Zhvillimi i mëtejshëm i turizmit rural në Shqipëri dhe një strategji 10 vjeçare ka qenë në fokus të diskutimeve në Ministrinë e Bujqësisë. Bashkë me analizën e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë me asistencën e GIZ në Shqipëri janë takuar politikbërësit, shoqata e agroturizmit dhe sipërmarrjet agroturistike për të bërë një analizë të sektorit dhe për të gjetur zgjidhjet, me qëllim rritjen e aktivitetit ekonomik në zonat rurale ku këto njësi operojnë.

Takimi për turizmni rural Ministrja Krifca (Skan Tv)

Takimi për turizmni rural Ministrja Krifca (Skan Tv)

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka inkurajuar sipërmarrjet që të punojnë më ngushtë me politikbërësit për të ndërtuar ligje dhe politika që adresojnë shfrytëzimin e potencialit të jashtëzakonshëm të këtij sektori në Shqipëri, i cili ka mundësi të rritet edhe më tëj në shumë zona të tjera. Ministrja Krifca shtoi se në aspektin e bazës ligjore rregullative janë bërë shumë hapa përpara që nëse integrohen në mënyrën e duhur dhe me strategjinë 10- vjeçare, krijojnë shinat për të ecur më shpejt, në mënyrë që të konsolidohet ky sektor.

“Ajo çka ne i kemi kërkuar dhe GIZ, është që duam të ndërtojmë një strategji 10- vjeçare të zhvillimit të sektorit të agroturizmit, e për këtë na duhet që ta pasojmë punën e nisur, për të parë ku është sektori sot me një plan afatgjatë zhvillimi dhe do të fillojmë shpresoj shumë shpejt nga puna për këtë gjë.Nga ana tjetër kemi marrë disa hapa të tjerë, që i kam përshëndetur nga larg dhe nga afër. Ju keni krijuar shoqatën tuaj të agroturizmit. Më vjen mirë se kjo përkon me modelin që ne duam për organizimin e bujqësisë. Unë e shoh bujqësinë dhe agroturizmin të pandarë. Nëse shohim të dy sektorët edhe bujqësinë, me ndikimin që ka në PBB, Në GDP, kemi thënë rreth 20 %, punëson rreth 41% të popullatës. Turizmi ka 8.5 % të PBB dhe një vlerë të konsiderueshme të punësimit direkt dhe indirekt. Në sintezë të dyja bashkë japin agroturizmin, ai bart nga pas zinxhir të vlerave ekonomike dhe kulturore, të kulinarisë, traditës, që janë të lidhura dhe me detyrat që kemi të bëjmë”-tha Krifca

Gjatë viteve të fundit strukturat e agroturizmit janë kthyer në zhvillim të rëndësishëm ekonomik për zonat ku operojnë, duke ofruar jo vetëm shërbim cilësor për vizitorët dhe turistët e huaj e vendas, por mbi të gjitha duke rigjallëruar dhe vlerësuar produktet e fermerëve të zonave rurale ku po bëhët një ndërthurje mes kulinarisë, traditës dhe kulturës.

“Ne kemi kaluar ligjin e skemave të cilësisë, që ka të bëjë me produktet e origjinës, që duam ta promovojmë shumë fort. Pra, në aspektin e bazës ligjore rregullative kemi bërë shumë hapa përpara që nëse integrohen në mënyrën e duhur dhe me strategjinë 10- vjeçare, që duam të ndërtojmë na krijojnë shinat që ju të ecni shumë shpejt, në mënyrë që ta konsolidojmë këtë sektor. ”-u shpreh Ministrja.

Ministrja e Bujqësisë Krifca në takim (Foto GIZ)

Ministrja e Bujqësisë Krifca në takim (Foto GIZ)

Krifca dha edhe shifra për ecurinë e Prgramit IPARD, ku ka patur aplikime të shumta


“Në mes të janarit ne hapëm thirrjen e 4 të programit IPARD, të dedikuar për diversifikimin e fermës, masën 7. Sektori i bujqësisë është i vetmi që përfiton në mënyrë të drejtpërdrejtë, të decentralizuar nga Bashkimi Evropian, nga taksat e takspaguesve evropianë fonde për bujqësinë dhe diversifikimin e fermave ku përfshihet agroturizmi apo turizmi rural dhe shumë nga ju këtu janë shembuj të ndikimit të këtij financimi. Kemi pasur 132 aplikime në thirrjen e 4 me një kërkesë prej 24 mln euro. Rreth 50 % e tyre janë kërkesë për rikonstruksion e aktiviteteve ekzistuese, që mund të jetë një shtëpi e vjetër, një restorant që ka nevojë të shndërrohet në një agroturizëm. Pjesa tjetër janë aktivitete të reja. Pra, 12 mln euro kërkesë është potencial, që subjekte si ju të marrin mbështetje që të futen në këtë sektor. Për mua këto shifra janë indikacion shumë i rëndësishëm i potencialit ende të paçliruar, por edhe i dëshirës dhe motivimit, që sot ekziston në Shqipëri për ta përqafuar këtë sector. Këto sigurisht që janë para grant, pra i jepen, ofrohen, por kërkohet që të ketë një bashkëfinancim nga vetë subjekti. Subjektet kërkojnë një aksesë në financim, të cilin ne po përpiqemi ta çlirojmë, ta motivojmë nëpërmjet fondeve të garancisë së vëna në dispozicion, këto kërkojnë një vullnet individual mjaft të madh”, theksoi ministrja e Bujqësisë.

Turizmi rural (foto Giz)

Turizmi rural (foto Giz)

Përfaqësues të qeverisë thonë se kanë bërë shumë në drejtim të agroturizmit dhe do të vijojnë më tej me lehtësira.

“Ne na duhet të ndjekim këtë dëshirë që ju keni me politikat e duhura. Fiskalisht sot jemi përgjigjur me politikat e duhura, pasi jeni vetëm me 6 % tvsh, jeni përjashtaur nga taksa e infrastrukturës. Pra, ka disa elemente që kanë mundësuar këtë çlirim potenciali. A ka mundësi për të bërë më shumë? Patjetër dhe për këtë na duhet një vizion i qartë, largpamës për të çliruar potencialin e plotë të këtij sektori”

Ndërkohë, Drejtori i programit Srd të GIZ, Mattia Wegmann tha se “Është një ditë e rëndësishme pasi është hera e parë që ulemi përballë njëri-tjetrit, por janë diskutime që do të vazhdojnë gjatë për zhvillimin e këtij sektori. Agroturizmi është një treg në zhvillim. Është e rëndësishme për ne të bëjmë sa më funksional ndikimin që do të ketë agroturizmi në popullsinë rurale dhe zhvillimin ekonomik që do të sjellë për të gjithë vendin”.