Efekteve të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë nuk i shpëton as ekonomia shqiptare. Ekspertët thonë se “dallga” e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të prekë edhe Shqipërinë dhe pasojat do të jenë të forta.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa (Panorama)

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa (Panorama)

Eksperti i ekonommisë Selami Xhepa ka deklaruar se “Zhvillimet e pritshme do të jenë mjaft negative. Siç kemi parë menjëherë çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare kaloi shifrën 100 dollarë për fuçi”.

“Është një ndikim shumë serioz në të gjitha tregjet evropiane. Nëse konflikti vazhdon të jetë serioz, sigurisht që edhe ndikimet do të jenë serioze. Ky do të jetë një çmim që do ta paguajë e gjithë shoqëria. Edhe pa konflikt ne kemi parë që rritja e çmimit ka qenë e ndjeshme, sidomos për mallrat ushqimorë. Masat e ndalimit të eksporteve të produkteve do të kishin një efekt edhe më të fortë dhe do të rrisin edhe më fort çmimet, kështu kërcënimi më serioz për ne do të ishte inflacioni. Nëse përshkallëzohet, ai do të shkonte në nivele të papërballueshme dhe për politikat do të ishte shqetësimi më madhor.”- theksoi eksperti Xhepa në një intervistë për mediat.

Fluturime nga Ukraina në Shqipëri 2021 (monitor )

Fluturime nga Ukraina në Shqipëri 2021 (monitor )

Frika më e madhe duket se për ekspertët janë drithërat. Një rritje e mëtejshme e çmimeve do të kishte pasoja të forta dhe do të çonte në falimentim kompani vendase, ndaj duhen marrë masa.

“Frika më e madhe është që duke qenë se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, janë prodhues të rëndësishëm botërorë të drithërave dhe të vajrave, kjo ka ngjallur një lloj paniku për impaktin që mund të ketë për ndërprejrjen e zinxhirit të furnizimit.”- tha Xhepa.

Sipas ekspertit Xhepa, është e pamundur që rritja e inflacionit të frenohet me politika monetare sepse rritja e normës së interesit do të kishte efekte shumë negative në shlyerjen e borxhit. Ndoshta sipas analizës së tij duhet që të flasim për elementë të ndërhyrjes si ngrirja e çmimit të disa produkteve. Analisti këshillon se mund të kalohet në një ndërhyrje direkte.

“Për disa produkte duhet konsideruar barra fiskale, flas për naftën sepse barra fiskale është më shumë se gjysma e çmimit që paguan konsumatori. Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës vijon në treg edhe në nivelet aktuale, duhet rikonsideruar nga qeveria heqja e disa taksave.”- tha Xhepa.

Vetëm gjatë vitit që kaloi, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, Shqipëria bleu nga jashtë një sasi prej 272 mijë kuintalë drithëra dhe rreth 70% e sasisë rezulton të ketë ardhur nga Rusia. Frika më e madhe është një vendim i mundshëm i Rusisë dhe Ukrainës për të ndërprerë eksportet që mund të çojë në rritje të çmimeve të mëtejshme apo edhe krizë furnizimi.

Arben-Shkodra (start up live) jpg

Arben-Shkodra (start up live) jpg

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë ka shpjeguar edhe më herët për mediat impaktin që kanë vendet e përfshira në luftë në furnizimin me drithëra.

“Rusia është vendi i parë në botë sa i përket eksportit të drithrave. Ukraina është i treti. Imagjinoni që dy hambarë të mëdhenj futen në konflikt dhe ngërc, që nuk prek vetëm politikën, por prek shumë ekonomi, si dhe tregun, të mbjellat dhe transportet e tyre. Kështu që duke qënë se ne varemi tërësisht nga importi , atëherë patjetër që ne ndikohemi nga çdo luhatje humori gjeopolitike në vende dhe tregje ku ne jemi importues”- tha Shkodra.

Në këtë situate, kur lufta ka nisur nëse flasim për stoqe me rezerva, Shipëria ka për një periudhë të caktuar jo më shumë se 3 muaj.

“Tregtarët tanë të miellit kanë stok 2 apo 3 muaj. Ata nuk kanë kapacitete depozituese apo likuiduese kaq të mëdha për të përballuar një periudhë tensioni në 6 muaj” – shprehet Arben Shkodra.

Prodhime gruri (telegrafi . al)

Prodhime gruri (telegrafi . al)

Përballë situatës së krijuar me luftën, shtetet që kanë varësi nga vendet si Rusia dhe Ukraina, do të drejtojnë sytë nga vendet alternative, thonë ekspertët.

“ Njerëzimi gjithmonë ja ka dalë duke gjetur në zgjidhje alternative. Padyshim do të ketë rritje çmimi dhe normalisht duke u rritur çmimi malli bëhët më i paarritshëm për konsumatorin. Këto janë situata që krijohen në një shtet të dobët ekonomik. Të paktën baziken duhet ta kemi të siguruar në vend, sepse në kohë krizsh konjuktura botërore ndodh që nuk të përgjigjet”, shprehen ekspertët.

Ndërsa retë e konfliktit u shfaqën mëngjesin e 24 shkurtit në Ukrainë mbi këtë vend prej 40 milionë banorësh, shumë shtete po ndiejnë pasiguri edhe në sektorin e turizmit, që mendohet të pësojë një kolaps nga ky tension. Edhe përgjatë këtij sezoni turistik pritej që Shqipëria gjithashtu të ishte një destinacion i rëndësishëm për turistët nga Rusia dhe Ukraina. Aktorët e tregut të tur-operatorëve thonë për mediat se kjo luftë mendohet të ketë pasoja katastrofike, në të gjitha tregjet turistike ku ukrainasit përbëjnë pjesën maxhoritare.

Rrahman Kasa Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar (Abcnews.al)

Rrahman Kasa Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar (Abcnews.al)

Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar shprehet se për sa i përket përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, efekti negativ është i madh dhe problemi qëndron edhe tek skema si funksionojnë prenotimet. Partnerët ndërkombëtarët kanë disa kontrata garancie që kanë paguar 20- 40 % të ofertës turistike si parapagim dhe janë të shqetësuar për paratë e tyre. Pra ekziston frika që qytetarët të kërkojnë paratë mbrapsht dhe kjo vë në vështirësi strukturat turistike në Shqipëri.

Në vitin 2021, sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në korrik- gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina. Turistët nga Ukraina vjet zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas turistëve polakë, që kaluan pushimet në Shqipëri.