Deputeti socialist Erion Braçe ditë më parë i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për të nxitur prodhimin kombëtar, pasi sipas tij nëse kjo nuk do të ndodhë, Shqipëria do të përjetojë jo vetëm krizë çmimesh, por edhe ushqimore. Por si paraqitet prodhimi vendor në Shqipëri dhe si e shohin situatën ekspertët.

Rektori i UBT-së Sallaku (UBT)

Rektori i UBT-së Sallaku (UBT)

Profesor doktor Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës ka deklaruar për mediat se pavarësisht krizës që ndodhemi, nuk mund të ndryshojmë strukturën e ngritur të bujqësisë dhe të kulturave që kemi.

“Personalisht unë jam i mendimit dhe kam bindjen që pavarësisht kushteve specifike Shqipëria nuk duhet të ketë një ndryshim drastik të strukturave të kulturave bujqësore. E them këtë me bindje sepse shpresoj shumë që lufta të mbarojë shumë shpejt dhe vendet t’i rikthehen normalitetit. Pra, ne nuk kemi luksin që sipërfaqet e tokës bujqësore që janë të destinuara dhe që kanë përfitueshmëri më të madhe ekonomike për përime, frutokulture dhe blegtori t’i kthejmë për grurë dhe për kultura të tjera sepse pranojmë faktin që gruri nuk futet te kulturat që është me përfitueshmëri të madhe ekonomike. Por ajo që Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë dhe ne duhet të bëjmë është që t’i rikthejmë sytë tek një sipërfaqe apo te një fond i tokës bujqësore që është i pashfrytëzuar që janë rreth 100’000-150’000 hektarë tokë dhe të nxisim pronarët, fermerët të kultivojnë këto sipërfaqe toke. Meqenëse jemi në periudhën e mbjelljes së misrit ajo që në mund të bëjmë këto ditë është që të kemi një vëmendje më të shtuar drejt shtimit të sipërfaqes me misër për dy drejtime kryesore, pse jo për bukë por mbi të gjitha për foragjere sepse çmimet e misrit janë shumë të rritura në treg. “- thotë rektori UBT-së

Sipas ekspertëve, fokusi tek bujqësia nuk duhet të jetë vetëm në situatë emergjente apo kohë krizash, por ky sektor duhet të jetë gjithmonë në prioritetet të autoriteteve pasi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë. Nëse flasim për grurin, sot Shqipëria përmbush afro gjysmën e nevojave që ka për konsum vendi.

“Kur bëhet fjalë për situata të jashtëzakonshme siç janë situatat e luftës apo krizave të tjera, i gjithë fokusi i njerëzve kthehet drejt burimeve të brendshme të çdo vendi. Pra, sa është në gjendje një vend të prodhojë ose të mbulojë nevojat e veta të brendshme për ushqime dhe shumë elementë të tjerë. Për informacionin tuaj siguria ushqimore faktikisht futet në elementet e sigurisë kombëtare. Pra, një ndër pesë elementet e sigurisë kombëtare është dhe siguria ushqimore. Kjo do të thotë që çdo vend do të ketë një kujdes të veçantë për plotësimin e nevojave të brendshme. Nisur nga kushtet specifike që vendi ynë ofron sidomos në lidhje me kushtet klimaterike dhe tokësore, sipërfaqen e tokës, kollonat këto 20 vitet e fundit të zhvillimit bujqësore pothuajse janë vendosur në drejtim të disa sektorëve më me përfitim nga pikëpamja ekonomike siç është sektori i zhvillimit të perimtarisë, frutokulturës dhe blegtorisë. Këto janë dhe kollonat bazë ku bujqësia shqiptare pothuajse ka dakordësuar për zhvillimin e saj dhe për vitet e ardhshme, sepse normalisht politika e çdo vendi ndjek trendin e politikës së zhvillimit evropian. Po të rikthehemi te situata aktuale ku në plan të parë gjithmonë ka dalë nevoja për plotësimin për drithëra edhe në këtë aspekt unë do të thoja që Shqipëria nga kushtet klimaterike tokësore siguron gjysmën e nevojave të veta përsa i përket prodhimit të drithrave të grurit. Në total Shqipëria ka nevojë për rreth 450’000-500’000 tonë dhe me të dhënat statistikore të fundit del që Shqipëri kultivon rreth 50’000-60’000 hektarë, pra ne plotësojmë nevojat rreth 200’000-250’000 tonë çka do të thotë plotësojmë nevojat për gjysmën e tyre.”-thotë prof.dr Sallaku

Bujqësia(Feed Navigator)

Bujqësia(Feed Navigator)

Universiteti Bujqësor i Tiranës është i hapur për bashkëpunim me qeverinë për të dhënë eskpertizën me të mirë dhe ndihmën e duhur me ekspertë, stafe akademike dhe studentë për t’i bërë ballë çdo krize në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Ku e gjen veten Universiteti Bujqësor në këtë situatë?. Të jem i sinqertë mua nuk më vjen mirë që nevoja për dije, nevoja për këshillim, nevoja për t’u konsultuar me stafin e Universitetit Bujqësor shpeshherë bëhet në periudhat e krizave të ndryshme. Pra, ndodh le të themi kriza përsa i përket drithrave dhe rikthejmë sytë te Universiteti Bujqësor, ndodh për gripin e pulave përsëri thërrasim për ekspertiza dhe shumë elementë të tjerë. Ajo që ne me kënaqësi konstatojmë është fakti që qeveria shqiptare 4-5 vitet e fundit i ka dhënë një fokus të madh Universitetit Bujqësor. Do të doja shumë që kjo të vazhdojë në këtë trend dhe Universiteti Bujqësor të mos shikohet më si një actor, por si një partner i ngushtë ku çdo lloj politike bujqësore që hartohet në Shqipëri të ketë edhe konsultimet e ngushta me stafin e Universitetit Bujqësor. Kam bindjen që është stafi më i kualifikuar në të gjitha drejtimet e zhvillimit bujqësor.”- shprehet rektori i UBT-së Sallaku

Kultivimi i drithërave në vend shënoi ulje gjatë periudhës së tranzicionit, për shkak të kostove të larta të prodhimit që krijoi copëzimi i tokës dhe mekanizimi i ulët. Për ketë sezon mbjelljet kanë mbaruar dhe pritet korrja në verë. Duket së nësë çmimet do të vijojnë të jenë të larta për grurë, fermerët do të nxiten për të kultivuar këtë kulturë.