Nisur nga situata e krijuar me krizën e energjisë, Shqipëria ka nënshkruar një kontratë për të marrë me qira dy anije që prodhojnë energji elektrike. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Energjisë Belind Balluku, gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë. Balluku tha se këto anije do të ankorohen në Triport, në Vlorë dhe do të garantojnë furnizimin me energji elektrike edhe gjatë muajve të verës. Sipas ministres Balluku, ndihmesë për arritjen e kësaj marrëveshjeje ka dhënë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Këto anije do të prodhojnë energji deri sa të vendoset në punë HEC-i i Vlorës.

Energjia-elektrike (gazeta Express)

Energjia-elektrike (gazeta Express)

“Me mbështetje edhe të ambasadores amerikane, zonjës Kim, por edhe në bashkëpunim shumë të ngushtë me Excalerate Power, që sot është kompania që bashkëpunon për projektin e termocentralit të Vlorës, ne kemi arritur një marrëveshje për të marrë me qira dhe për të ankoruar në Triport, pra në Vlorë, dy anije prodhuese të energjisë elektrike, të cilat prodhojnë këtë energji për një periudhë kohe deri sa TEC-i të vendoset në punë. Janë termocentrale lundruese. Këtu nisim fazën e parë të TEC-it të Vlorës dhe kjo është një arritje shumë e madhe, pasi do na garantojë edhe gjatë periudhës së verës që ne të kemi një pavarësi energjetike, që do të prodhohet nga ato anije. Sigurisht pavarësi e kufizuar, por edhe e misheluar së bashku me kaskadën edhe ato importe afatgjata që ne i kemi vendosur tashmë në bazë të VKM, por edhe shkëmbimin energjetik të sasive të ndryshme, sidomos sot që kemi arritur t’i shkëmbejmë edhe në profile 1 me 1 dhe jo si dikur. Do të jenë të gjitha një mishelë e rëndësishme, që do na japi pavarësinë energjetike edhe gjatë periudhës së verës”, u shpreh ministrja Balluku.

Ajo siguroi gjithashtu që çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla nuk do të pësojë rritje.

Nga ana e tij, Arbër Avrami drejtor i Kompanisë “AlbGaz” ka dhënë detaje për kapacitetet e këtyre anijeve. Avrami thotë se kjo është një zgjidhje emergjente dhe siguron energji për dy vjet.

“Zgjidhje emergjente për prodhimin e energjisë, siguri energjetike për dy vjet. Kapaciteti i dy anijeve është 114 megavat në orë. Shpresojmë që makineritë të vihen në punë brenda tre muajve. Kjo kontratë është për dy vjet dhe do përdoret për raste emergjente nga KESH”, tha Avrami.

Ndërsa drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Ergys Verdho tha se nuk ka vend për panik dhe se çdo gjë është në kontroll. Në fjalën e tij në mbledhjen e Komitetit të Energjisë, Verdho tha se pritshmëritë nga data 5 deri në 17 prill sipas parashikimeve të KESH-it flasin për shifra shumë të mira, me një nivel të Fierzës që vjen duke u rritur në 276 metra mbi nivelin e detit.

Praktikisht vlen për t’u theksuar se basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë sasira të vogla depozitimi. Këto dy liqene mbushen shumë herë më shpejt se liqeni i Fierzës, që ka qenë i mbyllur për shkak të reshjeve dhe rezervës energjetike. Do mundohemi të plotësojmë maksimalisht kërkesën”, tha kreu i KESH-it Verdho.

Lidhur me menaxhimin e krizës, ka nisur edhe një nismë e re për efiçencën e energjisë për bashkitë e Shqipërisë. Konkretisht një projekt i ri nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë fillon operacionet në mbështetje të efiçencës së energjisë.

“Të katër bashkitë e projektit do të përdorin më shumë energji të rinovueshme, do të kenë ndriçim më të mirë rrugor dhe do të kursejnë konsumin e energjisë. Sot, përdorimi inteligjent i energjisë është kërkesë dhe jo sugjerim, dhe këtu vijnë së pari bashkitë”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.

Ambasadori zviceran Adrian Maître nënvizoi rëndësinë e hapave që ka bërë Shqipëria në fushën e efiçencës së energjisë dhe mbështetjen zvicerane dhënë për këtë sektor.

“Shqipëria po bën hapa drejt efiçencës së energjisë. Ngjarjet aktuale po na tregojnë në mënyrë dramatike se sa e rëndësishme është gjetja e zgjidhjeve alternative të energjisë dhe ruajtja dhe përdorimi me zgjuarsi e furnizimeve tona të energjisë”, tha ambasadori zviceran Adrian Maître.

Në një botë në ndryshim, ku siguria e furnizimit me energji dhe mungesa e energjisë po fitojnë shumë rëndësi, qeverive u kërkohet të gjejnë zgjidhje të menjëhershme për të përmirësuar eficencën e energjisë (EE) dhe për të përdorur burime të reja energjie të rinovueshme. Në këtë situatë, SECO mbështet qeverinë shqiptare me zhvillimin e një sistemi të menaxhimit të energjisë të frymëzuar nga Çmimi Evropian i Energjisë në katër bashki pilot (Bashkitë Berat, Korçë, Përmet dhe Shkodër). Në këtë nismë gjithashtu është përfshirë dhe rritja dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për të zbatuar sa më mirë politikën kombëtare të energjisë në nivel lokal, veçanërisht për identifikimin e masave të infrastrukturës të lidhura me energjinë dhe për të përmirësuar kapacitetet në nivel bashkiak për të përgatitur propozime për financim.

Ministrja BelindaBalluku (Daily News )

Ministrja BelindaBalluku (Daily News )

Me rëndësi të madhe është rritja e ndërgjegjësimit për efiçencën e energjisë dhe masat e mundshme në këtë fushë për publikun, por mbi të gjitha për grupet vulnerabël të ndikuar drejt për drejt nga kriza botërore energjetike dhe ndryshimet klimatike. Janë ata që vuajnë më së shumti dhe kanë nevojë të fitojnë njohuri se çfarë mund të bëjnë edhe pse me burime të kufizuara, për të balancuar ndikimet negative që situata aktuale ka në jetën e tyre të përditshme.Rezultatet e pritshme të këtij projekti janë: Krijimi dhe fuqizimi i departamenteve bashkiake të menaxhimit të energjisë në katër bashkitë dhe hartimi i planeve bashkiake të energjisë dhe klimës; Përgatitja dhe realizimi i masave të infrastrukturës në investimet me realizim dhe përfitim të shpejtë; Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për menaxhimin e energjisë në nivel bashkiak dhe për efiçiencën e energjisë në përgjithësi; Hartimi i Kuadrit Shqiptar të Menaxhimit të Energjisë me potencial për t'u shtrirë në nivel kombëtar.

Projekti zbatohet nga një konsorcium kompanish ndërkombëtare dhe kombëtare, që punojnë në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë (AEE), e cila vepron si Njësia e Menaxhimit të Projektit (NMP). Projekti do të zgjasë deri në fund të vitit 2024.