Nga 10 janari nisi procesi i aplikimeve për përfitimin e granteve nëpërmjet thirrjes të katërt të programit IPARD II. Programi do të mbështesë industrinë e turizmit rural, artizanatit dhe manifakturës. Por cilat janë procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë bizneset e interesuara deri në 25 shkurt, kur përfundon faza e aplikimeve? Drejtoresha e AZHBR-së, Eranda Selmanaj tregon për mediat detajet se si mund të përfitojnë qytetarët nga këto grante.

Biznes në fshat (Monitor )

Biznes në fshat (Monitor )

“Aktualisht ne kemi hapur thirrjen për aplikime nga data 10 janar dhe presim aplikime deri në datën 25 shkurt, ku kemi filluar një fushatë informimi në 12 qarqe të vendit me takime nga specialistët e stafit teknik të AZHBR-së dhe Ministrisë së Bujqësisë për të shpjeguar të gjitha procedurat, mënyrën e aplikimit dhe dokumentacionin që aplikantët në këtë thirrje ku fokusi është turizmi rural dhe sektori i artizanatit dhe industrisë së manifakturës. I gjithë ky proces ndodh edhe nëpërmjet një fushate informuese shumë transparente në faqën në web të AZHBR-së dhe në faqen e dedikuar programit IPARD që është www.ipard.gov.al ku kemi udhëzuesin për aplikantë dhe nga këtu fillon procesi i përgatitjes së një aplikimi. Shkarkohet një formular i aplikimit ku janë të listuara të gjithë dokumentet për aplikim. Më pas për çdo projekt duhet të kemi një plan biznesi, që tregon rentabilitetin dhe treguesit ekonomik të këtij projekti, tre oferta për çdo zë investimi dhe më pas është pronësia e tokës ku do të kryhet ky investim. pra të gjithë aplikantët potencialë duhet të jenë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që mund të jetë person fizik, juridik, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor apo sipërmarrje jobujqësore që ka të punësuar deri në 50 punonjës, në xhiro deri në 2.4 milionë euro.”- tha Selmanaj per mediat.

Eranda Selmanaj (azhbr)

Eranda Selmanaj (azhbr)

Projekti perkrah investimet në zonat ruruale.

“Fokusi i këtij programi është që të gjithë investimet duhet të jenë në fshat, zonat rurale janë objekti programit, ku duhet të kemi investime, punësim dhe gjithashtu është shumë e rëndësishme sepse jepet fokus zonave malore. Në kriteret e vlerësimit me pikë të programit çdo investim që është në një zonë të thellë malore, merr avantazh konkurrues në raport me projektet e tjera që janë në zonat fushore. Apo aplikantet femra, ose çdo kompani që ka të punësuar 30% gra, ka avantazh konkurrues në vlerësimin me pikë. Fermerët e rinj gjithashtu janë të avantazhuar, ata që janë nën 40 vjeç, pasi në kriteret e miratuara në këtë program, fokusi është të rikthejmë rininë në fshat, të bëjnë investime në bujtinat ekzistuese, shtëpitë e familjes dhe ta kthejnë në një atraksion turistik dhe kjo do të gjenerojë rigjallërimin e jetës në fshat, punësime, promovimin e produkteve tradicionale të zonës dhe ajo që ne kemi, kultura, tradita, që të vijnë të gjithë turistët e huaj apo dhe shqiptar që të kalojnë më shumë kohë në fshat”, u shpreh ajo.

Të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri duhet te plotësojnë këto kritere:

“Kushdo që është i interesuar mund të aplikojë, por duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nuk ka nevojë të ketë një historik për këtë aktivitet, mund ta fillojë një aktivitet të ri si startup, që ka një ide, një projekt dhe ta zgjerojë gjithashtu ta bëjë këtë projekt që të ketë një impakt në zonën ku do të kryhet ky investim. Limiti është që të jenë në fokus të programit sipërmarrjet e vogla rurale dhe jo bizneset dhe sipërmarrjet e mëdha. Ka një kufi që e ka ligji shqiptar që janë mikronjësitë, dhe këto janë limite si për xhiro, edhe për numrin e punonjësve”, thotë drejtuesja e AZHBR-së.

Selmanaj sqaron se AZHBR bashkë me ministrinë u ka bërë kërkesë strukturave në Bruksel që për herë të parë në programin IPARD në Shqipëri të ketë parapagesa.

IPARD (Ministria e Bujqesise )

IPARD (Ministria e Bujqesise )

“Maksimumi në këtë thirrje për aplikim që është fokus vetëm masa 7, diversifikimi dhe zhvillimi i turizmit rural është deri në 400’000 euro që është i gjithë investimi, kurse granti është 65% i kësaj vlere, pra rreth 260’000 euro që shteti jep grant në formë bashkëfinancimi, pasi 35% të projektit duhet ta financojë vetë aplikanti. Megjithatë për të lehtësuar edhe likuiditetin dhe çështjen financiare, strukturat AZHBR bashkë me ministrinë u kemi bërë kërkesë strukturave në Bruksel që për herë të parë në programin IPARD në Shqipëri kemi parapagesat, ku në momentin e lidhjes së kontratës, çdo aplikanti i lind e drejta që brenda 3 muajsh të kërkojë një parapagesë për financimin e projektit në vlerën deri në 50% të grantit të miratuar. Dhe parapagesa nga agjencia kryhet nëpërmjet një garancie bankare, ose një garancie sigurimi për këtë vlerë. Kjo është për t’i dhënë një dorë të gjithë aplikantëve të rinj potencialë që të fillojnë projektin dhe mos të kenë vonesa në procesin e disbursimit të kredisë apo likuiditetit, që i nevojitet për të filluar projektin. Qeveria shqiptare ka edhe një mekanizëm për të ndihmuar procesin e dhënies së pagesave financiare nëpërmjet fondit të garancisë ku fondi i garancisë në marrëveshje me bankat e nivelit të dytë mbështet fermerët ose projektet në bujqësi në normën e interesit dhe në kolateralin në lidhje me këto projekte, për të fasiliduar marrjen e financimit”, thotë Selmanaj.

Dorëzimi i aplikimeve ka filluar nga data 10 Janar 2022 dhe vazhdon deri në datën 25 Shkurt 2022, nëpërmjet dërgesës postare apo dorazi. Tejkalimi i afatit dhe dërgesa në forma të tjera, janë skualifikuese për aplikantët.