Ka procese të pashmangshme ndaj të cilave të gjitha kompanitë duhet të përshtaten herët a vonë. Një prej tyre është dhe transformimi digjital. Deri pak vite më parë, digjitalizimi ishte vetëm diçka që kompanitë dëshironin të kishin për të qenë avangardë, për të eksploruar një mënyrë të re të të bërit biznes, për të qenë tërheqëse për klientët dhe konkurrentët.

Transformimi digjital i kompanive, (Foto, Sogesmerchant.eu)

Transformimi digjital i kompanive, (Foto, Sogesmerchant.eu)

Sot, pas disa vitesh, nuk është më një tokë e paeksploruar e shkelur nga pionierët e parë të teknologjisë, është një domosdoshmëri. Është një hap i domosdoshëm për kompanitë dhe mund të thuhet se është vetë tregu. Sipas “Research & Marketers”, tregu i transformimit digjital pritet të tejkalojë 1000 miliardë dollarë deri në vitin 2025 me një rritje vjetore prej 16.5%.

Dy vjet më parë rreth 89% e kompanive e kishin adoptuar këtë proces, ose ishin gati të miratonin strategji të fokusuara te digjitalizimi. Tani nuk është më një kulm për t'u pushtuar, por një fazë e detyrueshme për t'u kaluar. Kjo është veçanërisht e vërtetë pas pandemisë, e cila i ka dhënë një përshpejtim të papritur përkrahjes së teknologjive digjitale nga të gjithë sektorët, privat dhe publik.

Megjithatë, pavarësisht shpërthimit të botës digjitale në shtëpi dhe biznese gjatë dy viteve të fundit, ka ende shumë njerëz që e shohin transformimin digjital si një problem, po aq shumë nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë do të thotë në të vërtetë ose si ta zbatojnë atë në aktivitetet e tyre të përditshme. Transformimi digjital për kompanitë është një koncept shumë i gjerë, por, mund të përkufizohet në integrimin e teknologjive digjitale në të gjitha fushat e biznesit.

Transformimi digjital, (Foto, Auto-ma)

Transformimi digjital, (Foto, Auto-ma)

Termi transformim digjital nuk është i ri. Për këtë u fol në vitet '90, kur kompanitë filluan të përdorin internetin dhe e-mail-in si mjete efektive për rritjen e biznesit. Sot, kur flasim për transformimin digjital, i referohemi të gjitha mjeteve dhe teknologjive që mund të rrisin efikasitetin edhe në aspektin ekonomik të një kompanie.

Transformimi digjital është gjithashtu fenomeni që përmirëson dhe rinovon proceset e biznesit, duke zëvendësuar ato arkaike, të ngadalta dhe të mërzitshme me ato më novatore, të thjeshta dhe efikase. Prandaj, për të aplikuar këtë proces në një mënyrë të thellë dhe të rrënjosur, është i nevojshëm një ndryshim në kulturën e korporatës. Sepse transformimi digjital ndikon në çdo aspekt të kompanisë, nga mjetet te proceset, nga idetë te strategjitë, nga qasja sipërmarrëse te puna e punonjësve.

Por, është e qartë se nuk mund të priten rezultate brenda natës, sepse nuk po flitet për një rrugë të shpejtë apo të lehtë. Përkundrazi, kjo nënkupton një rimendim të konsiderueshëm të menaxhimit të burimeve të brendshme dhe një qasje të ndryshme ndaj punës nga të gjithë bashkëpunëtorët. Duhet të mësojmë ta konsiderojmë transformimin digjital si një ndryshim që nuk ka të bëjë vetëm me biznesin, prodhimin dhe strategjinë, por që ekziston falë dhe përmes njerëzve.

Transformimi digjital, (Foto, Insidermarketing)

Transformimi digjital, (Foto, Insidermarketing)

Transformimi digjital lind dhe rritet brenda një kompanie. Ai del nga qasja që sipërmarrësi ka në tregun e referencës ku operon, nga strategjitë e diskutuara me menaxherët dhe drejtuesit, nga proceset e zbatuara nga punonjësit, nga pajisjet që përdoren. Nga brenda, ai shpejt del jashtë dhe transmetohet në marrëdhëniet me klientët.

