Për fermerët përfitues nga skema mbështetëse e naftës pa taksa, Paketa e Rezistencës Sociale parashikon që kjo mbështetje të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë dollarë, me një shtesë plus prej 5 milionë dollarë. Edhe vitin e kaluar qeveria mbështeti këtë kategori me naftë dhe po synon zgjerim të mëtejshëm këtë vit deklaroi në një intervistë televizive Zv Ministri i buqësisë dhe Zhvillimit Rural Enio Civici.

Fermerët dhe akciza (Abcnews.al)

Fermerët dhe akciza (Abcnews.al)

“Ky është viti i dytë i shpërndarjes së naftës dhe arsyeja lidhet me suksesin e vitit të parë. U përthith pothuajse i gjithë fondi. Shërbeu nga ato analiza apo biseda që ne patëm me fermerët të cilët përfituan. Shërbeu deri diku për të ulur koston e prodhimit. Ndërkohë këtë vit ishte e parashikuar në një shifër goxha të madhe krahasuar me vjet, pa 5 milion dollarëshin që u ofrua si pjesë e Paketës së Rezistencës. Do të shpërndahet nëpërmjet skemës kombëtare ku dhe kanë aplikuar jashtëzakonisht shumë fermerë. Ne parashikojmë që të jenë dyfishi i përfituesve krahasur me vjet, duke parë dhe numrat e aplikimeve, por edhe nevojën konkretisht nga secili fermer me anë të analizave që ne bëjmë “- shprehet zv.Ministri Bujqësisë.

Duket se mbështetja me naftë ka krijuar fluks aplikimesh dhe ka nxitur edhe fermerët të formalizohen.

“Që nga fillimi, 25 shkurti i hapjes së kësaj thirrje dhe deri në momentet që flasim janë mbi 12’000 nipte. Besojmë të arrijmë deri në 20’000 nipte të reja fermeri të hapura. Pra, në tatime apo në financë kur një nipt aktivizohet do të thotë që ka ndejtur më shumë se 12 muaj apo një vit fiskal i fjetur. “

E ndërsa ngrihen pikëpyetjet se përse nuk prodhojmë më shumë drithra në vend, Civici thotë se janë disa faktorë.

“Ka arsye përse disa produkte ushqimore pordhohen në Shqipëri dhe disa të tjera jo dhe kjo lidhet me aspektin ekonomik të tyre. Pra, kush është fitimprurës, kush punëson më shumë njerëz, cili arrin të shitet në treg me një vlerë të kënaqshme që të mbulojë dhe kostot dhe të sjellë përfitim për fermerët. Ka arsye ekonomike tregtare normale pse ne prodhojmë më shumë perime dhe më pak grurë, për cështje të hapësirave të prodhimit, për cështje të fragmentarizimit të tokës.”

Zëvendësministri Enio Civici (Gazeta Mapo)

Zëvendësministri Enio Civici (Gazeta Mapo)

Për të gjithë ata fermerë që kultivojnë drithra, zv.ministri Civici tha se do të jenë të parët që do të përfitojnë mbështetje me fonde nga skema kombëtare

“Fermerët e kanë menduar më parë, vendimet e tyre kanë ardhur në një ekonomi tregu, ku ka qenë më e volitshme të prodhonin një kulturë se sa një tjetër, por në këtë moment shikohet tendenca e prodhimit, jo nga fermerët por nga qeveria shqiptare e cila orienton. Prodhuesit e drithrave do të jenë të parët që do të marrin fonde nga skema kombëtare”- tha Civici.

Në Shqipëri sipas Zv.Ministrit nuk ka vend për panic, sa i takon rezervave për miell.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e importit dhe përpunimit të grurit dhe pastaj bëhet miell dhe pastaj shkon në furrat e bukës. Njëkohësisht jemi edhe në bisedime të vazhdueshme pothujase në kontakt të përditshëm me palët e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu me tregje më të mëdha nga ai francez, argjentinas, te tregje shumë të mëdha në botë të prodhimit të drithrave nga të cilët mund të importojmë. Kompanitë na thonë, përvecse kanë disa muaj rezerva dhe mund ta përballojnë tregun normalisht, kishin dhe tani janë të rregulluara dhe të zgjidhura edhe shumë kontrata që kishin nënshkruar me kompani të ndryshme bashkëpunëtore të tyre historikë, të cilat për momentin ishin ngadalësuar ose bllokuar, siç ishte rasti i Serbisë. Për të ardhur këtu, për t’u importuar sepse secili shtet kishte vendosur të shihte situatën e vet përpara, të bënte një inventar të gjithë cfarë kishte, të shihte nevojat, kërkesat dhe pastaj të merrte vendime sa të eksportonte dhe sa jo. Njësoj dhe Serbia. “

Por a po kushtojnë më shumë drithrat nga Serbia?

Kontratat që janë bërë muajin janar apo më përpara, para se të ndodhte konflikti, janë bërë me çmimet normale që ishin më përpara dhe do të respektohen me ato çmime, pa ndikuar në rritjen e çmimit të produktit final këtu te ne. Gjithashtu kemi një dakordësi me palën serbe, por kjo mbetet prap një negocim midis dy kompanive sepse nuk mund të ndërhyhet në çmimin e importit nga Serbia apo të eksportit të tyre. Është një dakordësi parimore për momentin, do të tentojmë ta bëjmë edhe më konkrete që çmimet e ardhshme për blerjet për muajt e fundit të vitit tani po flasim apo për muajt e tjerë, të jenë të pranueshme dhe jo të reflektojnë “çmendurinë” e tregjeve aktuale.”-sqaron Civivi

rezistenca sociale (ministria e financave dhe ekonomise)

rezistenca sociale (ministria e financave dhe ekonomise)

Për të kontrolluar çmimet janë në terren grupet e punës që po mbajnë nën kontroll situatën.

“Ne kemi disa javë, që me fillimin e konfliktit por edhe përpara saj sepse çmimet e imputeve kishin filluar të rriteshin që përpara konfliktit Rusi-Ukrainë. Kjo i vuri vulën më shumë. Ne ishim dhe jemi në grupe punë të vazhdueshme të përbashkëta me importuesit dhe shitësit të imputeve bujqësore me të cilët kemi gjithashtu një marrëveshje, e cila flet sipas paketës së rezistencës e cila synon që të përmbajë disa masa. Me ta jemi në diskutime dhe për të vendosur marxhin e fitimit totalisht minimal në mënyrë që çmimi që ata do të dalin nga fermeri të jetë më i vogli i mundshëm në mënyrë që të përballojë kostot e tyre dhe 1 apo 2 % fitim sa për të lejuar operacionalitetin e funksionimit të kompanisë së tyre. Njësoj janë gjithë produktet e tjera, nga nafta te ato ushqimore, njësoj janë dhe imputet bujqësore në të njëjtin regjim me dakordësinë e kompanive dhe qeverisë shqiptare, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave.