Biznesi “Pedalo në Belsh” si një sipërmarrje në fushën e turizmit dhe në shërbim të vizitorëve vendas dhe të huaj, ka si qëllim Guidën me biçikleta drejt bukurive natyrore të Belshit, ndër to 84 liqenet natyrorë. Në këtë biznes jepet shembulli se si një i ri, me ide ka përfituar nga fonde të huaja dhe sot ka bërë realitet një ëndërr në qytetin e tij.

Ecje me biçikleta (Facebook)

Ecje me biçikleta (Facebook)

Albert Hysa na tregon më shumë për veten dhe rrugëtimin në këtë sipërmarrje të veçante për të rinjtë dhe turizmin.

“Quhem Albert Hysa. Jam 27 vjeç. Jetoj në qytetin e Belshit. Kam përfunduar studimet në degën Shenca Juridike në Sektorin Publik. Në vitin 2019 kam themeluar një biznes të vogël, startup, biçikleta me qira në qytetin e Belshit. Themelimi i ketij biznesi erdhi falë mbështetjes me grant nga organizata “Partners Albania”. Kjo organizatë shpalli një thirrje për aplikim në vitin 2019, konkursin e “Ideve të Gjelbërta”, ku çdo i ri mund të aplikonte me një ide biznesi të gjelbër. Unë aplikova me idenë e krijimit të biznesit të biçikletave. Kalova fazën e parë dhe faza e dytë kishte të bënte me prezantimin para jurisë të Idesë së Biznesit ku cilido i ri kishte një ide të tillë. Prej andej ideja ime doli fituese si ideja më e mirë inovative dhe si një risi në qytet, duke qenë se ky shërbim mungonte”- shprehet Hysa.

Liqeni i Belshit (Facebook)

Liqeni i Belshit (Facebook)

Aktiviteti ka nisur me vetëm 10 biçikleta, të cilat janë kthyer në mjet përfitimi për të riun, i cili dita ditës mendon të zgjerojë më tej shërbimet.

“Pra me mbështetjen e Partners Albania themelova biznesin startup me 10 biçikleta ku fillova t’i jepja me qira në qytetin e Belshit. Biznesi pati një vijueshmëri shumë të mirë për shkak se ishte inovativ dhe mungonte shërbimi në qytet, por edhe një plotësim kërkesash nga ana e vizitorëve duke qenë se vinin në Belsh dhe nuk kishin diçka argëtimi”, tregon ai.

E ndërsa ka marrë mbështetje tek projekti i parë, nuk janë ndalur përpjekjet për të përfituar projekte të tjera në funksion të zgjerimit dhe përmirësimit.

“Më pas për të shpjeguar vijueshmërinë e biznesit, në vitin 2020 aplikova në një tjetër thirrje. Kjo thirrje kishte dalë nga një organizatë maqedonase dhe kishte synim të mbështesë ato biznese të cilat sapo ishin krijuar, t’i mbështeste me grant për zgjerim të tyre. Aplikova dhe dola fitues dhe arrita ta zgjeroj biznesin me 10 biçikleta të tjera të reja. Pra, me mbështetjen e Organizatës Partners Albania dhe organizatës maqedonase arrita të kem 20 biçikleta. Ndërsa 10 biçikleta të tjera i bleva me anë të fitimeve të biznesit, sepse biznesi gjatë gjithë kohës gjeneronte të ardhura, thotë sipërmarësi i ri.

Periudha e pandemisë ka shënuar një goditje edhe në biznesin e ndërtuar nga Albert Hysa.

“Problemi i vetëm ishte ose ka qenë pandemia e Covid-19 për shkak se bizneset të gjitha u mbyllën, njerëzit nuk lëviznin dhe pati padyshim një rënie të ardhurash sepse biznesi për muaj me rradhë nuk gjeneronte të ardhura. Më pas pas rihapjes biznesi filloi të gjenerojë përsëri të ardhura, por jo në atë sasi që gjeneronte më parë sepse edhe pandemia la pasojat e veta.”, shprehet Hysa.

Teksa ka përfituar nga kjo mbështetje me fonde të huaja, Hysa i bën thirrje të rinjve të shfrytëzojnë çdo mundësi, të mos dorëzohen dhe të ndjekin pasionin dhe ëndërrat për të realizuar diçka sepse mënyrat gjenden.

Pedalo në Belsh (Facebook)

Pedalo në Belsh (Facebook)

“Thirrja ime për të gjithë të rinjtë është që t’i shohin këto thirrje për aplikime sidomos thirrje për aplikime në këtë kontekst që unë po flisja deri tani, sepse janë mundësi të mira që një i ri me kosto zero të krijoj një biznes të tij. Ndërsa thirrja ime apo ajo që mua do të më ndihmonte në këto kohë do të ishte përfshirja në programe të ndryshme mentorimi, këshillimi për shkak se do të më ndihmoni si të menaxhoja biznesin, por edhe si t’u përfshija në programe të tjera që më pas sjellin grante dhe ndihmojnë në ecurinë e biznesit por ndihmojnë edhe në zgjerimin e tij”, thotë ai.

Nëpërmjet biçikletave janë ndërtuar guida të ndryshme. Guida e parë me biçikleta është e realizueshme në Liqenin e Belshit nëpërmjet korsisë së biçikletave rreth Liqenit me distance 2. 5 km. Në këtë itinerar do të shikoni sheshin e qytetit, molat turistike të drunjtë brenda në Liqen , kullën panoramike të qytetit, këndet sportive, amfiteatrin e qytetit , karruzelin dhe hapësirat e gjelbërta dhe rekreative të ndërtuara së fundmi. Një tjetër guidë është pedalimi drejt fshatit turistik Seferan me biçikleta Gt bike ose city bike. Itinerari është Belsh -Seferan me distancë 3 kilometra dhe pedalim 25 minuta. Pasi arrijmë në fshatin turistik në Seferan vizitojmë bujtinat komode plot shije “Dumrea Rubin” dhe “Bujtinën e Trëndafilave”.

Biçikleta (Facebook)

Biçikleta (Facebook)

E preferuar eshte edhe guida me biçikleta nga sheshi i qytetit drejt Liqenit më të bukur në Dumre, siç është ai i Degës ose ndryshe i Luleve, liqen ky që ka formën e hartës së Shqipërisë. Distanca nga Belshi drejt Liqenit të Degës është afërsisht 8 kilometra dhe 40 minuta me pedalim.