Kur përdoren mjetet e inteligjencës së biznesit, kompania mund të jetë më efikase në prodhim, me mjete digjitale që mund të krijojnë një marrëdhënie të personalizuar me çdo klient individual, me rimendimin e proceseve që inkurajon punën e zgjuar duke i bërë punëtorët më të lirë, më të lumtur dhe për rrjedhojë më efikasë.

Duke qenë se po flasim për një revolucion që nuk bie vetëm mbi pajisjet, por edhe mbi njerëzit, është thelbësore që kompanitë të investojnë në profesionistë të rinj dhe të rishqyrtojnë aftësitë në një çelës digjital. Duhen njerëz që, para së gjithash, janë të magjepsur nga teknologjitë e reja, të përdorin programe për mbledhjen, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave dhe që dinë të shfrytëzojnë programet për ridizajnimin e proceseve.

Së dyti, nevojiten edhe njerëz me mendje të hapur, që dinë të vlerësojnë traditën, por që janë kureshtarë për të ardhmen, që përqafojnë pa frikë dhe me entuziazëm të renë. Vetëm në këtë mënyrë kompania mund të fillojë procesin e transformimit digjital, një proces që do të jetë vazhdimisht në zhvillim në dekadat e ardhshme.

Transformimi digjital është i rëndësishëm për kompanitë, pasi një kompani digjitale është shumë më konkurruese se një tradicionale. Ndër arsyet kryesore për të shkuar në këtë drejtim janë: Efikasitet më i madh i biznesit; 2. Përmirësimi i përvojës së klientit; 3. Kursimi i burimeve; 4. Rritja e fitimeve; 5. Përafrimi me konkurrencën.

Transformimi digjital për kompanitë do të jetë veçanërisht i dobishëm në planin afatgjatë. Një kompani që fillon të përfitojë nga sot do të jetë gjithmonë më e avancuar se konkurrentët që nuk e bëjnë këtë. Hulumtimi nga “Softëare AG” ka nxjerrë në pah tendencat në kompani, ku këto të fundit kanë qenë 95% dakord se teknologjia do t'i ndihmojë ata të përballen me sfidat e së ardhmes. Pavarësisht urgjencës për t'u digjitalizuar dhe përfitimet tashmë të njohura, shumë kompani kanë parë që përpjekjet e tyre për modernizim të dështojnë.

Transformimi digjital, (Foto, Maiamanagement)

Transformimi digjital, (Foto, Maiamanagement)

Digjitalizimi i një kompanie të tërë nuk është aspak i lehtë. Transformimi digjital shpesh është i vështirë, sepse ato operojnë në treg prej shumë vitesh. Ata kanë një strukturë të krijuar biznesi dhe po luftojnë për t'u hapur ndaj një skenari të ri ekonomik. Para së gjithash, vetë drejtuesit rezistojnë. Në fakt, shumë prej tyre besojnë se projektet e transformimit digjital janë një humbje kohe që do të rrezikonte vetëm dëmtimin e identitetit të korporatës.

Një arsye e dytë që kompanitë përjetojnë rezistencë të fortë është sepse ato nuk janë gati për ndryshim. Ato nuk kanë burime të brendshme me aftësitë e duhura dhe nuk duan të mbështeten në figura të jashtme, me pak fjalë, u mungon një vizion inovativ i korporatës dhe nuk bëjnë asgjë për të korrigjuar.

Së fundi, qeniet njerëzore, nga vetë natyra e tyre, kanë frikë nga e panjohura. Kur bëhet fjalë për transformimin digjital për kompanitë, shefat dhe punonjësit shpesh dështojnë të ndryshojnë qasjen e tyre dhe preferojnë të qëndrojnë të mbyllur brenda një strukture korporative hierarkike dhe të fragmentuar, ku janë të kufizuar në ndjekjen e detyrave të provuara, duke marrë vetëm rezultate mediokre.

Por nëse biznesi vërtet dëshiron të arrijë transformimin digjital, ai nuk mund t'i përballojë të gjitha këto. Ekspertët sugjerojnë që të ndryshohet kultura e korporatës që nga themelet e saj, duke rimenduar punën me synimin për të lidhur mjete inovative dhe staf të trajnuar në mënyrë të përshtatshme.

Përgatiti: Irma Paloli