Tashmë Diaspora Shqiptare po del me një projekt konkret. “Fluturoj me Shqipen” është prezantuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës dhe ka si synim mbështetjen për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME).

Elisabeta Katiaj, nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës, në një intervistë për mediat tha se nisma synon lidhë shqiptarët dhe biznesin shqiptar ku do që ndodhet në botë.

“Fluturoj me Shqipen” është një projekt që insiston në një investim ndërkombëtar për shërbime ndërkombëtare, që përmbush bashkimin dhe partneritetin e gjithë operatorëve që ekzistojnë në këtë fushë dhe jo konkurrencë, por partneritet dhe bashkëpunim në fushën e tregtisë online, që plotëson shërbimet e tregtisë online jo vetëm në aspektin e teknologjisë, por edhe logjistikës. Është një magazinë fizike doganore, e cila do të grumbullojë, do të shesë, do të blejë dhe menaxhimi i stafit do të ofrojë edhe shërbimet mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që nga pikënisja te marketimi i produkteve “Made in Albania”, në Kosovë, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët në Diasporë, duke kategorizuar produktet në bazë dhe të sektorit”- tha nën kryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasproës Elisabeta Katiaj .

Në fazën e pare është parashikuar të fillojë me ndërtimin e një biznes- plani më të detajuar, ku më tej mund të vazhdohet me pjesën e ngritjes se fondeve dhe donacioneve. Por si do të funksionojë kjo kompani “Teknologjike dhe Logjistike”?

“Sipërmarrësi regjistron profilin e vet në këtë platformë dhe ofron produktin e vet në bazë të specifikave të platformës, por deri më sot tregtia online në Shqipëri është e zhvilluar në tregun vendas. Domethënë ka një shkëmbim të ndjeshëm me Kosovën dhe vendet e Ballkanit, por në nivel ndërkombëtar është akoma në nevojë dhe patjetër që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë në fokus, nuk e kanë kapacitetin financiar për të krijuar këtë lloj vlere të shtuar ekonomisë së tyre.Ku ka biznes dhe ku ka sipërmarrje nuk ka falas, por patjetër që me mekanizmat që do të ndërthuret janë situata win-win, pra të gjitha palët do të dalin fitues dhe të gjithë do të bashkëpunojnë dhe do të bashkëinvestojnë për një transferim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në një biznes të mirëfilltë. Pra, ky është qëllimi. Qëllimi është patjetër që të zhvillohemi të gjithë së bashku, shqiptarët për shqiptarët, por edhe të angazhojmë në këtë lloj iniciative diasporën si konsumator, diasporën si investitor.”- tha Katiaj

Plani parashikon zhvillimin e aplikacioneve mobile dhe paralelisht zgjidhjen teknologjike për logjistiken.

“Ka ideatorë të shumtë, por ne jemi një nismë e cila do ta çojë deri në fund këtë lloj ideje dhe jemi sipërmarrës të gjithë të angazhuar në këtë lloj koncepti, që patjetër do të jemi dhe investiture. Besojmë te kjo iniciativë dhe në këtë kuadër patjetër që të gjitha palët që ekzistojnë aktualisht në treg në këtë lloj funksioni do të gjejnë mbështetje për të plotësuar nevojat dhe mangësitë e tyre. Kur themi një kompani teknologjike dhe logjistikë, themi një kompani e cila ofron edhe tregun ndërkombëtar, jo vetëm atë kombëtar apo të kufizuar dhe limituar në Ballkan e më gjerë, ofrojmë një mundësi e cila ofron një treg shumë më të madh, me fokus te Diaspora. Shërben si një lancim te një konsumator që edhe kundrejt emocionit dhe ndjenjës së patriotizmit ka një dëshirë për ta prekur një produkt, për ta zotuar një produkt shqiptar”. –shprehet nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës

Në çfarë faze ndodhet sot ky projekt?

“Ne jemi në fazën e konkludimit të biznes-planit dhe menjëherë do të lancohet thirrja për investitorë dhe menjëherë pastaj do të kemi investitorë të cilën derdhin kapitalin dhe përmbushja e vlerës së kapitalit në një llogari kapitale të ngrirë, do të startojë menjëherë investimin. Kemi vendosur që në vitin 2023 kjo do të jetë një iniciativë që duhet të fillojë me fazën e parë të regjistrimit të kompanisë dhe pjesës së zhvillimit të software.”, sqaron ajo.

Për këtë projekt, që synon zhvillimin e biznesve të vogla dhe të mesme kanë dhënë kontribut ekspertë të shquar në fushën e IT.

“Aktualisht është prioritet i Dhomës ky lloj projekti dhe është krijuar një grup pune ku theksova dhe falenderova Meçaj, i cili është sot në stafin e JP Morgan në Angli, në Londër dhe punon në sistemin e zhvillimit të software-ve të këtij sektori. Është një profesor i Fakultetit Anatevka, janë vetë anëtarët e kryesisë që janë sipërmarrës në Kanada, në Belgjikë, në Hollandë, në Amerikë, Gjermani e kështu me rradhë. Pra, janë të ndërthurur, me nivel akademik, me nivelin e sipërmarrjes dhe me nivelin e teknikës siç e përmenda. Të gjithë këto janë pjesë e grupit të punës dhe do të jenë edhe promotorë të thirrjes dhe afrimit të investitorëve në këtë lloj iniciative, ku fokusi është pjesëmarrja sa më e lartë, pavarësisht se ne kemi vendosur një limit 50%. Fokusi është në një pjesëmarrje sa më të lartë të shqiptarëve të Diasporës në investitorë dhe duke qenë se kemi vendosur dhe një limit mbi aksione për individë për të mos pasur asnjë nga pjesëmarrësit mazhorancën, aty është mundësi që të kemi një grup prej mbi 50 aksionerësh.”- përfundon Katiaj.