Xu Xianlin, kultivues i bimës ujore Brasenia, një specie që i përket familjes “Cabombaceae”, thotë me krenari se mund të gatuajë pjata të ndryshme me perime të rritura në ujë për të kënaqur numrin në rritje të turistëve, qëkur iu bashkua industrisë në lulëzim të turizmit rural.

Xu (Shy) është banor i fshatit Balong, në rajonin autonom Shizhu Tujia, në Chongqing të Kinës jugperëndimore. Më shumë se 360 familje në fshat kultivojnë këtë bimë mjekësore dhe ushqimore, që shquhet për vlerat e larta ushqyese. Pas tre dekadash zhvillimi, rajoni tani është bërë një zonë kryesore prodhuese e kësaj bime, me një sipërfaqe totale mbjelljeje prej mbi 900 hektarësh. Më shumë se 10.000 tonë Brasenia nga rajoni Shizhu eksportohen çdo vit në Japoni dhe Republikën e Koresë.

Përveç mbjelljes së saj, fshatarët në Balong kanë filluar të merren me turizmin rural. Ata organizojnë pritje nëpër familje dhe aktivitete për mbledhjen e kësaj bime, për të tërhequr turistët. “Pavarësisht pandemisë, unë arrita të fitova gati 300.000 juanë (rreth 46,900 dollarë amerikanë) vitin e kaluar”, -tha Xu.

I pozicionuar thellë në male, Shizhu dikur ishte një vend i goditur nga varfëria. Megjithatë, rajoni i vogël ka pësuar ndryshime të mëdha për shkak të zhvillimit të industrive bujqësore. Meqenëse vendasit e duan ushqimin pikant, fermerët në Shizhu kanë mbjellë speca djegës për qindra vjet.

Rajoni aktualisht ka më shumë se 30.000 familje që kultivuan mbi 6666 hektarë speca djegës dhe prodhimi i industrisë së tij në këtë zonë ka arritur në 700 milionë juanë.

Për të kultivuar specin djegës me cilësi më të mirë, instituti i specit djegës të rajonit ngriti një ekip kërkimor shkencor dhe kaloi pesë vjet duke krijuar një varietet më të mirë speci djegës. "Produktet me cilësi më të mirë mund të tërheqin më shumë klientë me çmime më të larta. Prandaj, fermerët janë të gatshëm të rritin varietetin e ri dhe kjo do të ndihmojë gjithashtu në rritjen e të ardhurave të tyre", -tha Tan Yangguo, drejtuesi i ekipit.

Duke u mbështetur në mjedisin e mirë dhe bimësinë e harlisur alpine, qyteti Huangshui në Shizhu është bërë një zonë e rëndësishme e prodhimit të bimës së koptis, një barishte tradicionale kineze. Rajoni ka ndërtuar një zinxhir të tërë industrial që mbulon gjithçka, nga kërkimi dhe zhvillimi i teknologjisë së mbjelljes deri te përpunimi i thellë i bimës.

Rreth 10.000 familje janë angazhuar për të kultivuar këtë bimë, duke fituar secila nga mbi 30.000 juanë në vit. Rajoni ndërtoi gjithashtu një treg në shkallë të gjerë të tregtimit të rrënjëve koptis dhe vëllimi vjetor i tregtimit të kësaj bime përbën rreth 90 për qind të vëllimit të vendit.

Një numër në rritje i banorëve ruralë në këtë rajon kanë filluar të mbjellin edhe bimë të tjera tradicionale kineze, duke plotësuar më tej të ardhurat e tyre. "Ne përfitojmë nga mjedisi ekologjik dhe gjithashtu i kushtojmë rëndësi prodhimit dhe tregut. Përmirësimi i vazhdueshëm i industrisë së specit djegës, rrënjës koptis dhe bimës ujore Brasenia në Shizhu, si dhe zinxhirëve të përmirësuar, do t'i ndihmojë fshatarët të fitojmë më shumë dhe të kenë jetë më të mirë", -tha Zhang Hua, kreu i partisë i rajonit Shizhu.