Foto:VCG

Foto:VCG

Vitet e fundit, Kina ka pasur zhvillim të dukshëm në tregti. Nga shpejtimi i krijimit të risive, përmirësimi i strukturës tregtare e zgjerimi i importit deri në shtimin e tregtisë së shërbimeve, shpejtimin e krijimit të sistemit inovativ dhe lehtësimin e tregtisë.... ekonomia e dytë e botës po tregon gjithnjë e më shumë tipare të zhvillimit cilësor të tregtisë dhe po përshpejton hapat drejt kthimit në fuqi tregtare.

Kthimi në fuqi tregtare përcaktohet si strategji kombëtare

Në planin e 14-të 5-vjeçar të Kinës është përcaktuar qartë: zhvillimi i Kinës do të bazohet te qarkullimi i brendshëm, duke u nxitur nga tregu i fuqishëm vendas dhe kthimi në një fuqi tregtare.

Krahas kësaj, edhe në raportin e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës është theksuar formimi i gjendjes së re me hapje të gjithanshme: zgjerimi i tregtisë ndërkombëtare, krijimi i modelit të ri tregtar e kthimi i Kinës në një vend të fuqishëm tregtar.

Që në vitin 2014, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping përcaktoi drejtimin e kthimit të Kinës në fuqi tregtare, duke u shprehur që “duhet të përshpejtohet kalimi nga një vend i madh në një vend të fuqishëm tregtar, duhet të konsolidohen epërsitë tradicionale dhe të eksplorohen epërsitë e reja, duhet të zgjerohet hapësira e tregtisë së jashtme dhe të shtohet aktivisht niveli i importeve”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Përse synohet kthimi në një fuqi tregtare

Në vitin 2017, Ministria e Tregtisë e Kinës paraqiti programin për shndërrimin e Kinës në një fuqi tregtare, duke përcaktuar objektivin që brenda vitit 2035, Kina të bëhet në përgjithësi një vend i fuqishëm tregtar dhe para fundit të 2050-s, të shndërrohet në mënyrë të gjithanshme në një fuqi tregtare.

Një vend i fuqishëm tregtar duhet të ketë forcë më të madhe konkurruese në tregti, cilësi më të mirë të produkteve dhe më shumë të drejta mbi caktimin e çmimeve të produkteve në tregun ndërkombëtar dhe në hartimin e rregullave tregtare, si edhe mbizotërim në drejtim të aktiviteteve tregtare në tregun ndërkombëtar.

Një vend i fuqishëm tregtar së pari duhet të ketë përmasa mjaft të mëdha të tregtisë. Pas Reformës e Hapjes, veçanërisht pas hyrjes në OBT, Kina ka pasur zhvillim të vrullshëm në tregtinë e jashtme, duke e zgjeruar shpejt vëllimin e saj tregtar. Në vitin 2013, Kina e kaloi ShBA-në, duke u bërë vendi më i madh i tregtisë së mallrave në botë. Në vitin 2020, vlera e tregtisë së shërbimeve të Kinës arriti në 4564.27 miliardë juanë, duke u renditur në vendin e dytë të botës për shtatë vjet me radhë. Vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave shënoi vlerën 32 trilionë juanë, duke zënë afro 15 % të vëllimit të përgjithshëm botëror të eksporteve dhe duke u renditur në vendin e parë në botë.

Shndërrimi në një fuqi tregtare është zgjerimi i natyrshëm i një vendi të madh tregtar. Kina pa dyshim ka përmasa të mjaftueshme të tregtisë, por natyrisht ka nevojë për nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik me cilësi, efektivitet, gjallëri dhe produktivitet.

Në tregun ndërkombëtar, mosmarrëveshjet tregtare dhe rastet e shpeshta të proteksionizmit tregtar kanë shtuar paqartësitë. Ndërkohë, edhe shpërthimi i pandemisë ka shpejtuar ristrukturimin e zinxhirit global industrial e të furnizimit dhe prirja e tregtisë globale po shkon drejt rajonalizimit dhe diversifikimit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Si mund të bëhet një vend fuqi tregtare

Për të krijuar një vend të fuqishëm tregtar, duhet të ngrihet niveli i risive dhe të përmirësohet mjedisi i tregtisë. Tani, me mbështetjen e politikave dhe pas disa raundesh prove, në Kinë janë krijuar 21 zona të tregtisë së lirë, duke pasur rezultate të frytshme në risitë institucionale.

Drejtori i Drejtorisë së Zonave dhe Porteve të Tregtisë së Lirë në Ministrinë e Tregtisë të Kinës, Tang Wenhong, thotë që gjatë gjashtë vjetëve pas nisjes së krijimit të zonave të tregtisë së lirë, janë kopjuar dhe promovuar mbi 260 arritje në risitë institucionale, 76 prej të cilave janë realizuar në lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve.

P. sh., në Zonën Pilot të Tregtisë së Lirë të Shangait, koha e deklarimit të mallrave është shkurtuar nga 24 orë në gjysmë ore dhe e deklarimit të anijeve të mallrave nga dy ditë në dy orë. Më përpara, procedurat dhe dokumentet lidhur me tregtinë duhej të regjistroheshin dhe të shqyrtoheshin duke kaluar nga një departament në tjetrin, ndërsa tani i tërë procesi mund të kryhet njëherësh.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tashmë Kina ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me 19 vende dhe numri i partnerëve të tregtisë së lirë të Kinës ka arritur në 26. Në nëntor 2020, 15 vende, duke përfshirë Kinën, nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), çka solli lindjen e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë.

Në shtator 2021, ministri i Tregtisë i Kinës i paraqiti homologut të vet të Zelandës së Re aplikimin me shkrim, duke kërkuar zyrtarisht hyrjen e Kinës në Marrëveshjen e Gjithanshme dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP).

Nga “Kina është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë me standard të lartë dhe të nxitë nënshkrimin sa më të shpejtë të RCEP-it” te “Kina do të shqyrtojë aktivisht anëtarësimin në CPTPP”, fjalët e kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping në shumë veprimtari ndërkombëtare kanë lëshuar sinjalin e fortë që Kina po përpiqet për hapjen me nivel më të lartë e synon përfitime të ndërsjella me më shumë partnerë tregtarë. (Jiang Lei)