisë, transportit dhe mallrave në tregjet botërore.
Pasiguria në lidhje me luftën në Ukrainë po ndikon në stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike sipas Bankës Botërore, ritmi i së cilës pritet të ngadalësohet në 3.2% në vitin 2022 nëse faza kritike e krizës arrin të qetësohet në tremujorin e dytë të vitit.


Megjithatë, kriza në Ukrainë në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit. Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Në raportin e fundit Banka Botërore nënvizon se borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9% të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme.

“Politika duhet të përqendrohet në ndërtimin e elasticitetit dhe në ndërmarrjen e reformave strukturore për rritje përgjatë krizave. Me hapësirë të kufizuar fiskale, vendet do të duhet të peshojnë me kujdes kostot dhe përfitimet e angazhimeve të reja shpenzuese në përgjigje të çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve, prioritet i familjeve në nevojë. Gjithashtu edhe në marrjen e masave strukturore për të zvogëluar shpenzimet rregullatore të biznesit, rritjen e konkurrencës në treg, pjesëmarrjen e mbështetjen e tregut të punës, dhe për të forcuar pavarësinë e institucioneve publike" thuhet në raport.


Ballkani perëndimor përgjatë krizave Foto (Worldbank.org)

Ballkani perëndimor përgjatë krizave Foto (Worldbank.org)

Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në periudhë afatmesme, ku konsumi privat parashikohet të kthehet në faktorin kryesor shtytës të rritjes së PBB-së. Ndërsa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit “Rikthimi i çmimeve të larta: Përballja me ushqimin dhe energjinë e shtrenjtë”, thekson se “ekonomia pritet të arrijë një rritje më të ngadaltë gjatë këtij pas një rikuperimi të fortë në 2021, kur PBB-ja u rrit me rreth 8.5 %, si pasojë e rritjes së turizmit dhe rimëkëmbjes së kërkesës së brendshme”.

Sipas BERZH-it, rritja e fuqishme e investimeve u mbështet nga rindërtimi publik i lidhur me tërmetet.

Mjedisi makroekonomik mbetet kryesisht i qëndrueshëm; inflacioni u rrit në 5.7 % me bazë vjetore në mars 2022 duke reflektuar rritjen globale të çmimeve të mallrave, por ndërsa ka kaluar objektivin e bankës qendrore prej 3 për qind, ai mbetet më i ulët se në shumicën e ekonomive rajonale.


Sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, me rritje të fortë të kredisë në dy muajt e parë të vitit dhe kredi me probleme, në nivelet më të ulëta që nga viti 2014. Ndërkohë, buxheti po ndien ndikimin e krizës energjetike për shkak të importeve të mëdha të energjisë elektrike me çmime dukshëm më të larta”, vë në dukje raporti.

Në raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Manovrim mes krizash” që u publikua së fundmi Banka Botërore shprehet se Lufta në Ukrainë do të frenojë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë në Shqipëri, për shkak se çmimet e larta do të ulin konsumin dhe do të rrisin kostot për bizneset.

Banka parashikon se sipas skenarit bazë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind. Kjo mbështetet në supozimin se faza më kritike e krizës do të arrijë të zbutet në tremujorin e dytë të këtij viti.

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit.

Raporti i Bankës botërore për vitin 2021 (Foto WorldBank)

Raporti i Bankës botërore për vitin 2021 (Foto WorldBank)

Duke qenë se çmimet e larta ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të familjeve dhe rritjen e kostove për bizneset, edhe parashikimet për rritjen ekonomike janë gjithashtu më të ulëta. Borxhi publik pritet të stabilizohet në 73.9 për qind të PBB-së në vitin 2022, përpara se të ulet gradualisht në periudhë afatmesme. Banka vlerëson se, në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Për më tepër, duke qenë se Shqipëria po mbështetet gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme të financimit, rreziqet e kursit të këmbimit, normës së interesit dhe rifinancimit mbeten të larta.

Raporti i Bankës botërore për vitin 2022(Foto WorldBank)

Raporti i Bankës botërore për vitin 2022(Foto WorldBank)

Konsumi privat parashikohet të kthehet në faktorin kryesor shtytës të rritjes së PBB-së. Investimet private mund të mbështesin më tej rritjen nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në periudhë afatmesme, pasi eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe zgjerimi i shpejtë i operacioneve të procesit të biznesit, pritet të rriten duke reflektuar tendencat parapandemisë.