Konfliktet e armatosura kanë përherë pasoja të rënda dhe të paparashikueshme, por konflikti Rusi-Ukrainë shpërtheu në një moment kur mbarë bota ende nuk e kish marrë veten nga vështirësitë e pandemisë, kështu që problematikat shumëfishohen. Përtej kostove të tragjedisë njerëzore që po vërehen në Ukrainë, ka edhe disa kosto të tjera që i kanë kaluar shumë herë kufijtë e këtij konflikti, ato ekonomike. Në vitin 2022 ekonomia globale është në rrezik të kurthit të madh të quajtur “stagflacion” - që do të thotë inflacion i lartë dhe rritje shumë e ngadaltë ekonomike.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shumë institucione financiare ndërkombëtare po ulin parashikimet për rritjen globale dhe po i rrisin ato për çmimet e konsumit, ndërsa çmimet e mallrave po rriten mes sanksioneve ndaj Rusisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) po paralajmëron për pasojat ekonomike “shumë të rënda” të këtij konflikti. Për më tepër, një raport i Forbes pretendon se investitorët profesionistë po bëhen gjithnjë e më të zymtë për të ardhmen. Në të gjithë botën, ekonomitë mund të rrënohen nga stagflacioni.

Sipas një studimi të ri nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), konflikti aktual do të ketë një efekt të rëndë në ekonomitë përtej zonës së afërt të konfliktit. Kjo situatë po shkakton shkatërrim ekonomik në të dy vendet dhe do të çojë në humbje të konsiderueshme ekonomike në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe në pjesën tjetër të botës. Ndikimi i konfliktit vërehet përmes kanaleve të shumta, tashmë dukshëm më të dobëta dhe më shumë të brishta në krahasim me pritshmëritë. Shumë ekonomistë në mbarë botën e përshkruajnë efektin e këtij konflikti në ekonomi si "goditja më e madhe e ofertës që të paktën nga fillimi i viteve 1970". Ata parashikojnë se rritja e kostos për mallra si ushqimi, nafta, gazi dhe metalet do të ketë një ndikim të thellë në ekonomitë e shteteve, veçanërisht në ato me të ardhura të ulëta.


Foto:VCG

Foto:VCG

Një efekt domino i një krize të pandalshme

Nëse bëjmë një shikim panoramik të gjithë situatës vihet re se Rusia dhe Ukraina, të dyja bashkë nuk përbëjnë as më shumë se 2% te ekonomisë globale, përkatësisht vlera e PBB-së së Ukrainës përfaqëson 0.14% të ekonomisë botërore dhe vlera e PBB-së së Rusisë përfaqëson 1.31% të ekonomisë botërore. Si ka mundësi që impakti është kaq i madh në mbarë Euroazinë, e jo vetëm? – Janë dy shkaqet kryesore. E para, Rusia dhe Ukraina furnizojnë një pjesë disproporcionalisht të lartë të botës me mallra si grurin, misrin, plehrat kimike, titanin dhe nikelin. Ukraina dhe Rusia konsiderohen edhe si “shporta e bukës në botë”, duke prodhuar rreth 30% të drithërave. Sipas projeksioneve ky konflikt, do të bëjë që në rastin më të mirë (nëse konflikti fashitet brenda majit 2022) PBB-ja e Ukrainës të bjerë me -20% dhe ajo e Rusisë me -10% dhe këto rënie do të ndikojnë direkt në furnizimin botëror me drithëra.

E dyta dhe me impaktuesja, sanksionet. Sanksionet e perëndimit kundrejt Rusisë po prekin tej mase, indirekt edhe vendet në zhvillim. Po krijojnë ndërprerje në zinxhirët e furnizimit dhe të rrisin çmimet e materialeve; sa më shumë sanksione aq më shumë inflacion, sa më shumë inflacion aq më shumë rritje të kostos së lëndës së parë, dhe nëse rriten çmimet e lëndëve të para, aq më shumë rritet inflacioni. Është një rreth vicioz dramatik që sjell vetëm shkatërrim ekonomik. Historia e dobët e sanksioneve në konflikte të mëparshme na tregon se sanksionet kanë impaktuar më shumë shtresën e varfër. Nuanca të tjera shtesë e bëjnë situatën në Ukrainë shumë më të ndërlikuar sesa dukej në fillim sepse ndërsa SHBA-të dhe Rusia nuk janë të varura nga njëra-tjetra, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për Evropën dhe Rusinë. Këto dy të fundit janë të lidhura në mënyrë efektive në ije, të paktën kur bëhet fjalë për energjinë. Një bllokadë totale ekonomike ka të ngjarë të dëmtojë Evropën po aq sa Rusinë. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, është pothuajse e pamundur që Evropa të heqë dorë nga energjia e Rusisë. Evropa merr rreth një të tretën e gazit të saj natyror nga Rusia. Gjatë vitit 2021 Evropa përjetoi një krizë energjetike me çmime në rritje. Papritur pasiguria energjetike u bë një rrezik real dhe i pranishëm deri në shpërthimin e këtij konflikti kur gjithçka u përmbys. Viti 2022 duhej të ishte viti kur BE-ja duhej të largohej nga problemet ekonomike të pandemisë dhe hapte një kapitull të ri rimëkëmbjeje dhe prosperiteti. Një muaj pas fillimit të konfliktit, të gjitha parashikimet dhe pritjet janë rishikuar me pesimizëm të lartë.

