Nisi si një start-up, por sot ka marrë formën e një biznesi të konsoliduar në treg për shkak të shërbimeve që ofron.

“La Tua Commercialista” lindi si një bashkim idesh dhe njohurish të dy themelueseve të saj, Oligerta Hoxha dhe Eriana Hasanaliaj për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut për shërbime të ndryshme profesionale. Dy të rejat, menduan të hedhin një hap të tillë si nevojë edhe e kërkesave që kishte tregu për këto shërbime. Klientët e biznesit që vijnë në këtë studio për të marrë konsulencë për herë të parë, kthehen në klientë besnikë të vazhdueshëm në fusha të ndryshme.

Oligerta Hoxha, bashkëthemeluese e “La Tua Commercialista” tregon për radio Ejani edhe vështirësitë e këtij biznesi, që në finale i shërben bizneseve të tjera.

“Jemi përqendruar dhe në segmentë të tjerë të ofrimit të shërbimeve tona, duke u futur edhe në analizë tregu për rekrutim punonjësish dhe ofrimesh kursesh profesionale. E ndërmorrëm këtë hap tashmë katër vite më parë dhe nuk ishte aspak i lehtë si vendim sepse duhet të analizonim paraprakisht një sërë aktorësh në mënyrë që biznesi ynë i ri të ishte konkurrues dhe fitimprurës. Një nga sfidat më të mëdha që na është dashur të përballojm është konkurenca, pasi në tregun shqiptar aktualisht ekzistojnë mjaft zyra kontabiliteti të liçencuara, por dhe të tjera që janë të paliçencuara. Gjithashtu një sfidë tjetër është edhe duke qenë se ishim një biznes start-up, kostot fikse mujore duhet të analizoheshin dhe të ishin të përballueshme. Çelësi jonë i suksesit, pavarësisht tërë sfidave, ishte për faktin që ne u përqendruam të japim një shërbim cilësor dhe në kohë reale. Shërbimet tona nuk ishin shërbime standarde, që do të thotë ne nuk përqendroheshim në përgjigjet klasike që mund të jepnin zyrat e kontabilitetit, por ishin shërbime në ndërveprim me klientët tanë, ku ne i dëgjonim nevojat e tyre dhe përgatitnim përgjigjen për to dhe zgjidhjen e mundshme të problemeve të tyre. Gjithashtu kemi qenë të hapur gjatë gjithë kohës për feedback-un e marrë nga klientët tanë.”, shpjegon Oligerta Hoxha.

Sfidat që has një biznes në fillim janë të mëdha dhe nga më të ndryshmet.

“Një nga sfidat e tjera që ne kemi përballuar është se fillimisht na është dashur të punojmë me orë të zgjatura në mungesë të një stafi fiks në zyrën tone, duke qenë se ishim një start-up. Por edhe kjo sfidë është tejkaluar me sukses. Për të ofruar një gamë të gjerë shërbimesh 360 gradë për klientët të cilët mbështeten tek ne, kemi krijuar marrëdhënie profesionale konstante dhe me profesionistë të tjerë të lirë, me të cilët konsultohemi vazhdimisht dhe gjithashtu adresojmë klientët tanë në momentin që ata kanë nevojë për konsulta të tilla’ – shprehet Hoxha.

Për shkak të procedurave, por edhe ndryshimeve të shpeshta të politikave fiskale, biznesi që Oligerta dhe Eriana kanë themeluar, është një zgjidhje për shumë të tjerë.

“Në ditët e sotme edhe për një deklarim të thjeshtë në lidhje me TVSH-në apo sigurimet shoqërore, ke nevojë për mbështetjen e një ekonomisti. Gjithashtu për të kryer procedura importi, eksporti duhet të marrësh një konsulent dhe të ndiqesh nga ana e një ekonomisti. Një ekonomist është ai që në bazë të njohurive që ka të lehtëson punën e përditshme dhe të ndihmon që të përzgjedhësh mënyrën më të mirë të menaxhimit të biznesit. Për shembull, një kompani e cila kërkon të investojë një shumë të konsiderueshme në makineri, në biznesin e tij në Shqipëri mund të përfitojë lehtësira fiskale në bazë të investimit të cilit do të bëjë. Këto lehtësira fiskale japin mundësinë që ai të importojë këto makineri papaguar TVSH. Një ekonomist i ndjek të gjitha procedurat e nëvojshme në mënyrë që biznesi të ketë përfitim nga këto lehtësira fiskale.”, shprehet Hoxha.

Tashmë idetë janë të qarta edhe për të ardhmen. “La Tua Commercialista” nuk është thjesht një studio që ofron shumë shërbime, por është kthyer në një dritare për të thithur investitorë në Shqipëri.

“Synimi ynë në të ardhmen është të krijojmë partnership-e me zyra homologe dhe në vende të tjera, përveç Italisë ku tashmë i kemi ato dhe të mund të ndihmojmë akoma më shumë bizneset shqiptare, të cilët duan të investojne jashtë territorit të Shqipërisë apo edhe bizneset e huaja të cilët duan të investojnë në Shqipëri. Një ndër sfidat që kemi pasur së fundmi është edhe fiskalizimi. Ishte një sfidë për vetë arsyen sepse duke qenë zyrë kontabiliteti duhet të asistonim më shumë se një biznes në mënyrë që ata të ishin të qetë në gjithë procedurat e këtij procesi dhe gjithashtu t’i shpjegonim se çfarë nënkupton në vetvete fiskalizimi. Si çdo ndryshim, i cili fillimisht sjell panik dhe frikë, edhe ne jemi përballur me panikun dhe frikën e klientëve tanë, por pas konsultimeve janë siguruar që është një proces i cili në vetvete është pozitiv dhe ndikon pozitivisht në ekonominë e vendit.”, thotë Hoxha.