Muaji prill shënon nisjen e pranverës zyrtarisht në Shqipëri. Moti ngrohet dhe zgjatja e ditës e sjell më afër dëshirën për të planifikuar pushime. Shqipëria tashmë është bërë një destinacion i preferuar për turistë nga vende të ndryshme të botës. Për të dytin vit radhazi Shqipëria ofron një sezon turistik Covid free, gjë që ka shtuar interesin e turistëve të huaj të planifikojnë vizita në vendin buzë Adriatikut.

Kroçera në Sarandë (ATSH)

Kroçera në Sarandë (ATSH)

Ditët e fundit mediat shqiptare kanë përcjellë një veprimtari të shtuar turistike në stacione të ndryshme të vendit. Ka nisur tashmë sezoni i kroçerave në portet shqiptare, por nuk mungojnë dhe turistët që mbërrijnë në Shqipëri me avionë, tragete apo autobusë.

Kroçera “Silver Moon” në Sarandë

Saranda, një nga stacionet turistike më të bukura në bregdetin jonian është vizituar në fundjavë nga kroçera “Silver Moon”, 213 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë, me 387 turistë në bord dhe flamur të Bahamasit. Në një postim në mediat sociale vetë kryeministri Edi Rama ka shkruar se “ndalet në Sarandë dallëndyshja e parë që lajmëron ardhjen e sezonit më të bukur e më të pastër turistik deri më sot! Mbarësi”.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro, ka deklaruar për ATSH-në se “Silver Moon” është një kroçerë, e cila operon kryesisht në Evropë dhe frekuenton portet e Mesdheut”.

Kroçera (ATSH)

Kroçera (ATSH)

Sipas tij, turistët në bordin e “Silver Moon” janë të kombësive të ndryshme, anglezë, francezë, holandezë, gjermanë, italianë dhe spanjollë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ata vizitojnë sitet turistike të Sarandës, Himarës dhe Gjirokastrës.

“Silver Moon” ka një kapacitet prej 596 pasagjerë dhe personel 411 persona, si dhe një tonazh 40.700. Pritet që kjo kroçerë të vizitojë sërish Sarandën gjatë sezonit turistik. Kroçera “Silver Moon” është më e madhja për këtë vit që ka vizituar deri tani Sarandën dhe e treta gjatë 2022.

Turistët e kroçierës janë pritur në portin e Sarandës me një koncert të Grupit të Valleve të Bashkisë Konispol, duke i njohur ata me kulturën dhe folklorin e zonës. Gjatë zbritjes atyre u është shpërndarë informacion dhe broshura të vendeve turistike të Sarandës dhe zonës në përgjithësi si dhe një suvenir nga porti.

Saranda, perla e bregdetit jugor shqiptar njihet dhe si “Qyteti i bardhë”. Ajo rrethohet nga kodra dhe përballë ka ishullin grek të Korfuzit, një tjetër stacion i mirënjohur turistik. Ata që vizitojnë Sarandën kanë mjaft stacione për t’u ndalur, ndër të cilat kalaja e Lëkurësit, Parku Arkeologjik i Butrintit me historinë e tij mijëravjeçare. Të mrekullueshme e bën Sarandën klima e saj e butë, uji i kristaltë i detit, plazhi i shumëkërkuar i Ksamilit, pa harruar gatimet e shijshme të zones dhe mikpritjen e sarandiotëve.

Turistët në Muzeun Kombëtar të Krujës (ATSH)

Turistët në Muzeun Kombëtar të Krujës (ATSH)

Kruja mikpriti 5 mijë vizitorë në 3 muajt e pare të vitit

Me një pozicion të veçantë gjeografik, fare pranë kryeqytetit Tiranë, aeroportit ndërkombëtar të Rinasit dhe qytetit bregdetar të Durrësit, Kruja është gjithmonë pjesë e tureve turistike. Ndër monumentet e Krujës që tërheqin në çdo stinë të vitit turistë të huaj dhe vendas janë Muzeu Historik dhe ai Etnografik. Mësohet se të dy këto muze kanë regjistruar në muajt e parë të këtij viti rreth 5 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi ka bërë të ditur për ATSH-në se “në muajt janar-mars muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tre muajt e parë dy muzetë u vizituan nga 5 mijë vizitorë nga 3400 që ishin në 2021″. Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Sipas drejtorit Hafizi “gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e numrit të turistëve spanjollë, e cila ka ndikuar dhe nga shtimi i fluturimeve direkte drejt Barcelonës dhe Madridit”.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i përuruar më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës konsiderohet si një ndër qendrat muzeale më të rëndësishme në territorin shqiptar. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Aktualisht Muzeu Etnografik i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët.

Ky Muze ndodhet brenda kalasë së Krujës dhe është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764, monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. E veçanta e muzeut është se 90 për qind e objekteve të tij janë origjinale dhe 100 për qind funksionale.

Turistë në Shtëpinë me gjethe (ATSH)

Turistë në Shtëpinë me gjethe (ATSH)

Mars i mbarë për Muzeun “Shtëpia me gjethe”

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në muajin mars u vizitua nga 1309 vizitorë, ose 42.5 për qind krahasuar me marsin e 2021 dhe 28.7 për qind më shumë krahasuar me marsin e 2019. Muzeu përbën një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por veçanërisht për turistët e huaj që dëshirojnë të njohin Shqipërinë e para viteve 90-të. Sipas të dhënave të publikuara, 46.4% e vizitorëve në mars ishin të huaj, si anglezë, amerikanë, por dhe afganë. Sa i takon të ardhurave, janë siguruar 53.6 për qind më shumë se në mars të 2019.

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017. Ai konsiderohet si thesari i memories kolektive, duke përbërë një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët.

Duket se këto shifra janë premtuese sa i përket rritjes së numrit të turistëve të huaj që në sezonin veror të këtij viti kanë vendosur të pushojnë në Shqipëri.

Eda Merepeza