Legalizmi i kultivimit të kanabisit në Shqipëri për përdorim mjekësor zuri vend të gjerë në debatin politik e publik dhe një vënd të rëndësishëm po zënë edhe analizat sa i përket efekteve në ekonomi. Ekspertët ndahen në qëndrimet e tyre pro dhe kundra këtij hapi në Shqipëri. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi ka deklaruar për gazetën “Panorama” se kultivimi i kanabisit do të sjellë shkatërrim të bujqësisë dhe do të nxisë shpopullimin e shqiptarëve. Sipas Preçit, kjo do të zgjerojë pabarazinë sociale dhe do të nxisë qytetarët të braktisin vendin.

“Nëse kjo nismë do të marrë jetë këtu te ne ashtu siç është nisur, harrojeni përgjithmonë bujqësinë dhe blegtorinë, e bashkë me të do të marrë një hov të ri edhe braktisja e vendit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës në të – edhe kështu siç është sot – mjaft problematike dhe kërcënuese për shumicën e familjeve shqiptare. Sipas mendimit tim, qeveria në vend që të shqetësohet për zvogëlimin mesatarisht 20 për qind të numrit të lopëve, deleve e dhive gjatë dekadës së fundit, sipas INSTAT; për mbetjen të pandryshuar të rendimenteve të prodhimit për krerë apo për hektarë toke bujqësore për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore për fermerin që politikanët e takojnë vetëm në muajin para zgjedhjeve; Rama dhe qeveria e tij shqetësohen për kanabisin mjekësor. Shqetësim serioz për qeverinë duhej të ishte rritja e pajustifikuar e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale në kushtet kur bëhet thirrje për ‘Open Balkan’, pra për një hapje të mëtejshme të tregjeve në rajon dhe heqjen e barrierave, që ndryshe përkthehet në sfida të tjera për fermerin e braktisur” ka deklaruar eksperti Preçi per te perditshmen “Panorama”.

Eksperti Preçi mendon se një nga faktorët që mund ta kenë nxitur qeverinë ta vendosë këtë çështje në konsultim publik me qytetarët është edhe ndikimi i lobit të fuqishëm dhe biznesit klientelist të lidhur me qeverinë.

“Një faktor tjetër, në mos më i rëndësishmi në shtrimin nga qeveria të këtij problemi, mbetet ndikimi në rritje i disa lobeve të biznesit, klientë të qeverisë, oligarkëve përfitues të fondeve publike dhe pasanikeve të krimit të organizuar, që edhe aktualisht janë ‘aksionerë’ në aktivitetin e kanabizimit të vendit prej 5-6 vitesh, shprehet eksperti i ekonomisë.

Por të kundërtën mendon për “Klan News”, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka. Sipas tij janë rreth 43 shtete në të gjithë botën, duke përfshirë edhe SHBA-në, të cilët e kanë të legalizuar kanabisin mjekësor.

“Ideja për legalizimin e kanabisit medicinal është një ide e vjetër ku shumica e shteteve të botës tashmë e kanë të legalizuar. Janë rreth 43 shtete në të gjithë botën duke përfshirë edhe SHBA-në , të cilët e kanë të legalizuar kanabisin mjekësor. Ndërkohë që kemi edhe 7 shtete në botë, të cilët kanë të legalizuar edhe kanabisin rekreacional apo për përdorim vetjak. Ndërkohë që ne flasim për kanabisin mjekësor, unë mendoj që e vetmja rrugë që i ngelet qeverisë shqiptare është që të bëjë një analizë e një studim të detajuar, në mënyrë që të arrijë në përfundim duke marrë dhe analizën e ekspertëve të saj, por ndërkohë edhe përgjegjësinë për një vendim të tillë.”- shprehet Jaka

Por cilat do të ishin efektet në ekonomi? Jaka flet për miliarda euro përfitime.

“Është jashtë mase e rëndësishme mënyra dhe procedura e miratimit të këtij ligji nqs ky ligj do të kalojë me votën e shumicës pa një dakordësi të opinionit publik dhe të opozitës, unë besoj se nuk do të krijojë sigurinë të sipërmarrës të ndryshëm për të investruar në këtë sektor sepse vihet re që Shqipëria ka gjithmonë pasiguri në zbatimin dhe implementimin e ligjeve kur kemi të bëjmë me investime strategjike. Pra që të kemi qasjen e investitorëve qoftë vendas, qoftë të huaj të cilët pretendojnë apo marrin përsipër që të investojnë në këtë fushë ku specializimet dhe problematikat janë jashtëzakonisht present atëherë nevojitet që sipërmarrja të jetë e sigurtë me një ligj të sigurtë me një ligj i cili ka marrë dhe konsensusin e mbarë politikës shqiptare, mbarë opinionit shqiptar. Ose në rast të kundërt, nëse ligji do të kalojë me referendumin popullor, unë mendoj që impaktet në ekonomi do të jenë të ndjeshme. Për aq kohë sa tregu evropian parashikon një qarkullim tregtar rreth 30 miliardë euro, unë mendoj që edhe Shqipëria mund të shfrytëzojë jo vetëm mundësitë e saj por edhe avantazhet konkuruese.”- shprehet Jaka.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë se nësë ky hap do të hidhet, duhet të merren modele të vendeve që kanë praktikat më të mira të suksesit dhe të implementohet me shumë kujdes, duke bërë menaxhimin territorial në zbatim të ligjit dhe të sigurisë së territorit për të eliminuar çdo lloj efekti negativ që ka të bëjë me fenomenin e daljes nga sistemi ligjor i kultivimit të kanabisit.

Ndërkohë eksperti tjetër i ekonomisë, Adrian Civici gjithshtu është shprehur pro kësaj nisme, nëse manaxhohet siç duhet. Në intervistë për mediat ai ka deklaruar se legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të kishte disa përfitime.

“Nëse do ta konceptojmë ashtu si duhet, brenda standardeve e praktikave më të mira ndërkombëtare të këtij procesi dhe mbi të gjitha nëse do të jemi në gjendje ta menaxhojmë e kontrollojmë që ai të zhvillohet strikt e vetëm për qëllimin kryesor të tij, “përdorimin mjekësor”, kozmetik apo ushqimor, atëherë mund të shpresohet në përfitimet ekonomike që vijnë nga ky proces. Por, nëse situata del nga kontrolli, përvetësohet dhe përdoret për qëllime e aktivitete joformale, klienteliste politike, mafioze apo narkotrafik, atëherë përfitimet ekonomike minimizohen shumë përballë dëmit të shumëfishtë që shkakton deformimi apo keqpërdorimi i legalizimit të kanabisit.”- eshtë shprehur Civici.

Idea e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore është hedhur prej vitesh, por ka mbetur në letër për shkak të mos gjetjes së dakortësisë.