Duket se po rezulton nje histori suksesi zhvillimi i aktivitetit në fushën e instalimit të paneleve fotovoltaike. Kriza e çmimeve dhe mungesa e energjise po bën që shumë vende të shohin mundësinë e vetëprodhimit të energjisë elektrike për kompanitë dhe banesat. E njëjta gjë po ndodh edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të mbështesë të gjithë ata që instalojnë panele diellore, si një mënyrë eficente.

Model panelesh ( Home deport)

Model panelesh ( Home deport)

Instalatorët e paneleve në Shqipëri thonë se kërkesat, me ardhjen e krizës, janë të larta nga biznese të ndryshme në vend, të cilat po interesohen të prodhojnë vetë energjinë.

Rako Paja, President i Kompanisë “Eco Energia”, në një intervistë për mediat vendëse thotë se Shqipëria i ka mundësitë për të prodhuar energji me anë të diellit për shkak të kushteve të favorshme klimatike dhe qeveria duhet të fokusohet në disa drejtime për të mbështetur qytetarët.

“Shqipëria i ka mundësitë sepse shtrihet në një vend gjeografik me 283 ditë diell, që do të thotë një energji shumë e mirë për territorin e Shqipërisë. Mbështetja që duhet të bëjë Kryeministri është: të mbështesë në kohë rekord bizneset që kanë një kosto shumë të madhe të energjisë; të mbështesë me patjetër hotelet, që kanë një kosto shumë të madhe të energjisë, por nuk kanë ambient. Në këtë moment lind pyetja se si mund t’i mbështesë kur nuk ka vend dhe përgjigja nga ne, që ndjekim një histori të Evropës. Sot Evropa e ka 7 vite sistemin virtual që do të thotë këtu kam hotelin, por nuk kam vend. Brenda 30 km ti mund të instalosh impiant fotovoltaik për llogarinë tënde. Kështu të dyja palët zerojnë faturën e energjisë, kemi prodhim të energjisë dhe përfiton dhe shteti këtë pjesë të riskut që është shumë i madh sot. “- thotë Paja.

Panele dielloe (eco energia)

Panele dielloe (eco energia)

Duket se për familjarët është më e vështirë, por gjithmonë ka një zgjidhje. Qeveria në bashkëpunim me bankat mund të nënshkruajnë marrëveshje për të lehtësuar qytetarët.

“Faktikisht për familjet është shumë e vështirë në dy drejtime. E para duan pak kilovat, çdo familje do 6 deri në 10 kilovat, me një kosto 5’000 deri në 10’000 euro. Pallatet kanë të njëjtin problem, sepse mund të përfitojnë vetëm kati i fundit që ka tarracën dhe katet e tjera nuk mund ta përfitojnë këtë për shkak të vendit që nuk e kanë. Këtu janë dy variante që ne propozojmë që qeveria nëse mendon se janë këshilla të vlefshme, t’i zbatojë për të mirën e popullatës. E para, të japë një fond 30% për familjet që nuk e kanë mundësinë ta instalojnë ose t’i lejojë të gjithë bashkë të bëjnë një impiant virtual në të njëjtën skemë, siç është dhe për hotelet. Shteti duhet të orientojë bankat për çdo investitor dhe biznes që konsumon energjinë, faturën që ka nga OSHEE, ta ketë fiks me këst të bankës, por të mos kërkojë banka koloteral te biznesi që ka vend për diçka tjetër për të ecur përpara. “- shpjegon Paja.

Panele diellore(build-review.com)

Panele diellore(build-review.com)

Ekspertët e energjisë e shohin edhe më të zymtë situatën në vazhdim

“Mendimi im është që jemi të vonuar por prapë them më mirë vonë se kurrë dhe ideja është që shteti shqiptar meqë ka mundësi të instalojë impiante fotovoltaike duhet të marrë vendime të menjëhershme për shumë arsye. Lufta Ukrainë-Rusi është duke krijuar shumë probleme të mëdha dhe unë jam i sigurtë që ata i dinë. Energjia nëse sot është 180 lekë për bizneset e mëdha, do të arrijë deri në 300 lekë.”

Duket se do te jëtë e pashmangshme rritja e çmimeve në vijim për panelet diellore. Shqetësim për qytetarët janë dhe limitet e vendosura nga qeveria për prodhim energjie në biznese.

“Ne kemi zgjedhur që çmimet të mos i ngrejmë, por ato kanë filluar të ngrihen. Ne kemi ruajtur një lloj balance aq sa mundemi, por janë duke u ngritur dhe në mënyrë shumë të shpejtë dhe do të jetë pothuajse e pamundur nga qytetarët shqiptarë. Nëse ka një limit që është 500 kilovat, e kam propozuar unë personalisht në vitin 2015. Mendova në atë kohë që 500 kilovat ishte shumë nga vëzhgimi që pashë në rajon. Kjo qëndron. Por nuk shoh asnjë arsye përse mos të jepen të paktën 1 mega deri në 2 mega, është zgjidhja më e lehtë që mund të bëjë shteti. Nuk ka asnjë lloj pengese. Shoqëritë tona e kanë bërë këtë kërkesë. Jemi në pritje nga Ministria. Besoj se do të marrë zgjidhje sa më shpejt”, shprehet ai

Presidenti i Kompanisë Eco Energia (Eco Energia website)

Presidenti i Kompanisë Eco Energia (Eco Energia website)

Presidenti i “Eco Energia” tregon se cilat biznese janë më të interesuara për të prodhuar energji me anë të diellit.

“Faktikisht gjej rastin të falenderoj bizneset e mëdha, të cilat e kanë prekur të parat dhe janë të parat që interesohen dhe vazhdojnë me shpejtësi për t’i mbyllur. Të gjitha kompanitë me një konsum më të madh se 500 kilovat janë të interesuarat e para që bëjnë aplikimet dhe ecin me montimet e tyre, por këtu nuk mund të lemë pas dhe kompanitë që janë pak më të vogla ku instalojnë 100 kilovat, 50 kilovat. Pse jo dhe familjarët kanë filluar të interesohen”, thotë kreu i Kompanisë “Eco Energia”