Vlera Haxhiraj nga Vlora është me profesion në fushën bankare, por hap pas hapi po ndërton biznesin e saj në një tjetër drejtim plot ngjyra, që plotëson pamjen e çdo femre. Bëhet fjalë për artin japonez të bizhuterive të quajtur “MiYuki”. Këtzo bizhuteri në dukje të vogla, kanë tërhequr shumë vëmendjen e klienteve shqiptare . Kohët e fundit punimet me dorë kanë marrë një vlerë tjetër, dhe këto punime kaq të veçanta, ardhur nga kontinenti aziatik janë një vlerë e shtuar edhe për Shqipërinë.

Punim me rruaza (Instagram)

Punim me rruaza (Instagram)

Rruazat Miyuki janë rruaza cilindrike xhami jashtëzakonisht të njëtrajtshme, të cilat vijnë në katër madhësi dhe një mori ngjyrash. Rruazat kanë një formë tubi ose cilindri. Vlera tregon për ne se si nisi rrugëtimi i saj me këtë biznes kaq tërheqës. Interneti ka qenë shtysa e parë, pasi aty është njohur me këtë teknikë.

“Gjithmonë i kam pasur qejf bizhuteritë, të kombinohesha me to. Ndonjëherë ato të dukeshin pak më të mëdha dhe të veçonin më shumë nga veshja, të dominonin. Më vonë me kalimin e kohës, duke provuar që të zhvilloj produktet e mia, interneti më ka prezantuar me produktet e bizhuterive të prodhuara me rruazat japoneze miyuki. Por përveç kësaj më intrigonte shumë fakti sesi kishte mundësi që me një stil minimalist ti mund të bëje kaq shumë kombinime ngjyrash, të cilat mund t’i përshtateshin kërkesave nga më të ndryshmet, të personave të ndryshëm, duke filluar që nga ngjyrat, dizenjot e kështu me rradhë.”- shprehet Vlera.

Vlera Haxhiraj (Instagram)

Vlera Haxhiraj (Instagram)

Sfidë në hapat e parë për Vlerën ka qenë sigurimi i lëndës së parë.

“Duke lexuar në mënyrë të vazhdueshme për to dhe duke zhvilluar produktet e mia kuptohet që sfida kryesore ka qenë fakti i marrjes së masave që lënda e parë të mos më mbaronte. Duke qenë se në Shqipëri nuk ekzistojnë këto produkte, lënda e parë e tij, rruazat, duhet të vinin nga jashtë për punimin e tyre. Unë kam eksperimentuar në mënyrë të vazhdueshme duke tentuar që t’i bëj këto modele dhe t’i stiloj dhe me rruaza të cilat tregtoheshin në Shqipëri, por ishte e pamundur. Fillova të marr nga jashtë lëndën e parë në sasi shumë të vogla. Isha krejtësisht e panjohur për numrin e rruazave, sa gram do të mbante një model. Pastaj ishin vështirësitë e ngjyrave, sepse në momentin që ato fillonin dhe bashkoheshin krijonin një tjetër efekt nga ajo që ndoshta mund të krijohej nga përshtypja kur ti i shikon rruazat në shishe dhe pastaj fillon dhe i monton.” shpjegon ajo.

Sot vajza nga Vlora operon me anë të shitjeve online, ku ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me punimet e personalizuara, që realizon në mënyrë perfekte

“ Sfidë kuptohet ka qenë edhe pjesa e dizenjimit dhe krijimit të modeleve, të cilat do të ishin sa më atraktive dhe të pëlqyeshme nga konsumatori shqiptar. Absolutisht që produktet handmade përveçse vlerësohen në të gjithë botën, por edhe shqiptarët i vlerësojnë së tepërmi. Ato e meritojnë të kenë emrin të bukur sepse e bukur është aroma e një njeriu të cilin ne duam, apo emri i dikujt, një personi ndoshta që nuk jeton më, apo emrat e fëmijëve tanë, të të dashurve tanë dhe pikërisht me këto rruaza dhe me teknikën e përdorur për punimin e tyre mund të bëjmë kaq shumë gjëra të personalizuara saqë të lënë pa fjalë. “- thotë Vlera.

Modele me rruaza (Instagram)

Modele me rruaza (Instagram)

Duket se gjithë ky pasion nuk është rastësi, por trashëgimi e kulturës e zanatit në familje nga nëna tek vajza.

Portret me rruaza (Instagram)

Portret me rruaza (Instagram)

“Produktet e para të cilat unë kam arritur t’i realizoj dhe kanë qenë thjesht për kënaqësinë time personale, sepse ndërkohë faqja ushtronte aktivitetin e saj me pjesën e aksesorëve, kanë qenë byzylykët. Më vonë duke vazhduar të mendoj sesi mund të zhvilloja gamën time, e shtova atë me vathët. Pastaj kam vazhduar me shënjusët e librave derisa tani kam arritur në një dublikim metodash, ku e para është në tezgjah që lidhet shumë me teknikën e punimit të tezgjahut që është kulturë e trashëguar nga nëna tek bija dhe në zonën e veriut të Shqipërisë. Kjo teknikë ngjason shumë me punimin te MiYuki dhe e dyta punimi kryq, i cili ka qenë një sfidë e imja, sepse tani kam arritur ta perfeksionoj dhe të prodhoj bizhuteri, të cilat janë në modë dhe janë pëlqyer së tepërmi” na tregon Vlera.

Zbukurim me rruaza (Instagram)

Zbukurim me rruaza (Instagram)

Rruazat Miyuki janë një nga rruazat më të njohura në botën e bizhuterive. Mësohet se ato janë zbuluar për herë të para para 60 vjetësh.Ato punohen në tezgjah me endje, duke vendosur në mes rruaza. Realizimi i tyre kërkon kohë durim dhe përkushtim në varësi edhe të modeleve.