Ka qenë një periudhë e mbarë për eksportet shqiptare në tre muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT) eksportet kanë shënuar një rritje të ndjeshme në periudhën janar -mars 2022, të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare të naftës dhe metaleve dhe nga përmirësimi i industrisë së tekstileve e këpucëve.

“Në total në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 120 mld lekë, duke u rritur me 49,6 %. Kontribut më pozitiv në këtë rritje kanë patur grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +18,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,4 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,4 pikë përqindje. Konkretisht në muajin e publikuar së fundmi, pra në mars, eksportet e mallrave arritën vlerën 48 mld lekë, duke u rritur me 50,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 28,0 %, në krahasim me shkurt 2022” thuhet në publikimin e INSTAT

Gjatë muajit mars 2022, në rritjen e eksporteve prej 50,4 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +20,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,7 pikë përqindje.

Si tremujor rritjen më të lartë e ka shënuar grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, që u zgjerua me 95.4%, në 30 miliardë lekë, të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Më pas me 77.4% apo në 26.5 miliardë lekë ishte rritja e eksporteve për “materiale ndërtimi e metale”. Edhe “tekstilet e këpucët” po shënojnë një ecuri të mirë në muajt e parë të këtij viti kryesisht si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët europiane dhe çmimeve më të larta. Eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 19% apo 32.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, sa i takon importeve, ato kapën vlerën e 207 mld lekë, duke u rritur me 27,9 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 87 mld lekë, duke u rritur me 6,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

“Gjatë muajit mars 2022, në rritjen e importeve prej 29,7 %, krahasuar me vitin e kaluar, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +14,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,2 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +4,2 pikë përqindje. Ndërsa grupi që ka ndikuar negativisht tek importet është: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,1 pikë përqindje”, sqarohet më tej në shifrat e publikuara.

Si tremujorë shifrat thonë se importet janë rritur me 27,9 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,3 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +4,3 pikë përqindje.

Si paraqitet ecuria e shkëmbimeve tregtare sipas vendeve?

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2021 janë: Italia (67,1 %), Kosova (25,2 %) dhe SHBA (9 herë). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Greqia (6,0 %) dhe Spanja (44,6 %). Nëse marrim në analizë si 3 mujor vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (54,5 %), Kosova (52,0 %) dhe Gjermania (123,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (66,8 %) dhe Turqia (19,7 %).

Përsa i përket importeve, në muajin mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe në krahasim me mars 2021 janë: Italia (0,8 %), Turqia (53,5 %) dhe Greqia (29,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (9,5 %), Kroaci (22,0 %) dhe Zvicër (19,0 %). Si tremujor vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (12,7 %), Turqia (52,7 %) dhe Kina (9,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (20,2 %) dhe Zvicra (29,4 %).

Shifrat tregojnë se shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,8 %, të gjithë tregtisë. Në mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,2 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,4 %), Turqia (9,0 %), Greqia (6,7 %) dhe Kina (6,5 %). Shkëmbimet tregtare, për tremujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 60,9 % të gjithë tregtisë. Në periudhën shkurt – mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,0 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,8 %), Turqia (8,3 %), Gjermania (7,0 %) dhe Greqia (6,6 %).