Komisioni Evropian miratoi Programin e Punës për nismën “Evropa Kreative 2022”. Me një buxhet prej rreth 385 milionë euro, gati 100 milionë më shumë se në vitin 2021, “Creative Europe” forcon mbështetjen për partnerët në sektorët kulturorë dhe krijues duke marrë parasysh sfidat që dalin nga kriza e pandemisë dhe konkurrenca në rritje globale.

Europa Kreative, seksioni për videolojërat (Foto Eurifinance)

Europa Kreative, seksioni për videolojërat (Foto Eurifinance)

“Sektori kulturor dhe krijues janë shpirti i shoqërisë evropiane dhe ne e dimë se sa elastik kanë qenë ata gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2022 Evropa Kreative do të përfitojë nga dhurata më e madhe ndonjëherë”, -deklaroi Mariya Gabriel, euroomisionerja për Inovacionin, Kërkimin dhe Kulturën, Arsimin dhe Rininë.

Sipas saj, BE-ja do të qëndrojë pranë këtyre sektorëve për të mbështetur rimëkëmbjen e tyre, procesin krijues dhe potencialin e inovacionit. Në këtë projekt ftohen artistë, krijues dhe profesionistë të kulturës të eksplorojnë mundësitë e shumta të financimit të ofruara nga Evropa Kreative.

Eurokomisioneri për Tregun e Brendshëm Thierry Breton deklaroi se do të shtohet mbështetja për sektorët kulturorë dhe krijues evropianë, nga kinematë te festivalet, të cilët janë goditur rëndë nga kriza COVID-19. Me programin "Evropa Kreative", sipas Breton, do të mobilizohet shuma e paprecedentë prej 226 milionë për sektorin audioviziv dhe 35 milionë për bashkëpunimin ndërsektorial, përfshirë median.

Creative Europe, (foto Ednetwork)

Creative Europe, (foto Ednetwork)

“Creative Europe”, shton Breton, do të investojë për inovacionin në fushën e teknologjive digjitale dhe në llojet e reja të përmbajtjes, nga serialet televizive me cilësi të lartë deri te realiteti virtual.

“Si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur lirinë e medias në BE, ne do të financojmë partneritete gazetareske, do të forcojmë standardet profesionale dhe do të promovojmë edukimin mediatik”, -theksoi Breton.

Seksioni i kulturës i programit do të përfshijë thirrje dhe iniciativa të reja për sektorët e muzikës, trashëgimisë kulturore, artit skenik dhe letërsisë. Gjithashtu do të nisë një program mobiliteti i cili do t'u ofrojë artistëve, krijuesve ose profesionistëve të kulturës mundësinë për të udhëtuar jashtë vendit për zhvillimin e tyre profesional ose bashkëpunime ndërkombëtare dhe për të arritur audiencë të re, për të bashkëprodhuar, krijuar së bashku ose për të prezantuar punën e tyre.

Seksioni media fokusohet në sektorin audioviziv dhe disa veçori të reja do të prezantohen në vitin 2022. Do të financohet mbështetja për zhvillimin e videolojërave inovative dhe përvojave të realitetit virtual. Një veprim i ri, "MEDIA 360º", do të synojë forumet kryesore industriale që ndërveprojnë me bizneset në të gjithë zinxhirin e vlerës së sektorit audioviziv. Për të promovuar më tej inovacionin, do të hapet portali i tregut MEDIA për start-up-et premtuese. Bashkëpunimi mes festivaleve të filmit do të forcohet nëpërmjet rrjeteve.

Së fundi, seksioni ndërsektorial do të rrisë fondet për Laboratorin e Inovacionit Kreativ për projekte të përbashkëta inovative që përfshijnë sektorë të ndryshëm krijues, duke kontribuar gjithashtu në Bauhaus-in e ri evropian. Mbështetja për median do të zgjerohet edhe përmes masave të mëtejshme për promovimin e lirisë së medias.

Evropa Kreative do të trajtojë gjithashtu çështjet kyçe që prekin sektorët kulturorë dhe krijues. Projektet e financuara nga MEDIA do të duhet të zbatojnë strategji ekologjike dhe të diversitetit, duke përfshirë balancën gjinore.

Evropa Kreative do të japë një kontribut të rëndësishëm në prioritetet e politikave të Komisionit Evropian për qëndrueshmërinë dhe përfshirjen. Programi do të përfshijë iniciativa që adresojnë prioritetet e tjera të BE-së, të tilla si kontributi në strategjinë e BE-së për të luftuar antisemitizmin dhe mbështetjen e jetës hebreje dhe Vitit Evropian të Rinisë.

Sektorët kulturorë dhe krijues inkurajohen gjithashtu të përdorin “CulturEU”, udhëzuesin online të lançuar së fundi, kushtuar të gjitha financimeve të BE-së në dispozicion të tyre. Faqja interaktive e internetit mbledh gjithsej 75 mundësi financimi nga 21 programe të ndryshme të BE-së, nga Europa Kreative dhe Horizonti Evropa deri te Fondet Strukturore dhe “InvestEU”.

Europa Kreative, investimi për filmat (Foto Diariodellaformazione)

Europa Kreative, investimi për filmat (Foto Diariodellaformazione)

Komisioni Evropian ka publikuar së fundmi programin e punës për vitin 2022 në lidhje me Evropën Kreative. Ky është dokumenti që përcakton burimet e shpërndara dhe veprimet që do të financohen në vitin aktual në kuadër të programit kryesor të financimit të BE-së në mbështetje të kulturës dhe krijimtarisë.

Gjatë vitit 2022, një total prej 385 milionë euro janë vënë në dispozicion për “Creative Europe”, pothuajse 100 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Këto burime, të disbursuara veçanërisht përmes thirrjeve për projekte, tenderë dhe çmime, do të ofrojnë mundësi të shumta financimi brenda tre seksioneve të programit; seksioni i kulturës që mbështet të gjithë sektorët kulturorë dhe krijues, me përjashtim të sektorit audiovizual; seksioni i medias i dedikuar posaçërisht për mbështetjen e sektorit audioviziv dhe filmik; seksioni ndërsektorial i cili promovon veprime inovative midis kulturave të ndryshme dhe krijuese, mbështet bashkëpunimin në politikat kulturore dhe forcimin e sektorit të medias në Evropë.

Në lidhje me thirrjen për propozime për projekte të bashkëpunimit evropian, duhet theksuar në veçanti se 20% e burimeve të alokuara do të ndahen për të mbështetur projekte që synojnë prioritetet specifike sektoriale të identifikuara. Përveç sektorëve të muzikës, librit dhe botimeve, arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore, gjatë këtij viti do të konsiderohen edhe sektorët e dizajnit, modës dhe turizmit të qëndrueshëm kulturor.

Në kuadër të seksionit Media, do të hapet thirrja për propozime, e ndarë në tre grupime tematike, mes të cilave edhe inkurajimi për bashkëpunimin dhe inovacionin në krijimin dhe prodhimin e veprave me cilësi të lartë.

Ndër risitë e këtyre thirrjeve vihet re “Media 360°”, një veprim i ri që synon forumet kryesore industriale që ndërveprojnë me kompanitë përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës së sektorit audioviziv. Gjithashtu, në vitin 2022 pothuajse të gjitha mundësitë në seksionin Media do të sjellin stimuj shtesë financiarë për të inkurajuar lulëzimin e sektorit të synuar.

Përgatiti: Irma Paloli