Problemet në Eurozonë

Sipas Bankës Botërore, inflacioni vjetor në Eurozonë është rritur në 7.5%, nga 5.9% në shkurt dhe është shumë më i lartë se sa kishin parashikuar shumica e analistëve. Vetëm çmimet e energjisë janë rritur me 44.7% në bazë vjetore, një rritje stratosferike krahasuar me normën prej 4.3% të regjistruar një vit më parë. Kompanitë në të gjithë botën tani po luftojnë me fatura jashtëzakonisht të larta që kërcënojnë të ndërpresin prodhimin dhe mbyllin fabrikat, ndërsa familjet shohin rënien e fuqisë së tyre blerëse me shpejtësi rekord. Megjithatë, energjia nuk është “dhimbja e vetme e kokës” që shqetëson konsumatorët: inflacioni pritet të nxitet nga një krizë e afërt ushqimore në shkallë globale. David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së shprehet se konflikti do të krijojë "një katastrofë në krye të një katastrofe" dhe mund të shkaktojë krizën më të keqe globale të ushqimit që nga Lufta e Dytë Botërore. Në Bruksel, zyrtarët e BE-së kanë kërkuar të sigurojnë qytetarët se furnizimet ushqimore janë të garantuara, por se nevojiten përgjigje afatmesme për të shmangur mungesat.

Të dhënat e inflacionit të muajit mars sugjerojnë një prirje rritëse: ushqimet, alkooli dhe duhani u rritën me 5% në bazë vjetore, nga 4.2% në shkurt. Ushqimi i papërpunuar u rrit me 7.8%, të ndikuar nga faktorët sezonalë dhe kostot më të larta për transportin dhe plehrat.

Së bashku, kriza ushqimore, kriza e energjisë, kolapsi i zinxhirëve të furnizimit dhe ndërprerja e përgjithshme tregtare e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, parashikojnë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme për ekonominë botërore, ku inflacioni i lartë nuk është më një dilemë e përkohshme, siç e kishin parashikuar shumë më parë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Po Shqipëria?

Në këtë konglomerat parashikimesh, Shqipëria listohet në anën e vendeve me skenarin më pesimist të mundshëm në projeksione afatshkurtra. Të gjitha familjet shqiptare, të cilat shpenzojnë mesatarisht 45% të shpenzimeve të tyre për ushqim tashmë, pothuajse çdo gjë ka qenë shumë më e shtrenjtë. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2002 duke e krijuar një realitet të ashpër për të gjithë në aspektin ekonomik. Për më tepër, po shtohen shqetësimet për një ngadalësim ekonomik të mprehtë, rritje të inflacionit dhe borxhit, si dhe një rritje të niveleve të varfërisë. Konflikti dhe sanksionet e vazhdueshme mund të shtyjnë më tej rritjen çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe mallrave, duke zvogëluar fuqinë blerëse dhe konsumin e familjeve.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) në mars 2022 arriti në 108.9 (kundrejt dhjetorit 2020 si periudhë referimi). Krahasuar me shkurtin 2022 ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2.4%. Norma vjetore e IÇK-së në Mars 2022 është 5.7%.

Ndryshimet vjetore të Indeksit të çmimeve të konsumit (%)

Krahasuar me muajin mars 2021, çmimet në Shqipëri u rritën më së shumti në transport me 19.9%, ndjekur nga ushqime dhe pije me 9.3%; Pije alkoolike dhe duhan me 4.9%; Hotele, kafene dhe restorante me 4.5%. Rritja vazhdon me “Banesa, ujë, energji elektrike dhe lëndë djegëse të tjera” me 2,3%, etj.

Rritja e ndjeshme e çmimeve pritet të përkeqësojë ndjeshëm situatën financiare të familjeve shqiptare. Shumica prej tyre shprehen si asnjëherë më parë se presin një përkeqësim të gjendjes financiare të të ardhurave të tyre edhe gjatë 12 muajve të ardhshëm. Rritja më shqetësuese dhe e ashpër e çmimeve është tek grupi i ushqimeve, i cili në thelb është më i rëndësishmi nga të gjithë. Nëse analizohen më thellë, situata zhvillohet si më poshtë: ‘vajrat dhe yndyrat’ u rritën me 22,4%; ‘bukë dhe drithëra’ me 15,8%, ‘perime’ u rritën me 10,5%; ‘qumësht, djathë dhe vezë’ me 10,3%, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira’ me 10,2% dhe ‘mish’ me 7,1%.

Por, vështirësia e kësaj situate është shumë më e tmerrshme sesa portretizojnë numrat. Kur pensionistët duhet të zgjedhin mes ushqimit dhe ilaçeve dhe familjet normale mezi arrijnë deri në fund të muajit, rritja e çmimit të ushqimeve është një tjetër hap drejt kolapsit ekonomik. Ndërkohë që autoritetet injektojnë likuiditet në konsum dhe jo në prodhim, çdo ndërhyrje është po aq e kotë sa shuma e dhënë për person. E ardhmja, ashtu si e tashmja, është e zymtë për realitetin financiar të gjithkujt.

Konflikti po kushton shumë, edhe për ata që as e nisën e as e deshën këtë situatë - dhe sërish, faturat nuk kanë mbaruar, ka shumë për të paguar ende, derisa përgjegjshmëria politike të triumfojë, më të dobëtit do të paguajnë, si përherë, si në çdo konflikt.

Çmimi përfundimtar nuk dihet ende, ama një gjë dihet me siguri, që do të jetë shumë i lartë!