Thuajse në çdo vend të botës kemi dëgjuar për shqiptarë, të cilët janë sipërmarrës dhe kanë krijuar bizneset e tyre. Vështirësitë kanë qenë prezente për secilin dhe në fillesat e tyre kanë hasur pengesa, por sot na tregojnë sesi ja kanë dalë dhe cili ka qenë çelësi i suksesit.

Sokol Ahmetaj (Me bashkëshorten e tij)

Sokol Ahmetaj (Me bashkëshorten e tij)

Sokol Ahmetaj i lindur dhe rritur në Tiranë, por emigrant në Gjermani, duke nisur punën si punëtor i thjeshtë në një furrë buke, arriti që bashkë me bashkëshorten e tij të krijonin firmën e tyre “Autokomo”. Për Radio Ejani ai rrëfen të gjithë rrugëtimin e tij në biznes.
"Unë jam Sokol Ahmetaj, lindur dhe rritur në Tiranë. Pasi kreva Shkollën e mesme Mekanike u punësva në Ministrinë e Ndërtimit. Në sistemin e asaj kohe ishte e vështirë të realizoje atë që ëndërroje, prandaj unë e pashë si zgjidhje të ikja nga Shqipëria për t’u bërë i pavarur dhe për të realizuar objektivat e mia. Është e qartë, si një djalë i ri dhe pa përvojë, mendova se do të ishte e lehtë, por realiteti më përballi me diçka tjetër. Vështirësi pafund, gjuha gjermane, banimi, mosnjohja e ligjeve, dokumentacioni, të gjitha këto ishin pengesë për mbarëvajtjen dhe realizimin e objektivave të mia. Natyrisht në fillimet e mia kam bërë punë që nuk i kisha parashikuar ndonjëherë. Një ndër to ka qenë një furrë buke italiane, ku punoja shumë por paguhesha pak. Kjo më detyroi të bëhesha kreativ, duke parë që shqiptarët kishin nevojë për makina gjermane dhe unë i apasionuar pas tyre, e ktheva hobin në profesion. Themelova firmën “Autokomo”, që është bashkim i emrave tanë, Koli dhe Moza. Thuhet aq bukur se pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme. Firma “Autokomo” ekziston prej 20 vitesh dhe ne operojmë në gjithë botën. Nuk ka qenë aspak e lehtë të ekzistosh si biznesmen ne një vend të huaj, por falë këmbënguljes dhe punës së palodhur arrita majat, suksesin dhe vazhdoj t’i shijoj ato." , tregon Sokol Ahmetaj.

Leonard Kuqja, një i ri shqiptar me ambicien për të punuar dhe për të ndërtuar jetesën jashtë vendit, nuk e kishte menduar asnjëherë që do të mund të krijonte diçka të tijën në dhe’ të huaj. Drejtimi i një biznesi ka qenë një prej ëndrrave të tij që prej fëmijërisë, ku nisi me shitjen e akulloreve me një termus të thjesht në vendin ku jetonte në Shqipëri, në qytezën e Belshit. Pas migrimit në Greqi, bashkë me familje ku punoi në një baxho qumështi dhe provoi të punonte me talentin e tij këngën, rrugëtimi do të ishte më i gjatë sesa kaq. Pas disa viteve në Greqi, Leonardi vendosi të udhëtonte drej Gjermanisë, ku sot punon bashkë me të vëllanë në restorantin e tij.

"Unë jam Leonard Kuqja. Bashkë me vëllain tim erdhëm në Gjermani para shumë vitesh për të punuar. U bëmë pjesë e kuzhinës gjermane, duke u bërë më pas shefa kuzhine. Pasi punuam në disa prej restoranteve gjermane vendosëm që të kishim restorantin tonë gjerman në zonën e Baden Württemberg. Gjatë rrugëtimit tonë kemi hasur vështirësi, por edhe sukses gjithashtu. Në restorantin që kemi hapur kemi klientë gjermanë, të cilët vijnë na vizitojnë çdo ditë, për kuzhinën greke që kemi bërë, sepse restoranti ynë ka më shumë se 95% ushqime greke. Në të ardhmen kam vendosur hapjen e një tjetër lokali për të zgjeruar më shumë punën këtu në Gjermani. Puna jashtë vendit është e vështirë, por dhe sfiduese për të arritur ato që dëshirojmë për veten dhe fëmijët tanë", thotë Leonard Kuqja.

