Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 22 urdhër-arreste, pasi ka zbuluar një skemë për tregtimin e mallrave kontrabandë, që shiten online. Bëhet fjalë për administratorët e 22 subjekteve që shesin mallra online. Por çfarë po ndodh me tregun e shitjeve online në Shqipëri dhe si funksionon ky aktivitet?

Rezart Lahi (Foto nga Kult Plus)

Rezart Lahi (Foto nga Kult Plus)

Rezart Lahi, anëtar i Bordit Drejtues në Shoqatën e Tregtisë Online, në një intervistë për mediat televizive thotë se është pro formalizimit të këtyre shërbimeve, por me rrugë të tjera. Në vendin tonë llogaritet të operojnë në total mbi 2500 biznese apo individë, që ushtrojne tregti online, të formalizuar dhe të pa formalizuar.

“Ne si grupim kemi mbledhur biznese formale dhe një prej qëllimeve edhe të shoqatës, por edhe ne si sipërmarrës, është formalizimi i këtij tregu, kështu që çdo hap që nxit formalizimin e këtij tregu dhe bërjen që këto biznese të ecin me rregulla të sakta sipas ligjit, është për t’u përshëndetur. Nga ana tjetër gjykojmë që është një teknikë dhe një qasje shumë agresive për të formalizuar bizneset. Ndoshta është një pjesë e sektorit më e paformalizuar në treg. Në të dhënat tonë të brendshme kemi të bëjmë me të paktën mbi 3500 individë, biznese që bëjnë transaksione financiare online në një treg rreth mbi 115 milionë euro afërsisht vjetore, ku një pjesë e madhe akoma nuk kanë hyrë te pjesa e formalizimit, e licencës, e dokumentacionit, por ne gjykojmë se qasja me arrestime është shumë agresive dhe nuk do të çojë gjëkundi. Ne mendojmë që gjithcka duhet të vijë në mënyrë graduale, së pari edukimi i këtyre bizneseve për t’i shpjeguar cilat janë procedurat, së dyti kjo është pjesa e fundit kuponi, është pjesa përfundimtare. Fillon disa procese përpara formalizimit që tek importi, tek dhënia e faturave nga shitësit me shumicë tek rishitësit, nga rishitësit tek faqet online. “ thotë Lahi

Blerja nëpërmjet internetit(wibestbroker.com)

Blerja nëpërmjet internetit(wibestbroker.com)

Vetë grupet e interesit shprehen se duan formalizimin në mënyrë që ky treg të funksionojë me rregulla të barabarta loje ku informalët të mos përfitojnë në kurriz të subjekteve formale. Ka shumë tregues që sipas ekspertëve japin sinjale për faqe online serioze.

“Në shumë biznese po t’i hyhet me imtësi dhe po të shikohet ka problematika, mënyra është si do t’i rregullosh jo si kanë mundur të shmangen. Është pak e vështirë për ta gjetur çdo biznes se si ka shkuar për t’u shmangur. Besoj e mirë e gjithë konsumatorëve, institucionet shtetërore por edhe ne si shoqatë për blerjet online, për ne ka rëndësi procesi se si do të rregullohet kjo gjë. Çdo person, çdo konsumator para se të blejë duhet të shikojë ka një website, pasi në vetvete Instagrami, Facebook-u nuk janë platforma blerje, mund të jenë platforma komunikimi dhe reklamimi, kanal komunikimi. Kur ka një faqe website që ka një Nipt, ka të shpjeguar rregullat që i përcakton ligji, të jep më terpër siguri. Që një biznes është angazhuar, ka investuar disa lekë, se website nuk bëhet falas, e mirëmban atë pra ka hedhur shumë produkte, ka disa të punësuar etj. “ – shprehet Lahi.

Ekspertët thonë se ligji shqiptar ka mangësi në shërbimet e tregtisë online. Edhe pse hapat në këtë treg po ecin me ritme të mëdha, duhen disa ndërhyrje në ligj për rregullime.

“Ka mangësi megjithatë, ne gjykojmë që gjithmonë ligji do të jetë pas zhvillimeve, se ndërkohë që do të hartohet një ligj dhe ka burokracitë e veta, zhvillimet teknologjike janë kaq të mëdha dhe të shpeshta, psh. sistemi i pagesave elektronike, sistemi i pagesave me QR code, ndërkohë që po bëhet ligji për kartat etj. po dalin elementë të tjerë të blerjes online”, shton ai

Tregtia online (SMC COMEX)

Tregtia online (SMC COMEX)

Informalët në treg tentojnë të përfitojnë më shumë, duke fshehur taksat.

“Është e njëjta gjë kur dikush tjetër tenton të marrë pjesë të tregut por nuk paguan asnjë taksë dhe ti detyrohesh të përfshish kostot e tua në çmimin tend. Ndërkohë një person tjetër që s’paguan asnjë taksë, s’ka asnjë person të siguruar etj. punon në të zezë, jep çmimet më të lira, deformon tregun, merr pjesë të tregut pa meritën e vet”, thekson Lahi.

Cilat janë detyrimet që rrjedhin për faqet online?

“Është i njëjti detyrim sicç ka çdo biznes tjetër në rrugë, madje nuk ka qiranë e ambientit, kur shet diçka dhe këtu nis që tek furnitorët. Ka një pjesë të madhe sepse shumë biznese online blejnë tek një furnitor ose e shesin online, ose pastaj blejnë tek furnitorët dhe ia çojnë konsumatorit. Problematika që shpesh hasin është që vetë furnitorët nuk japin fatura ose nuk japin faturat e sakta etj. Normalisht nuk ka asnjë problematikë, duhen përzgjedhur edhe ato furnitorë”, thotë Rezart Lahi, anëtar i Bordit Drejtues në Shoqatën e Tregtisë Online