Nuk po ndalet rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri. Në krahasim me mesataren prej 170 lekë për litër që ishte gjatë vitit 2021, nafta në vend është shtrenjtuar me gati 50% ditët e fundit, duke u rritur me mbi 230 lekë për litër. E ndërsa si shkaqe renditen faktorët e jashtëm të luftës Rusi-Ukrainë dhe luhatjet e çmimeve në bursa, qytetarët janë ngritur në protesta duke kërkuar ndërhyrjen nga autoritetet përkatëse për vënien nën kontroll të çmimit dhe reduktimin e taksave që vilen tek karburantet.

nafta (acp.al)

nafta (acp.al)

Krahas shtrenjtimit të naftës në bursa, që arriti të mërkurën mbi 130 dollarë për fuçi, nga 90 dollare në dhjetor, nafta është ndikuar dhe nga zhvlerësimi i dollarit në vend, që është monedha më të cilin blihet ky product. Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më tepër për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre por rrjedhimisht nafta bën që të shtrenjtohen edhe një sërë shërbimesh të tjera.

Pas situatës së krijuar Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, që përfshin ndërmarrjet importuese të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, si dhe ato që e blejnë me shumicë në tregun e brendshëm. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt.

“Nisur nga disa shqetësime të raportuara nga media audio-vizive, për sa i përket një rritje të çmimit të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, Autoriteti i Konkurrencës ka monitoruar çmimin e karburantit naftë dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve, ku u konstatua se në muajt e fundit ka patur një rritje periodike të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës në tregun e shitjes me pakicë vjen si pasojë e rritjes së çmimit në tregun e shitjes me shumicë ku përfshihen ndërmarrjet importuese të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, si dhe ato që e blejnë me shumicë në treg të brendshëm. “- thuhet në njoftimin e Autoritetit të konkurencës.

Sipas Autoritetit, sjellja e ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë, mund të përbejë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës dhe për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë.

Tregtarët e mëdhenj e argumentojnë këtë shtrenjtim me rritjen e fortë të çmimit të karburanteve në tregjet botërore.

“Çmimet nga pikat e shumicës dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale, të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqësisht rritja e çmimeve në bursë javën e fundit ka qenë galopante. Sqarojmë se rezervat tremujore që mbahen sipas ligjit janë gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum,” thuhet në deklaratën e Shoqatës së Hidrokarbureve.

nafta (durres lajme )

nafta (durres lajme )

Rritja e ndjeshme e çmimit të karburantit gjatë ditëve të fundit ka vështirësuar situatën financiare për operatorët e transportit qytetës jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Përfaqësues të Unionit të Transportit deklaruan se për të përballuar shtrenjtimin e karburanteve duhet të rritet çmimi i biletës në 80 lekë dhe nëse kjo nuk ndodh falimentimi do të ndodhë brenda 3-4 ditëve.

"Operatorët nuk janë në gjendje të operojnë me 100% të kapacitet. Secili operator ka vendosur së paku me atë fuqi që ka me 20, 30, 70% të flotës së mjeteve të lëvizë, por siç e shohim sot, stacionet janë plot me njerëz, sepse edhe nafta në pikat e furnizimit do jetë diku tek 220 lekë për litër me shumicë. Kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar, që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë dhe ndërkohë t’u shërbejë qytetarëve. Nëse vazhdojmë kështu kapitullimi i transportit do të jetë për 3-4 ditë maksimalisht. Siç e pamë edhe operatori më i madh i transportit publik i cili është me subvencion nga shteti, hekurudha shqiptare ndërpreu shërbimin për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Ne jemi të varur drejtpërdrejtë nga ky çmim i rritjes së naftës dhe duke patur një heshtje totale nga instancat përgjegjëse ne konkretizuam pikat se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike. Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe më emergjente, më e rëndësishmja është rritja e çmimit të biletës. Kjo se do të jepte mundësi që të kishim transport publik në Republikën e Shqipërisë. Duke parë se çdo çmim tjetër i shportës është rritur... Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë, këtë rritje të çmimit të pakufishëm të naftës është llogaritur nga ekspertët tanë diku te 80 lekë për biletë një përdorimëshe. Në këtë formë do t’i japim një mundësi transportit që t’u shërbejmë qytetarëve. Pas studimit që ishte bërë kur ka qenë kryetar bashkie Rama dhe Basha çmimi i biletës ishte përllogaritur në 50 lekë për biletë. Nga ajo kohë deri sot, çmimi i naftës është dyfishuar”, u shpreh një operator transporti.

Përfaqësuesit e këtij sektori thonë se janë të detyruar të marrin këto hapa.

"Rritja vjen në vijim të mungesës së plotë nga organet përgjegjëse të një ndihme konkrete. Deri më sot nuk e kishim kërkuar rritjen e çmimit të biletës, por sot është zgjidhja për të shmangur kolapsin. Kjo është zgjidhja e fundit sepse nuk ka mbetur gjë tjetër. Ne nuk mund ta rrisim dot vetë biletën. Nga sot çdo operator bazohet në mundësitë e veta dhe ka vendosur që të reduktojë flotën bazuar në punën dhe të ardhurat që ka. Nëse çmimi nuk do rritet, nëse ndihma nuk do të ketë do të shkojmë drejt mbylljes totale të shërbimit sepse është e pamundur për të operuar", tha përfaqësuesi.

Anëtarë të Shoqatës të Transportit Qytetas ripërsërisin se për zgjidhjen e situatës qeveria duhet të marrë në konsideratë 2 opsionet e rekomanduara ose të ndërhyjë me uljen e taksës për karburantet ose të rrisë 100% çmimin e biletës. Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të përballuar koston e lartë që po shkaktohen rritja e çmimit të naftës.

Kërkesat e tyre janë që nga rimbursimi i TVSH-së në shitje, heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër; heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licensuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.