Në ditët e sotme është kthyer në domosdoshmëri marketing digjital. Ka një lidhje të fortë të trinomit, subjekt, klient dhe kanal komunikimi. Mënyrat janë nga më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat. Ekspertët në çdo rast këshillojnë që të bëhët kujdes për të zgjedhur kohën e duhur dhe kanalin e duhur të përçimit të informacionit tek konusmatori. Elta Derri Liksenaj, pedagoge në fushën e Marketingut Digjital në një intervistë televizive flet për rëndësinë e platformave të ndryshme.

Marketingu digjital (Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë)

Marketingu digjital (Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë)

“Termi marketing digjital është përdorur që në fillim të viteve 1990, një periudhë e cila përkon edhe me lindjen e kësaj fushe disiplinore, studimore, tanimë të aplikuar nga shumica e bizneseve, ku për herë të parë kemi dhe lindjen e motorëve kryesorë të kërkimit. Ndërkaq më vonë pas viteve 2000 kemi lindjen e një tjetër elementi të marketingut digjital siç janë rrjetet sociale. Pra, pikërisht platforma të tilla si Facebook, Twitter, Instagram e kështu me rradhë. Ndërkaq në të gjithë këtë periudhë ka pasur disa zhvillime galopante, disa zhvillime të paimagjinueshme në krahasim me periudhat e tjera të mëparshme. Po të bëjmë krahasimin midis marketingut digjital dhe marketingut tradicional, ku ky i fundit në fakt përkon edhe me një lloj marketingu që bëhet në mediat kryesore klasike siç është radiotelevizioni, shtypi i shkruar, i cili tani është zëvendësuar nga mediat online, për shkak se nuk arriti dot të mbijetonte. Në fakt po të shikojmë edhe ecurinë e të gjithë këtyre revolucioneve të komunikimit vihet re që ata që nuk kanë arritur të mbijetojnë tanimë janë shndërruar në platforma të tjera që të arrijnë dhe të jenë aty ku ndodhen edhe konsumatorët. Sigurisht që tanimë bizneset do të duhet të përshtasin të gjitha platformat dhe mediumet e tyre do të shkojnë aty ku ndodhen konsumatorët, sepse edhe statistikisht nga të gjitha të dhënat ndërkombëtare na rezulton që shumica e konsumatorëve për të bërë blerje online së pari kalojnë nga interneti. Atëherë dhe bizneset duhet të shkojnë pikërisht ku ndodhen këta konsumatorë. “- thotë Liksenaj.

Për qasjen e marketingut digjital nuk ka një formulë të gatshme, por duhet që bizneset të operojnë me alternime, thonë ekspertët.

“Kjo sigurisht që varet nga tipologjia e biznesit, varet nga targeti i audiencës së synuar, varet nga segmentimi që i bëjmë tregut, pikërisht mënyra e përdorimit dhe lloji i marketingut digjital që ne vendosim të përdorim. Kur flasim për marketing digjital shumica e individëve madje dhe atyre ndër rradhët e sipërmarrësve dhe të biznesëve, mendojnë që është thjesht marketingu në rrjete sociale. Në fakt është vetëm një dimension i marketingut digjital, sepse ka dhe elementë të tjerë siç janë emaile-t direkte, që dërgohen pra drejtpërdrejt tek konsumatorët aktuale apo te konsumatorët të synuar, potencialë. Gjithashtu është optimizimi nëpërmjet motorëve të kërkimit, marketingu nëpërmjet motorëve të kërkimit dhe ky një tjetër element i veçuar; është marketingu nëpërmjet influencer-ave, është marketingu i cili bëhet nëpër website-t tradicionale të cilët mund t’i kenë biznese të ndryshme, që mund të jenë website të tipologjisë përshkruese, pra që japin thjesht një prezantim të bizneseve ose mund të jenë dhe webiste të natyrës e-comerce, që bëjnë dhe shitje pë konsumatorët. Në fakt nuk mund të jepen receta të gatshme se cila do të ishte mënyra më e mire, e rëndësishme është që të bëhet një integrim dhe një implementim i të gjithë mënyrave të marketingut për çfarëdolloj biznesi. Pra kjo gjë duhet realizuar nëpërmjet strategjive të konsoliduara të marketingut ku bizneset përdorin si format tradicionale, nëpërmjet mediave klasike, i cili vazhdon që të mbijetojë dhe sidomos në Shqipëri vazhdon të jetë mjaft i fuqishëm dhe i përdorur nga kompanitë, sidomos ato të mëdha. Ndër rradhët e NVM-ve të cilat janë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme shikojmë që ata përpiqen të implementojnë dhe të integrojnë në biznesin e tyre pikërisht këto trendet e fundit të teknologjisë digjitale. “-shprehet Liksenaj.

Elta Liksenaj (Foto personale)

Elta Liksenaj (Foto personale)

Tani janë në modë edhe influencerat, që shpesh bizneset përdorin për të marketuar produkte të ndryshme, por edhe në këtë drejtim duhet shumë kujdes për të gjetur përputhjen e personazhit me produktin.

“Së pari duhet të kemi kujdes në marketingun e përmbajtjes, pra çdo përmbajtje që gjenerojmë në internet duhet të kemi parasysh që ajo qëndron aty për një kohë të gjatë. Prandaj është e rëndësishme që vazhdimisht të bëhet përditësimi i faqeve, të bëhet update-imi i tyre i vazhdueshëm. Gjithashtu nëpërmjet marketingut për shembull në media sociale që realizohet nëpërmjet influencers, ajo që vihet re është realizimi i fushatave të segmentuara të markentigut, që nuk marrin influencer të cilët përshtaten edhe me vlerat e brand-it edhe nuk janë as përfaqësues të brandit ose të markës së tyre. Pra, duhet bërë një studim i kujdesshëm se cili influencer për shembull i përshtatet llojit të biznesit dhe jo thjesht të merret një influencer i cili mund të ketë një numër të caktuar ndjekësish të cilët ndoshta i ka edhe të blerë duke pasur parasysh që fusha digjitale e marketingut. Po ashtu ka edhe shumë nga këto të dhëna që janë dhe të kontestueshme prandaj në aspektin e influencerave duhet të bëhet një studim i kujdesshëm për llojin e influencer që zgjidhen për biznesin në aspektin e përmbajtjes, sërisht një përmbajtje që të jetë sa më e konsoliduar me të dhëna të sakta dhe të vërteta. Gjithashtu duhet përdorur më shumë marketingu direkt, nëpërmjet email-it, e cila në fakt nuk është një trend shumë i përhapur në Shqipëri. Ndërkaq që po të shikosh në email-et tona që marrim vazhdimisht kemi shumë të dhëna dhe emaile të cilat synojnë që të shesin por edhe të informojnë që na vijnë në inbox-et tona, ndryshe nga kompanitë të shqiptare të cilët nuk e kanë akoma këtë kulturë që të dërgojnë emaile për të informuar ose për të shitur.”

Marketingu digjital ka bërë të mundur thyerjen e barrierave gjeografike, etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe t’i arrijë konsumatorët në çdo kohë, që dikur ishte vetëm një iluzion. Me ndryshimin e mënyrës së jetesës, me avancimin e teknologjisë në përgjithësi, ka lindur edhe nevoja e hartimit të strategjive të reja të marketingut për t’ju përshtatur kohës. Marketingu digjital po avancon në mënyrë shumë të shpejtë dhe ka bërë të mundur të reduktohen shpenzimet me rastin e aktiviteteve të marketingut, si dhe të menaxhohet në kohë reale promovimi i produktit apo i shërbimit.