Banka e Shqipërisë konstaton se ekonomia botërore po përballet dhe do të vijojë të përballet me çmime të larta të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë. Këto goditje pritet të transmetohen edhe në Shqipëri. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje në tremujorin e pare të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ky inflacion regjistroi nivelet 3.7% dhe 3.9%, respektivisht në muajt janar dhe shkurt.

sejko (web BSH.jpg)

sejko (web BSH.jpg)

Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ecuria e mëtejshme e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend. Sejko thotë se të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Pavarësisht kësaj, situata ekonomike në Shqipëri shihet me rimëkëmbje.

“Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Për rrjedhojë, projeksionet globale të inflacionit për dy vitet në vijim janë riparë për lart, ndërsa projeksionet e rritjes ekonomike janë riparë për poshtë. Po ashtu, pjesa më e madhe e bankave qendrore kanë përshpejtuar planet e tyre të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Përkundrejt kësaj situate, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të qarta rimëkëmbjeje. Informacioni i disponuar tregon se aktiviteti ekonomik ka tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë në tremujorin e parë të vitit të shkuar. Po ashtu, ky informacion sugjeron se momenti pozitiv i rritjes është mbartur dhe në dy muajt e parë të vitit aktual. Rritja ekonomike ka pasur një bazë të gjerë. Ajo pasqyron zgjerimin e thuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe përbërësve të kërkesës agregate. Në terma makroekonomikë, ajo është ushqyer nga përmirësimi i besimit, nga rritja e kërkesës së huaj, nga ambienti i favorshëm monetar dhe financiar, si dhe nga stimuli fiskal i dy viteve të fundit.”- thekson Sejko.

Sejko (Bsh web.jpg)

Sejko (Bsh web.jpg)

Sipas Bankës Qëndrore politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka gjeneruar tregje financiare të stabilizuara, norma të ulëta interesi dhe kushte të favorshme financimi. Kredia për sektorin privat u rrit me 11.8% në muajin shkurt, duke ilustruar një mbështetje në rritje me fonde, të konsumit dhe investimeve. Trendi rritës i kreditimit thuhet se është ndikuar si nga rritja e kërkesës së biznesit dhe të familjeve, ashtu dhe nga politikat e favorshme të kreditimit të aplikuara nga sektori bankar. Ky sektor vijon të karakterizohet nga bilance likuide e të shëndetshme dhe rënie e kredive me probleme.

“Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate po gjeneron një shfrytëzim thuajse të plotë të kapitalit dhe të punës. Rritja ekonomike është pasqyruar në rritje graduale të punësimit dhe përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave. Në veçanti, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se punësimi u rrit me 2.1% në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërsa paga në sektorin privat u rrit me 10.2%. Norma e lartë e rritjes së pagave sugjeron se tregu i punës karakterizohet nga hapësira të pakta të pashfrytëzuara. Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm. Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale.”-shton Sejko.

Gent Sejko (Bsh )

Gent Sejko (Bsh )

Sipas skenarit bazë të parashikimeve të publikuar nga Banka e Shqipërisë, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Nisur nga situata e krijuar Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë thotë se goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cenojnë objektivin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, ndaj Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0% . Mbajtjen e normës së interesit të depozitës njëditore, në nivelin aktual prej 0.1%; rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%. Sipas Guvernatorit Gent Sejko edhe pas kësaj lëvizjeje – qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Në realitetin e ri, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.