E ndërsa nafta ka pësuar shtrenjtim gjatë kohëve të fundit jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende të botës, ekspertët analizojnë mundësitë se si mund të ulet barra e taksave tek to. Një nga arsyet që në Shqipëri nafta shkon e shtrenjtë tek konsumatori është fakti që tek ajo vilen një sërë taksash. Në një litër karburant ka 7 taksa, Akciza, Qarkullimi, Karboni, Rilicensimi, Skanimi, Markimi dhe TVSH-ja.

Karburanti (news1.al)

Karburanti (news1.al)

Të gjitha së bashku bëjnë gati 110 lekë. Dael Dervishi ekspert i hidrokarbureve, ish drejtor i Agjencise Kombetare të Burimeve Natyrore analizon shkaqet e rritjes së çmimit dhe mënyrën e ristrukturimit të taksave.

“Ndikimi në tregjet ndërkombëtare jep efektet e saj edhe në vendin tonë. Në fakt vendi ynë zbaton një model ekonomik, i cili bazohet kryesisht në ngarkimin e naftës me disa taksa. Pra, janë rreth 7 taksa dhe këto e çojnë mbi 70% të vlerës ngarkesën tatimore mbi çmimin e naftës. Pra, çmimi i produktit bazë është rreth 20 e ca përqind i atij çmimi që ne shikojmë në tabelat e pompave të benzinës, pjesa tjetër janë të gjitha taksa. Dhe ky është një model ekonomik që është zbatuar në 15 vitet e fundit pak a shumë në vendin tone, për arsye sepse është mënyra më e thjeshtë, më komode për të mbledhur taksa nga produktet e naftës, të cilat konsumohen gjerësisht, kontrollohet më lehtë për të evituar evazionet fiskale në shitjen e produktit. Kështu që, qeveria përfiton direkt dhe pa shumë mundim të ardhurat buxhetore nga ky produkt”- tha Dervishaj.

Por si do te ndikonte ristrukturimi i taksave tek nafta?

“Në qoftë se ne do ta rishpërndajmë është e vërtetë që qeveria do të ketë po atë të ardhur nga taksat sepse qeveria atë synon, por nëse ne ja heqim naftës dhe ia kalojmë një produkti tjetër, ne mund ta stimulojmë ekonominë, mund të ketë forma për ta stimuluar ekonominë, sepse nafta e ngarkon qytetarin në mënyrë të vazhdueshme dhe në mënyrë të përditshme. Pra nëse kjo pastaj do t’i kalojë një produkti tjetër ku qytetari është më pak i ekspozuar ndaj tij mund të rrisë konsumin, kështu që mund të ndihmojë ekonominë në forma të tjera.”- thotë eksperti.

Sinjalet për një shtrenjtim të karburantit kanë qenë të hershme.

“Arsyeja kryesore në fakt është nervozizmi që vjen nga tregjet ndërkombëtare të tregtimit të hidrokarbureve. Ne kemi filluar që para dy vjetësh, që kur u shpall pandemia kemi parë që sektori i naftës, i gazit dhe i energjisë në përgjithësi ka kaluar në një krizë për shkak të uljes së madhe të konsumit të këtyre produkteve. Duke pasur parasysh që prodhimi ishte i lartë dhe mbeti i pandryshueshëm dhe konsumi u ul në mënyrë drastike dhe të papritur, atëherë që aty filloi të disekuilibrohej oferta me kërkesën. Nga ai moment ne kemi pasur vetëm destabilitet të këtij çmimi”- thote Dervishi.

Nxjerrja e naftës(albinfo)

Nxjerrja e naftës(albinfo)

Sa mund të vazhdojë kjo situate ? Për sa kohë qytetarët do të vazhdojnë të blejnë karburantin me një çmim të lartë ?

“Nëse do të ndodhë një konflikt i armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës sigurisht që çmimi do të vazhdojë të rritet, sepse Rusia është një nga vendet kryesore që e furnizon me hidrokarbure Evropën, me naftë dhe me gaz. Ndaj mund të ketë një krizë midis marrëdhënies së Rusisë për shembull me vendet e Evropës. Me këtë situatë në të cilën ndodhemi sot nuk ka asnjë arsye se pse çmimi të ulet”, shpjegon Dervishi.

Për të mbajtur çmimet stabël një mundësi është dhe krijimi i rezervave të naftës.

“Rezervat përdoren në raste krizash, pra në raste kur ka skarcitet të produktit, por sigurisht q ëmund të përdoren edhe për të mbajtur stabël një çmim të caktuar, të hidrokarbureve, të naftës në këtë rast. Por në fakt rritja e çmimit ka qenë një tendencë jo vetëm e javëve të fundit, por e viteve të fundit. Kështu që rezervat këtu mund të ndikojnë shumë pak në mbajtjen stabël të çmimit. Unë mendoj që për të ulur çmimin e naftës mund të ndikojë një politikë e re e qeverisë.”

Shpesh ne Shqiperi , qytetaret ankohen per cilesine e naftes. Ekspertet bejne thirrje qe per kete te kete kontrolle te here pas hershme.

“Cilësia është një problem që është hasur në vite në vendin tonë. Mendoj që kontrollet, monitorimi i vazhdueshëm i organeve përkatëse të qeverisë, por edhe të koncensionarëve privatë që janë të ngarkuar me këto përgjegjësi ligjore, sa më të shpeshta dhe sa më të rregullta të jenë ato aq më shumë do të ç’kurajohen tregtuesit e naftës nga abuzimi me cilësinë e naftës”, shprehet ai.

A ka Shqipëria mundësi të prodhojë naftë për konsum të automjeteve? Për ekspertët duhet ende shumë punë.

Eksperti DaelDervishi (globalalbanians)

Eksperti DaelDervishi (globalalbanians)

“Deri më sot nafta që është prodhuar në vend në fakt konsiderohet si një naftë e rëndë, kryesisht i fushës së Patos-Marinzës dhe kjo është një naftë që pothuajse gjysma e saj shkon në eksport, gjysma e saj rafinohet në vend dhe një pjesë e saj përdoret edhe në tregun e brendshëm. Ne kemi bërë zbulime të vendburimeve të reja të naftës, të cilat janë të një cilësie shumë më të lartë sesa nafta e Patos Marinzës. Këto vendburime kanë qenë pak të fjetura vitet e fundit dhe kompanitë përkatëse që janë duke i operuar këto vendburime ende nuk kanë kaluar në fazën e prodhimit, por kanë mbetur në fazën e vlerësimit”, sipas ekspertit.

Nafta ne vend tregtohet me rreth 190-192 lekë, ndërsa benzina deri në 194 lekë. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 44 lekë për litër, ose rreth 30%. Arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa.