Banka Botërore në raportin periodik Rajonal “Manovrim përmes krizash” të botuar së fundmi paraqet situatën e varfërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Revista “Monitor” në një shkrim të saj, referuar këtij raporti nënvizon se “Rreth 408 mijë persona nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dolën nga varfëria në vitin 2021 për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë ekonomik, por sërish Shqipëria vijon të ketë përqindjen më të madhe të popullsisë në varfri në raport me 5 vendet e tjera”.

Varfëria në Ballkanin Perëndimor (Revista Monitor)

Varfëria në Ballkanin Perëndimor (Revista Monitor)

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore në raportin periodik Rajonal “Manovrim përmes krizash”, cituar nga “Monitor”, 65 për qind e personave që dolën nga varfëria, rreth 263 mijë ishin nga Shqipëria. Duke qenë se vendi ynë ka numrin më të madh të popullsisë në varfri në Rajon shënon edhe uljen më të madhe të fenomenit në raport me shtetet e tjera.

Duke përllogaritur përqindjen e popullsisë në varfri (numri i personave që jeton me 5.5 USD në ditë, kufiri i varfërisë relative sipas përkufizimit të BB) me popullsinë e përgjithshme zyrtare, Shqipëria në vitin 2021 kishte mbi 622 mijë persona në varfri, nga më shumë se 885 mijë që ishin gjatë pandemisë me 2020, thekson më tej shkrimi.

Banka vlerëson se varfëria relative në Shqipëri në përqindje të popullsisë është më e ulët se viti parapandemik 2019. Sipas projeksioneve të BB Shqipëria do të shënojë uljen më të madhe të numrit te të varfërve në vitet në vijim duke u bërë e krahasueshme me vendet e Rajonit, por gjithsesi treguesi do të jetë sërish më i lartë.

Varfëria u rrit gjatë pandemisë (Gazeta shqip)

Varfëria u rrit gjatë pandemisë (Gazeta shqip)

Në vitin 2023 Banka parashikon që treguesi i varfërisë relative në Shqipëri të arrijë në 16.9 për qind, me një ulje 2.5 pikë përqindje nga niveli i pritshëm i këtij viti (shiko tabelën bashkëngjitur) në Kosovë 15.8%, Maqedoni 15.9%, Malin e Zi 14.8% dhe nivelin më të ulët do ta ketë Serbia me 9.3%, sipas “Monitor”.

Në realitetin që ketojmë ekziston një lidhje midis gjendjes financiare të familjes së prindërve dhe rrezikut të varfërisë te të rinjtë e sotëm. Në të dhënat e publikuara nga Eurostat, mbi transmetimin ndër breza të disavantazheve nga moduli i Statistikave të BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës, matet treguesi i cili vlerëson se një fëmijë që është rritur i varfër, ka më shumë prirje të jetë i varfër edhe kur të arrijë në një moshë madhore. Anketa mat shkallën e rrezikuar nga varfëria për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) sipas nivelit të situatës financiare të familjeve të tyre kur i anketuari ishte rreth 14 vjeç.

Për vitin 2019, në Bashkimin Evropian shkalla e rrezikut nga varfëria ishte 23%, ku u vlerësuan njerëzit me situatën më të keqe financiare në familjen e tyre në moshën 14-vjeçare. Edhe pse përgjithësisht renditet ndër vendet më të varfra në Evropë, Shqipëria duket të jetë më pak e rrezikuar nga varfëria e transmetuar ndër breza, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon, sipas të dhënave nga Eurostat.

Niveli i varfërisë (Google) - Kopjo

Niveli i varfërisë (Google) - Kopjo

Nëse u referohemi këtyre të dhënave, shkalla e rrezikut të varfërisë për të rriturit aktualë me një situatë të keqe financiare në familjet në Shqipëri ishte 25% në vitin 2019, më e ulëta në rajon dhe afër mesatares së Bashkimit Evropian prej 23%. Megjithë arritjet e shënuara, Shqipëria vazhdon të ketë një ekonomi relativisht të brishtë, krahasuar me disa vende të tjera të rajonit dhe të botës së zhvilluar. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria, duke iu referuar tranzicionit nga sistemi totalitar drejt sistemit demokratik dhe ekonomisë së tregut, mund të përcaktohet si rasti i kalimit nga “barazia në varfëri, në pabarazinë në pasuri”.

Pabarazia ekonomike dhe sociale ka ardhur duke u thelluar, duke bërë që shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare t’i drejtohen skemave të mbrojtjes shoqërore. Shoqëria shqiptare postkomuniste vazhdon të përjetojë në thelb egoizmin e shfrenuar të kapitalit të ri, i cili me çdo kush dhe mjet kërkon pasurimin e shpejtë. Shteti është aktori kryesor financues dhe institucional për përballimin e këtyre pasojave sociale, të cilat janë në proces ndryshimi përsa i përket tipologjisë, gravitetit dhe shtrirjes së tyre.