Dy nga 7 pikat e paketës së rezistencës të publikuara nga qeveria, janë në mbështetje të pensionistëve. Në një intervistë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado ka dhënë detajet se kush janë kategoritë që do të përfitojnë pagesën prej 3 mijë lekësh për tre muaj rresht dhe se si do të procedohet. Hado është shprehur se rritja e pensioneve do të bëhet duke filluar nga 1 prilli.

Pensionistët (Shqiptarja.com)

Pensionistët (Shqiptarja.com)

“Diku te 132 mijë veta trajtohen nga Shërbimi Social Shtetëror, janë familje që janë me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, të verbërit dhe paraplegjikët. Pjesa tjetër, 440 mijë veta janë përfitues të skemës së Sigurimeve Shoqërore ku përfshihen të gjithë pensionet e invaliditetit të punës, automatikisht do marrin për 3 muaj nga 3000 Lekë, pensionet familjare të jetimëve, grave të veja, burrave të ve që do marrin nga 9000 Lekë në 3 muaj, pra nga 3 herë në 3 muaj. Kush e ka masën e pensionit 13300-20000Lekë do marrë këtë lloj bonusi dhe bëhet fjalë që janë 102 mijë pensionistë”– tha Hado

Indeksimi i pensioneve me 3.3% që ishte parashikuar të bëhej në muajin korrik të këtij viti, për shkak të krizës është përcaktuar që të bëhet që në muajin prill.

“3.3 miliardë lekë janë për indeksimin e pensioneve, e cila në fakt është një politikë e përvitshme, është një detyrim ligjor që pensionet duhet të indeksohen çdo vit, mbi bazën e indeksit të çmimit të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve. Është një inflacion i llogaritur vetëm për pensionistët. Duke qenë se gama e artikujve dhe shërbimeve që pensionistët konsumojnë gjatë përditshmërisë së tyre është i ndryshëm nga artikujt dhe shërbimet që konsumon e gjithë popullsia atëherë INSTAT llogarit një indeks çmimesh vetëm për pensionistët. Atëherë indeksi nuk është rritje është indeksimi i pensioneve që do të thotë ruhet fuqia blerëse e pensionit, që do të thotë të rrije pensioni në të njëjtën vlerë apo fuqi blerëse siç ka qenë në momenti që është caktuar. Indeksimi këtë gjë bën, ruan fuqinë blerëse të parasë” - shtoi Hado për mediat.

Astrit Hado (AbcNews.al)

Astrit Hado (AbcNews.al)

Qeveria do të japë edhe 3 mijë lekë për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për disa kategori pensionistësh dhe numri I përfituesve është 574 mijë përfitues.

“ Përfshihen pensionistë që trajtohen me ndihmë ekonomike, persona me aftësi të kufizuar, të verbërit dhe paraplegjikët”-sqaron Drejtori I Përgjithshëm I Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Lidhur me kritikat se paketa e rezistencës është e pamjaftueshme, Hado thotë se nuk mund të krahasohemi me vendet e tjera, pasi çdo shtet ndjek politika të ndryshme.

“Vende të ndryshme kanë zgjedhur qasje të ndryshme për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Ka vende që kanë bërë reduktim të taksave apo të TVSH-së, që do të thotë automatikisht ndikon edhe në çmimet e mallrave që konsumojnë pensionistët, ka vende të cilat kanë bërë indeksim si puna jonë, ka vende që indeksimin që kanë pasur për ta bërë në shtator ose korrik e kanë bërë tashmë në mars dhe në prill, ka dhe vende të tjera të cilat e kanë ndarë indeksimin e përvitshëm në dy faza - kanë bërë një indeksim tani dhe pastaj do të bëjnë një indeksim tjetër, sikurse ka dhe vende që kanë dhënë mbështetje monetare njësoj siç po jep qeveria shqiptare”, spjegon Hado

pension (cintra.co.uk) kpg

pension (cintra.co.uk) kpg

Nga data 1 prill pensionet e indeksuara, në të njejtën ditë do të marrin pensionin dhe bonusin. Indeksimi është një procedurë normale që ndjek trendin e çmimeve. Hado ka folur edhe për vështirësitë e skemës së pensioneve, pasi vit pas viti ka një rritje të numrit të përfituesve, por nga ana tjetër ka ulje të kontribuesve për shkak edhe të emigracionit të të rinjve.