Një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve për momentin është rritja e cmimeve, sidomos për mallrat e shportës. Pak në një produkt e pak në një tjetër në fund të ditës këto përkthehen në kosto shtesë për buxhetin e çdo familjeje. Por sa do të zgjasë kjo dhe çfarë impakti do të japë në ekonomi?

Ekonomisti Klodian Muço (SyriTv)

Ekonomisti Klodian Muço (SyriTv)

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço në një intervistë për mediat televizive thotë se parashikimet paraprake flasin për një zgjatje mbi një vit të kësaj situate me çmimet.

“Është e vështirë që ne të parashikojmë se kur do të mbarojë rritja e çmimeve, por duke marrë në konsideratë faktin që në periudhën e janarit kur filloi dhe kriza, rritja e çmimeve në mënyrë të vazhdueshme në bankat qëndrore të vendeve të ndryshme apo le të themi investitorët në burse, kishin parashikuar një rritje të çmimit që do të vazhdonte deri në periudhën e fundit të qershorit apo fillimit të korrikut. Deri në këtë periudhë mendohej që mund të kishim një rritje të çmimit, ndërsa sot duke parë deklaratat e Bankës Qendrore të Anglisë apo deklaratën e Bankës Qendrore Evropiane, po ashtu dhe ajo Shqiptare, shikojmë se në fakt çmimet do të kenë nje tendencë rritëse dhe gjatë gjithë 2022-shit, por diskutohet që mund të vazhdojë edhe përgjatë muajve të parë të 2023-shit. Kështu që jo për të krijuar panik, por duhet të marrim në konsideratë që viti 2022 do vazhdojë të ketë një rritje të çmimit. Edhe nëqoftëse çmimet do të kenë një tendencë rënëse, në pjesën e dytë të vitit, përsëri çmimet do të jetë vështirë që të kthehen në gjendjen e mëparshme apo në gjendjen e shtatorit të 2021-shit kur filloi dhe për herë të parë rritja e cmimeve.”- thotë eksperti Muço.

Ajo që i shqetëson njohësit e ekonomisë është fakti që nuk po merren masa për personat që preken nga këto luhatje çmimesh.

“Referuar të dhënave të INSTAT për periudhën janar-shkurt kishim një rritje të të ardhurave fiskale +18 miliardë lekë, rritje që ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve dhe jo si pasojë e rritjes së volumit të shitjeve, që nënkupton që përgjatë muajve të fundit që kemi një rritje të vazhdueshme të çmimeve. Janë rritur dhe të ardhurat fiskale nga ana e qeverisë për arsye të rritjes së çmimeve. Është ajo që në ekonomi quhet taksa e inflacionit. Nga ana tjetër qeveria nuk po merr masa konkrete përsa i përket mbështetjes së konsumatorit direkt apo atyre bizneseve që janë në vështirësi ekonomike.”- thotë Muço.

Ushqimet e shportës(Financial times)

Ushqimet e shportës(Financial times)

Në të gjithë këtë ndryshim duket se ka edhe abuzime. Për këtë qeveria shqiptare ka ngritur edhe një bord transparence për të mos lejuar tregtarët të abuzojnë dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.

“Tashmë ka disa studime në nivel evropian që po diskutojnë që kjo rritje e vazhdueshme e cmimeve duket në një farë mënyre që ka në thelb në nivel ndërkombëtar ka një nivel spekulimi, një nivel abuzimi përsa i përket rritjes së vazhdueshme të cmimeve. Kjo sepse në thelb sasia e produkteve që ne konsumojmë sot nuk është se është reduktuar në të kaluarën, nuk është se po përpunohet më pak naftë se sa ishte përpunuar para rritjes së cmimeve së ndjeshme. Apo nuk është se është prodhuar më pak grurë sot sesa është prodhuar në të kaluarën. Thelbi është dikush po abuzon. Atëherë ndodh që bizneset e vogla, le të themi ato që kanë më pak kapacitete ekonomike kanë tendencën që të rrezikojnë deri në falimentim apo deri në mbyllje dhe duket sikur Evropa po shkon drejt një përqendrimi të tregut.Po të marrim në konsideratë vendet e ndryshme, vendet fqinje apo vendet e BE me tëpër sesa kanë ngritur këto bordet për monitorimin e abuzimit në treg, më tepër kanë dhënë mbështetjen direkte ndaj konsumatorëve apo ndaj biznesit. Dicka e ngjashme që u bë dhe në Shqipëri por në shumë të reduktuar”, shprehet eksperti.

Rritje çmimesh (orthospinenews)

Rritje çmimesh (orthospinenews)

Sa i takon paketës që qeveria ka lancuar për mbështetjen e shtresave në nevojë me paketën e rezistencës sociale, Muço thotë se nuk është e mjaftueshme për pensionistët.

“Problemi fillon që në nisje. Konkretisht u përcaktua një tavan që nëse fiton më shumë sesa 16000 lekë ti konsiderohesh i pasur, këtu e kam fjalën për pensionistët. Në vetvete Banka Botërore në momentin kur ka përcaktuar minimumin që përcakton varfërinë ka nxjerrë 5.5 dollarë në ditë, kjo shifër merrej për bazë në vitet e kaluara kur nuk kishim një rritje të ndjeshme të çmimeve ku gati 30 artikuj që përbëjnë një pjesë të mirë të shportës së konsumit kanë pasur një rritje me 20% përgjatë muajve të fundit. Kështu që në thelb 16000 lekëshi është shumë i ulët nëse ne do të marrim në konsideratë dhe që minimumi jetik edhe pse ka mbi 10 vjet që nuk po përllogaritet në mënyrë zyrtare, është bërë një studim i financuar nga Avokati i Popullit, i cili e ka nxjerrë që minimumi jetik është 17400 lekë. Ndihma për ata pensionistë që marrin mbi 16000 lekë në muaj me 330 lekë është qesharake, e papërfillshme.”- thotë eksperti.

Kiza me çmimet pritet të shkaktojë sipas ekspertëve rënie të konsumit dhe rënie të kursimeve.

“Mjafton që të shikojmë deklaratën e fundit të Bankës së Shqipërisë që për herë të parë pas shumë vitesh patëm një reduktim të kursimit me 0.14%. Sigurisht nuk është një shifër që na alarmon, por gjithsesi është impakti i parë që njerëzit kanë filluar të reduktojnë kursimet e tyre që të përballojnë jetesën.”

Të goditur më shumë duket se do të jënë konsumatorët, pasi subjektet ja faturojnë koston qytetarëve.

“Bizneset kanë tendencën përgjithësisht që t’ia kalojnë barrën qytetarëve, sidomos bizneset e mëdha. Tendenca është që në momentin që unë kam një rritje të çmimit të importit apo rritje të çmimit të shumicës, automatikisht unë e kaloj këtë rritje në indeksimin e çmimit final që paguan konsumatori”, thotë eksperti Muço.