Kriza nga lufta në Ukrainë po prek edhe një nga sektorët që ka mijëra të punësuar në Shqipëri dhe lidhet me prodhuesit dhe përpunuesit e drurit dhe mobiljeve. Sulejman Ulliri, kryetar i Klasterit të industrisë së drurit, njëherësh sipërmarrës prej vitesh në këtë fushë flet për pasiguri dhe vështirësi në biznesin e tij për shkak të problemeve me lëndën e parë dhe luhatjet e çmimeve.

Sipërmarrësi Sulejman Ulliri ( Foto personale)

Sipërmarrësi Sulejman Ulliri ( Foto personale)

“Sektori ynë është një nga sektorët që është goditur shumë nga rritja e çmimeve sepse ka një vit e ca, në vitin 2021 dhe 2022 ka një rritje goxha të çmimeve të lëndëve të para. Kjo është reflektuar deri tani në rritje, por ka një situatë krejt të pasigurtë për arsye se një pjesë e mirë e lëndëve të para për prodhimin e mobiljeve janë kryesisht nga Turqia që ka bazë rifurnizuese Ukrainën dhe Rusinë. Automatikisht pritet një rritje goxha e madhe e lëndëve të para, detyrimisht kjo rritje do të reflektohet në rritjen e çmimeve të prodhimeve. Realisht ne një pjesë të prodhimeve nuk kemi ku ta marrim, ndër vendet kryesore është Italia, por të gjitha këto vende janë ndikuar dhe ka rritje çmimesh dhe destabilitet në furnizimin e lëndëve të para që është një problem shumë i madh.”-shprehet sipërmarrësi Ulliri.

Punishte mobileri (digitalamitkaul.online)

Punishte mobileri (digitalamitkaul.online)

Situata e krijuar në vend me rritjen e çmimeve të shportës ka mbajtur larg edhe blerësit për mobilje dhe arredime.

“Ne këtë vit morëm pjesë në një panair që është hapur te Pallati i Kongreseve dhe kemi parë që ka pasur një rënie të kërkesës, si rezultat dhe i reflektimit të rritjes së çmimeve. Ka një ulje të fuqisë blerëse të konsumatorit, i cili ndoshta mendon dhe situatën më të vështirë që mund të vijë dhe ne jemi në pritje të situatave më të vështira.”-vijon sipërmarrësi Ulliri.

Problemeve i shtohet edhe frika e çmimit të energjisë.

“ Me ngritjen e energjisë elektrike, me frikën e mungesës së energjisë elektrike, me rritjen e karburantit i cili është goxha në koston e prodhimit sepse ne prodhimin e bëjmë dhe me dorëzim te klienti. Jemi në pritje të një situate dhe më të vështirë. Mendojmë për ndonjë zgjidhje ndoshta dhe për energjinë elektrike, për ndonjë investim në drejtim të prodhimit të energjisë me anë të paneleve diellore, për të gjetur vetë një zgjidhje. Për momentin jemi në një situatë goxha të vështirë, por jemi të detyruar të punojmë.” –thotë Ulliri.

Fabrikë Mobiljesh (mirelire.com

Fabrikë Mobiljesh (mirelire.com

Kryetar i Klasterit të industrisë së drurit e sheh pak konkuruese Shqipërinë në industrinë përpunuese të drurit.

“Shqipëria nuk është konkurente me vendet e tjera, jemi goxha dobët në krahasim me vendet e tjera pavarësisht se ne sakrifikojmë, punojmë dhe eksportojmë. Nuk jemi konkurentë sepse ne shumë lëndë të parë nuk e prodhojmë këtu. Në Shqipëri janë zhdukur pothuajse fare pyjet, ndonëse ka qenë një vend me pasuri të madhe pyjore, janë shpërdoruar dhe tani ne importojmë lëndët e para. Ato që mund të blesh në Shqipëri nuk i blejmë më, nuk ekzistojnë do t’i blejmë nga jashtë me çmime dyfish”, thotë ai.

Shqetësim ngre edhe Bardhyl Beqiri, sipërmarrës i një mobilerie. Ai thotë se kriza që ka nisur me çmimet po cënon kontratat pasi çmimet e parashikuara para luftës nuk mund të aplikohen për shkak të rritjes së kostove.

“Ne faktikisht punojmë me kontrata dhe lidhja e këtyre kontratave na bën të mundur që sido që ka ardhur situata qoftë energjitike, qoftë e rritjes së lëndës së parë, jemi në përballje të shumë problemeve financiare, të cilat bëjnë të mundur rritjen e kostos së produktit dhe në këtë lloj koncepti jemi gati në prishje kontratash, duke qenë se rritja ka qenë e përditësuar në përditshmëri, ka qenë e paparashikuar dhe na ka krijuar shumë probleme, jo vetëm në rritjen e çmimit, por dhe në pasjen e lëndës së pare, për shkak të rritjes në mënyrë marramendëse të çmimeve të lëndës së parë dhe të aksesorëve. Kontratat janë firmosur para 4-5 muajsh dhe këto kanë bërë të mundur që ne nuk jemi në gjendje të përballojmë çmimin e dhënë për produktin që ne do të ofronim, rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe të aksesorëve.”- thotë Beqiri.

Mobilje (globalwoodmarketsinfo)

Mobilje (globalwoodmarketsinfo)

Efekti negativ është zinxhir thotë sipërmarrësi Beqiri.

“Sepse nuk është vetëm rritja e lëndës së parë dhe aksesorëve, por një kosto shumë e jashtëzakonshme shtesë është transporti. Kishim me Amerikën një kontratë, e cila është gati në prishje. Shyqyr që nuk ishte finalizuar në sensin e pagesave, sepse nuk kishim ku të shkonim dhe me Gjermaninë. Ndërsa përsa i përket kontratave rajonale janë afatshkurtra dhe megjithëse janë me probleme, në këtë koncept nuk janë me shumë humbje dhe janë të përballueshme. Kjo është përpara luftës, pasoja e rritjes së lëndës së parë dhe mungesës së produkteve e lëndëve që shërbejnë për produkte ka ardhur më përpara, kurse efekti i luftës do të ketë pasoja pak me mbrapa. Kjo ka ardhur si efekt i pandemisë, sepse pandemia solli në tregjet ndërkombëtare mungesë të lëndëve të para, mungesë të elementëve përpunuese të prodhimit të lëndëve të para dhe të aksesorëve”, nënvizon Beqiri.

Një situatë e tillë lajmëron edhe një rritje të mundshme të çmimeve të mobiljeve në treg dhe të arredimeve.