Adriatik Ago duke punuar

Adriatik Ago duke punuar

Në kontinentin evropian, Greqia, Italia, Zvicra, Gjermania, por edhe Belgjika e Mbretëria e Bashkuar konsiderohen vendet me përqendrimet më të mëdha të shqiptarëve sot. Gjatë viteve të fundit, numri i shqiptarëve në Itali ka shënuar rritje të vazhdueshme. Duke filluar nga vitet nëntëdhjetë, me eksodet drejt brigjeve italiane, e deri më sot shqiptarët e kanë shtuar gradualisht praninë e tyre. Një prej emigrantëve të parë është edhe Adriatik Ago, i cili jeton në Itali prej 20 vitesh. Pas një rrugëtimi të gjatë dhe sfidues, sot ai ka hapur picerinë e tij.



"Jam Adriatik Ago nga Berati. Jetoj në Itali prej 20 vitesh. Në fillim kam bërë shumë punë të ndryshme më pëlqente kuzhina, piceria dhe pastaj mësova zanatin dhe në 2014 hapa picerinë time. Nga ana ekonomike nga burokracia në Itali është shumë problem, duhet të jesh i përgatitur, të njihesh, të punosh mirë, të krijosh klientelë dhe në qoftë se arrin këto qëllime ke shumë sadisfaksione dhe sakrifica. Për të ardhmen kam blerë gjithashtu një dyqan tjetër, një investim i rëndësishëm për të mos qenë i varur nga të tjerët", tregon Adriatik Ago.

Ravajol Hasani (foto personale)

Ravajol Hasani (foto personale)

Aktualisht, shqiptarët janë të pranishëm në rreth 50 shtete në të gjitha kontinentet. Përtej Atlantikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë pritur numrin më të madh të shqiptarëve. Ravajol Hasani, ambasadori i kulinarisë shqiptare në botë, nuk u ndal, por punoi më fort duke qenë pjesë e projekteve dhe u vlerësua me çmime të ndryshme botërore në fushën e gastronomisë.

"Jam Ravajol Hasani. Për vitin 2022 jam renditur si një ndër 150 shefat më të mirë botërorë nga Franca dhe mbaj mbi 10 çmime ndërkombëtare në fushën e kulinarisë botërore. Kompania ime operon në të gjithë botën dhe merret me konsulencën në fushën e kulinarisë si dhe mbështet hotele dhe restorante në të gjithë botën. Mundohem të zhvilloj disa projekte botërore në fushën e kulinarisë dhe të mbështes sa më shumë biznese. Tani ndodhem në një projekt të mirë në SHBA për të krijuar një identitet gastronomik evropian. Rrugëtimi ka qenë i vështirë dhe nisi para 20 vitesh, por u mundova që mos i ndërpres ëndrrat që kisha në fushën e gastronomisë. Kështu fillova si çdo i ri që ka ëndrra si pastrues dhe pastaj u mësova nga shefat më të mirë dhe arrita ëndrrat dhe qëllimet e mia. Fillova studimet dhe më pas u mundova të merrja eksperiencën nga më të mirët dhe dalëngadalë ndërtoja identitetit tim në fushën e gastronomisë europiane, por edhe botërore", rrëfeu Ravajol Hasani.



Enrik Frroku (Në biznesin e tij)

Enrik Frroku (Në biznesin e tij)

Erik Frroku është një tjetër rast suksesi i cili jeton në Itali prej 23 vitesh. Ai ka krijuar biznesin e tij dhe na rrëfen për përfitimet që ka marrë kundrejt lodhjes dhe mundit të viteve.

"Me ardhjen në Itali në fund të viteve 90-të gjeta punë në një firmë italiane që merrej me trajtimin e metaleve, ose më saktë me veshjen e aksesorëve të ndryshëm në argjend bakër, bronx, nikel etj dhe ngjyrosjen e tyre, duke u dhënë një efekt vintage këtyre aksesorëve. Me shumë punë pas ca viteve arrita të bëhesha përgjegjës i kësaj firme, deri sa një ditë vendosa që eksperiencën dhe përvojën që kisha përfituar gjatë viteve t’i vija në dispozicion të vetvetes. Kështu që në 2013 krijova biznesin tim gjithmonë në të njëjtin profil. Fillimet nuk ishin aspak të lehta përkundrazi, por me shumë vendosmëri, seriozitet, saktësi dhe pasion e zhvillojmë biznesin dhe vazhdojmë të mbijetojmë. Them të mbijetojmë, pasi në një botë konkuruse, siç është ajo e modës dhe vështirësive të ndryshme sidomos në këto vite pandemie, nuk është aspak e lehtë të mbash një biznes.
Në vështirësi dhe mundime kemi gjetur kënaqësi nga puna jonë cilësore. Duke ju uruar gjithçka të mirë jeni të mirpritur nëse doni të vizitoni Firencen”, përfundon historia e shqiptarit Erik Frroku.

.