Nisja e një biznesi është një ndër synimet edhe të të rinjve shqiptarë. Përveç dëshirës, realizimi i këtij objektivi kërkon ide, investime, punë të palodhur që të mund të garantojë suksesin. Çdo vit në Shqipëri hapen shumë biznese të reja, por në përballje me vështirësi shumë prej tyre mbyllen, ndërsa vetëm disa i rezistojnë tregut.

Sipas raportit të Drejtorisë së Tatim-Taksave, për vitin 2021në Shqipëri janë hapur 4787 biznese të reja dhe janë mbyllur 1661.Startup Grind Tirana, një komunitet global sipërmarrësish, zhvillon takime periodike mes komunitetit dhe sipërmarrësve të suksesshëm. Takimi i fundit u zhvillua dy muaj më marë dhe pjesmarrës në panel ishte Elvin Guri, një investitor me përvojë 26-vjeçare në tregjet rajonale dhe i njohur në Shqipëri për blerjen e operatorit One Telecommunications.

Elvin Guri në Universitetin Amerikan në Bullgari (Epoka e re)

Elvin Guri në Universitetin Amerikan në Bullgari (Epoka e re)

Elvin Guri është një sipërmarrës bullgar me origjinë nga Shqipëria, i cili u largua për në Bullgari në vitin 1992 për të ndjekur studimet në Universitetin Amerikan të Bullgarisë. Ai e nisi aktivitetin me institucionin jo bankar financiar JetFinance, të cilin ia shiti më pas grupit francez BNP Paribas. Përpara se të bëhej sipërmarrës, Guri punoi për PricewaterhouseCoopers dhe BERZH në Sofje dhe Londër.

Aktualisht në Bullgari, Elvin Guri është aksioner 100% i fondit bullgar River Styxx Capital EAD, të krijuar në vitin 2008, me një kapital themeltar prej rreth 36.5 mijë euro. River Styxx Capital raportoi të ardhura prej rreth 417 mijë eurosh në 2017-n dhe humbje prej rreth 530 mijë eurosh.

Gjatë takimit të Startup Grind Tirana, sipërmarrësi Elvin Guri ndau me pjesmarrësit përvojën e tij në fushën e biznesit. Ndër të tjera ai u shpreh se :

“Momenti më i rëndësishëm në jetë është të njohësh veten dhe të ndash mendjen për aftësitë që ke”

Historia e suksesit e këtij sipërmarësi ka dhe dështime, për të cilat ai është shprehur para audiotorit se ka nxjerrë mësime prej përvojës së tij dhe udhëzime për të ndërmarrë hapa të matur në jetë. Sipas Elvin Gurit, sipërmarësit e suksesshëm nuk janë të lindur.

Elvin-Guri (Monitor)

Elvin-Guri (Monitor)

“Aftësitë sipërmarrëse mësohen, nuk është e thënë të jesh i lindur sipërmarrës. Nuk ka nevojë as të jesh gjeni për të patur një biznes të suksesshëm, mjafton të jesh i zgjuar mjaftueshëm për të përshtatur një ide funksionale biznesi, që e ke parë diku, dhe ta adaptosh në mjedisin tënd”, u shpreh ai në takim.

Lidhur me këtë qasje ai ka treguar se kështu ka garantuar suksesin e tij të pare. Bëhet fjalë për një kompani që e nisi me 4 persona dhe pas 6 vitesh e shiti me 2800 punonjës që i shërbenin 23% të popullsisë madhore në Bullgari. Sipas Elvin Gurit kjo ide nuk ishte gjë tjetër veçse ofrimi i kredive konsumatore për qytetarët e Bullgarisë. Kjo ide është e provuar dhe e përhapur në Perëndim, por në kohën që ai e ofroi në Bullgari, ende nuk kishte mbërritur si shërbim.

