Gjatë vitit 2021 në Shqipëri hynë rreth 5.7 milionë turistë apo 11.2 për qind më pak sesa viti 2019, raportoi Insituti i Statistikave në publikimin e të dhenat zyrtare. Si e analizojnë aktorët e sektorit situatën? Në një intervistë për mediat Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa tha se viti që kaloi ishte mbi pritshmëritë.

Shqipëria turistike (ATSH)

Shqipëria turistike (ATSH)

“Viti që kaloi ishte mbi pritshmëritë që ne kishim, sepse duke patur parasysh situatën e rënduar nga pandemia dhe duke iu referuar vitit 2020 mendonim që përderisa pandemia nuk kishte kaluar dhe gjithmonë ka rikthime shifrash të frikshme, mendonim që do të ishte goxha më keq dhe në fakt nuk ndodhi ashtu. Edhe sipas shifrave të referuara INSTAT-it dhe duke pasur parasysh gjithë këtë përmbledhje të shifrave, mendojmë që ishte mbi pritshmëritë tona. Pra, ishte një vit i mirë krahasuar me situatën ku ne ndodhemi aktualisht”, u shpreh ai.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa (Facebook)

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa (Facebook)

Goditja që dha pandemia nuk është rikuperuar në dëmin që solli në sektorin e turizmit, si ndër më të goditurit.

“Nuk themi dot që jemi kthyer në vitin 2019 për sa i përket realizimit ose arritjeve në turizëm, sepse viti 2019 ishte viti më i mirë turistik i të gjitha kohërave për Shqipërinë dhe për fat të keq pati një dëm të madh në industrinë e turizmit, pasi duke iu referuar kontratave për vitin 2020 ne kishim 35-40%. Gjë e cila nuk u realizua, por industria e turizmit pësoi një shok, një goditje shumë të rëndë, një kolaps. Ne shpesh themi midis njëri-tjetrit që viti 2020 nuk quhet në turizëm. Ishte mbi pritshmëritë tona kur arritëm mbi 5 milionë turistë, duke pasur parasysh që viti 2019 kishte 6 milionë e 200 mijë turistë.” – shton për mediat Kasa.

Bregdeti shqiptar (ATSH)

Bregdeti shqiptar (ATSH)

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Kasa sjell një analizë të atyre që kontribuan më shumë në përbërjen e turistëve për vitin që kaloi.

“Patjetër që janë turistët që vijnë nga Republika e Kosovës, që përbëjnë peshën më të madhe të turizmit shqiptar, por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe turistët nga Evropa Lindore, sidomos turistët nga Polonia që ishin një numër goxha i madh. Po kështu kemi turistët nga Maqedonia e Veriut, por edhe turistë nga vende të tjera të rajonit. Kishte një risi sepse kishte një rritje të turistëve nga Serbia, por edhe turistë që janë shtetas shqiptarë me pasaporta të huaja, që futen në numrin e turistëve që vijnë nga Italia, Gjermania edhe nga vende të tjera ku jetojnë shqiptarë”, theksoi Kasa.

turistet (gazeta si)

turistet (gazeta si)

E ndërsa na ndajnë vetëm pak muaj nga afrimi i sezonit të ri turistik, përfaqësues të tur- operatorëve bëjnë thirrje që të merren masa nga autoritetet përkatëse për të garantuar një sezon të suksesshëm.

“Ka shumë gjëra për të qenë më mirë sepse ne e dimë që turizmi ka shumë probleme, probleme të mbartura dhe probleme të reja të krijuara. Ne dhe gjatë këtyre muajve kemi bërë disa takime me ministren e turizmit ku ia kemi evidentuar gjithë problemet që ka turizmi dhe kërkesat që ka komuniteti i biznesit. I kemi lënë asaj dhe një draft të një memorandiumi bashkëpunimi midis Unionit Turistik dhe Ministrisë së Turizmit me rreth 16 kërkesa permanente të komunitetit. Ajo që vitin që shkoi ishte një problematikë në vete, ishte fasha e orarit që për mendimit tim nuk duhej të ishte sepse nuk ka kuptim. Ora 23:00 ndërkohë që turistët vijnë për t’u argëtuar, ti i le të lirë dhe në fund u ve një kufizim”- shton Kasa.

turizem-ne-Shqiperi (dosja.al)

turizem-ne-Shqiperi (dosja.al)

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar thotë se ka patur takim në Durrës me Ministren e Turizmit me përfaqësues të sektorit hotelier dhe janë ngritur problemet që duan zgjidhje si rikualifikimi i zonave.

“Ne kishim një takim në Durrës me ministren e turizmit dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit para dy ditësh dhe aty i bëmë evidente problemet. Zona e bregdetit Durrës-Kavajë ka numrin më të madh të turistëve në Shqipëri. Por jo vetëm ky destinacion, por të gjithë destinacionet turistike që ka Shqipëria që thithin turistë të huaj, duhet të japin impaktin e një zone turistike. Ne morëm një premtim nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit që do të ketë një rikualifikim urban, që do të ketë një ndryshim qoftë në gjelbërmin apo rehabilitimin e zones, e cila do t’i japë impakt turistit që vjen për pushim në një zonë turistike. Është një problem i madh për shembull se gjatë verës vazhdojnë ndërtimet, që duhen evidentuar dhe i duhet dhënë një satisfaksion turistit. Kemi probleme te pastrimi, te plehrat, që ndosin gjithë Shqipërinë. Në fakt është marrë një nismë, një aksion për këtë nga ministrja e re”, është shprehur Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar.