Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për të hartuar një plan pune për përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Ky plan do të hartohet bazuar në rekomandimet e komunitetit të biznesit dhe problematikave të evidentuara gjatë tryezave me biznesin dhe takimeve të ndryshme. Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në mbledhjen e parë të zhvilluar për këtë vit të Këshillit të Investimeve, ku u prezantuan shtyllat kryesore të ndërhyrjes së MFE për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në vendin tonë. Ibrahimaj informoi se janë gjithsej 194 rekomandime, të cilat janë kategorizuar në 27 tema të identifikuara dhe që përfshijnë 10 ministri, Bankën e Shqipërisë dhe disa institucione varësie. Disa prej temave të rekomandimeve janë: legjislacioni tatimor, fiskalizimi, kuadri rregullator bankar, tregtia elektronike, ligji i falimentit, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, lufta kundër informalitetit, mbrojtja e makrave tregtare, investimet e huaja direkte, etj.

Investime paketë(albinfo)

Investime paketë(albinfo)

Nga dikasteri i Financave thuhet se për një pjesë të rekomandimeve ka nisur puna për reflektimin e tyre, pasi janë identifikuar edhe në punën e përditshme të MFE, si fiskalizimi, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin apo lufta kundër informalitetit.

Konkretisht gjatë këtij muaji do të organizohen takime me përfaqësues të ministrive dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit, sipas temave të veçanta, në mënyrë që të analizohen të gjitha rekomandimet.

“Prej disa muajsh, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar në bazë të rekomandimeve që kanë ardhur nga Dhomat e Tregtisë, kryesisht dhomat e huaja, por edhe nga rekomandimet e dala nga mbledhjet e ndryshme të Këshillit të Investimeve, me qëllim kurorëzimin e një plani veprimi për përmirësimin e klimës së investimeve. Vitet e fundit na kanë bërë të përjetojmë një moment ekonomik sfidues, si viti 2020 me përballimin e krizës së pandemisë, e cila vinte pas krizës së tërmetit, ashtu edhe viti 2021 i cili tregoi një realitet ekonomik shumë dinamik, i paparashikuar, nga ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë, por edhe nga të gjitha ekonomitë botërore”, ka theksuar ministrja Ibrahimaj.

Investime (Sot)

Investime (Sot)

Sipas Ibrahimaj takimet janë të rëndësishme me aktorët kryesorë për të kuptuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë me qëllim që t’i vijnë në ndihmë nxitjes së investimeve, nxitjes së bizneseve dhe përmirësimit të kushteve ekonomike në total në vend.

“Këshilli i Investimeve është një platformë e cila ka ndihmuar shumë ndër vite dhe për të trajtuar elementë të rëndësishëm thelbësorë për zhvillimin ekonomik, si formalizimi i ekonomisë, zhvillimi i turizmit apo bujqësisë, si dy sektorë kyç në zhvillimin ekonomik të vendit, apo anketime të ndryshme për sistemin tatimor, me qëllim përmirësimin e procedurave dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj biznesit.Gjithashtu, ka pasur sugjerime të ndryshme për reforma, për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, për të rritur transparencën e nismave të qeverisë, për të rritur cilësinë e kapitalit njerëzor nëpër institucione, thelbësore për zhvillimin institucional dhe ekonomik të vendit, për përfshirjen e bizneseve në proceset e konsultimeve dhe për disa draft ligje dhe dokumente të rëndësishme strategjike ekonomike.”, bën të ditur Ibrahimaj.

Janë të shumtë përfqësues të biznesit dhe nga dhomat e tregtisë të cilët kanë bërë rekomandimet e tyre,

“Ka pasur një bashkim të rekomandimeve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të FIIA-s, por edhe të këshilltarëve të ndryshëm të qeverisë shqiptare në fushën e ekonomisë dhe gjithashtu të rekomandimeve të ndërmarra ndër vite nga Këshilli i Investimeve.Janë gjithsej 194 rekomandime dhe ne kemi identifikuar gjithsej 27 tema, të cilat janë fushat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Për të trajtuar këto 27 tema do të duhet të ngrihen grupe pune të ndryshme, të cilat përfshijnë 10 institucione, ministri linje, Bankën e Shqipërisë, apo institucione varësie, të cilat do të duhet të adresojnë problematikat e ngritura nga ky raport kaq i rëndësishëm. Siç thashë, ka shumë burime, janë vendosur brenda kornizës që ne kemi ndërtuar, të cilat do të mundohemi t’ua paraqesim sipas temave shkurtimisht në takimin e sotëm.”, tha kreu i Financave.

Temat kryesore kanë të bëjnë me legjislacionin tatimor, për të cilin janë dhe pjesa më e madhe e rekomandimeve; kanë të bëjnë me fiskalizimin; me kuadrin rregullator bankar; me tregtinë elektronike; me ligjin e falimentit; me arsimin, e kështu me radhë deri te mbrojtja e markave apo ndërveprimi mes biznesit dhe bashkive.

Ministrja Ibrahimaj (MFE)

Ministrja Ibrahimaj (MFE)

Përsa i përket rekomandimeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe tre institucione të tjera kanë filluar punën për zbatimin e tyre, pasi janë elementë të cilët janë trajtuar në tryeza të ndryshme ndërmjet nesh.

Në prezantim janë evidentuar ligji tatimor, fiskalizimi, ligji për tatimin mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin dhe lufta kundër informalitetit.

Përmirësimet dhe ndërhyrjet parashikojnë ndërhyrje në ligj.Ligji për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale është duke u riparë theksoi Ibrahimaj. Drafti është dhe është punuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe shumë shpejt nis konsultimi së brendshmi dhe më pas publikohet për konsultim publik.

Gjithashtu, një nga problematikat kryesore që biznesi ka pasur përsa i përket legjislacionit fiskal ka qenë ndryshimi i shpeshtë i tij dhe mos konsultimi i disa elementëve. Për këto arsye, gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka punuar për të hartuar një Strategji Afatmesme të të Ardhurave, ku parashikohen një sërë ndërhyrjesh në legjislacionin fiskal, me qëllimin anullimin e atyre përjashtimeve të cilat nuk kanë treguar të jenë eficente në ndihmën e sektorëve ekonomikë.

Ky draft bëhet e ditur se do të hidhet për konsultim publik shumë shpejt dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi, me qëllim arritjen e një finalizim të dakordësuar të kësaj pakete me të gjithë përfaqësuesit e biznesit.