Një tjetër element thelbësor suksesi që Elvin Guri cilësoi në takim nisur nga përvoja e tij në sipërmarrje ishin njerëzit

“Ne punësojmë njerëzit, njerëz të mirë, që ndajnë të njëjtat vlera me ne, të mirë-edukuar. Këto janë tipare që dikush ose i ka mësuar deri 7 vjeç, ose nuk i ka më. Ndërsa aftësitë profesionale mësohen”.

Si aksioner i operatorit One Telecommunications dhe trendin e suksesit që ka shënuar, ai ka vlerësuar meritat e stafit.

Pamje nga takimi (Dosja.al)

Pamje nga takimi (Dosja.al)

“Ne investuam në One Telecommunications sepse e kuptuam që kishte nevojë vetëm për ristrukturim, por kjo nuk do ishte e mundur pa 400 persona staf të ONE dhe mbi 450 të tjerë pjesë e rrjetit të partnerëve. Ndaj, investimi në atë kompani është një prej përvojave më të bukura në këto 26 vite.”

Lidhur me rritjen e një biznesi, Elvin Guri ka theksuar se “nuk ka një recetë. Cilësia e bizneseve kushtëzohet nga tregu në të cilin operojnë. Shqipëria është treg i vogël dhe që bizneset të tërheqin investime, duhet të sigurohen që të kenë fitim. Pa patur fitim, investitorët këtu nuk afrohen sepse tregu është i tillë që nuk mbijeton dot në humbje.”

Sipas sipërmarrësit për të patur një biznes të suksesshëm ka të bëjë shumë edhe mosha se kur investon.

“Duhet patjetër të kesh kaluar disa gjëra në jetë, të kesh edukatën e punës dhe të kesh pjekurinë e duhur për të filluar një biznes. Pra, kur je tek të 20-tat, ka më pak gjasa të nisësh një biznes me sukses afatgjatë.”, tha Elvin Guri.

Biznesi dhe jeta private e një sipërmarësi janë pjesë e pandarë e kësaj bote konkuruese. Sipas Elvin Gurit, nuk ekziston një balance për shkrirjen mes jetës private dhe punës.

“Koha punë-jetë private është një e vetme. Ti vendos se ku do fokusohesh më shumë në momente të ndryshme të jetës. Varet nga stadi që je në jetë dhe nga çfarë do të arrish. Në këtë fazë të jetës sime, ajo që më bën të lumtur përherë e më shumë, është familja dhe fëmijët. Por gjetja e balancës është një proces i përditshëm.”

Ndonëse i njohur tashmë si investitor dhe sipërmarës i suksesshëm Elvin Guri jep një kontribut social dhe në fushën e arsimit. Ai ka ofruar bursa studimi për 350 studentë shqiptarë dhe bullgarë në Bullgari. Çmimi i Princeshës Maria Louisa të Bullgarisë nxori në pah kontributin që ai ka dhënë në arsim dhe hodhi dritë mbi Elvin Gurin si një bamirës që me modesti kishte ndihmuar me qindra studentë. Kjo ngjarje është publikuar edhe në faqen zyrtare të Universitetit Amerikan të Bullgarisë (AUBG) ku theksohet se Çmimi i të Diplomuarit të Dalluar për Inovacion dhe Ndryshime Sociale u jepet personave me kontribut të rëndësishëm në shoqëri.

Elvin Guri duke referuar në takim (Dosja.al)

Elvin Guri duke referuar në takim (Dosja.al)

Studimet jashtë vendit janë një investim shumë i kushtueshëm për studentët shqiptarë, për këtë arsye pothuajse 90% e bursantëve janë shqiptarë. Me ndihmën e bursave të dhëna nga z. Guri, shumë studentë të talentuar kanë studiuar në AUBG dhe sot kanë pozicione të rëndësishme pune si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Së bashku me bashkëshorten, Ralitsa Agayn-Guri, ata investojnë në arsim, si mjeti më i fuqishëm për t’i dhënë një mundësi më shumë të rinjve të talentuar. Çifti Guri ka investuar në arsim përmes institucioneve të ndryshme si AUBG, Junior Achievement dhe “Teach Bulgaria”.