Pandemia ka ndërprerë rëndë rrugën e rritjes së shumë ekonomive, përfshirë ato të tregjeve kufitare, por vendet me rritjen më të lartë kanë vuajtur më pak. Në vitin 2020 ngadalësimi i rritjes në tregjet kufitare ishte linearisht i varur nga ritmi i rritjes së regjistruar në këto vende në vitin 2019. Por, gjithsesi, rimëkëmbja ekonomike në botë po ecën mesatarisht më shpejt nga sa pritej, edhe pse jo për të gjithë njësoj.

“The Economist” mblodhi të dhëna për 23 vende të pasura dhe përpiloi një renditje bazuar në pesë parametra financiarë dhe ekonomikë: Prodhimi i Brendshëm Bruto, të ardhurat e familjeve, situata e tregut të aksioneve, investimet dhe borxhi publik.

Italia nuk pozicionohet mirë. Ndikimi në renditje vjen mbi të gjitha nga borxhi publik mbi PBB-së, i rritur me më shumë se 20 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2019. Vendet e tjera evropiane kanë ecur edhe më keq. Spanja, për shembull, e cila renditet e fundit me një kolaps të PBB-së mbi 6% dhe një rritje të borxhit mbi 22%, dhe Britania e Madhe, me një PBB prej -2.1% dhe një borxh prej +21.9%. Ndërsa, shtetet skandinave janë ende shumë të forta, me Norvegjinë, Suedinë dhe Danimarkën që renditen në krye të listës, në vendin e dytë.

Sipas “The Economist”, në përgjithësi, rimëkëmbja ekonomike ka qenë më e shpejtë nga sa pritej dhe prodhimi i 38 prej shteteve më të pasura në botë ndoshta i ka kaluar nivelet para pandemisë disa muaj më parë. Megjithatë, tabloja nuk është homogjene.

Disa vende janë prekur shumë nga kufizimet e vendosura në udhëtime, të tjera kanë vuajtur për shkak të numrit të lartë të infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid, si Britania dhe Belgjika.

Një ndikim i madh ka ardhur edhe nga menaxhimi i emergjencës pandemike prej qeverive. Për shembull, SHBA-ja dhe Kanadaja kanë ndihmuar familjet në vështirësi me përfitimet e papunësisë dhe mbështetjen e të ardhurave. Ndërsa Spanja dhe Austria as nuk i kanë ruajtur vendet e punës dhe as nuk i kanë ndihmuar ata që i humbën ato. Dhe në të dyja këto shtete të ardhurat e familjeve janë ende 6% më të ulëta se në periudhën para pandemisë.

Britania e Madhe është përballur me Brexit-in dhe me krizën shëndetësore dhe pasiguria në të dy frontet ka kontribuar në uljen e yield-eve të tregut të aksioneve në krahasim me vitin 2019. Situata në Evropën Veriore, nga ana tjetër, është krejt e ndryshme. Vlerat e kapitalit janë rritur në qiell; duke shënuar +57% nga nivelet para pandemisë në Danimarkë, +50.4% në Suedi dhe +31% në Norvegji. Edhe bursa italiane ka ecur mjaft mirë, me +18.5% në vitin 2019.

Një tjetër aspekt që ka rënduar shumë në ekonomitë e 23 vendeve të analizuara janë investimet e korporatave. Nëse në Shtetet e Bashkuara janë rritur, veçanërisht në fushën teknologjike, në vende të tjera janë ulur, si në Norvegji, ku ka pasur disa shkurtime të investimeve në gaz dhe naftë. Në disa të tjera kanë rënë. Ku mund të përmendim rastin e Irlandës, që shënoi një rënie prej -78.8% krahasuar me vitin 2019.

Tregje të ndryshme kufitare tregojnë ritme të larta të rritjes strukturore, aq sa mund të shndërrohen në tregje në zhvillim me kalimin e kohës. Shumë prej tyre nuk kanë përjetuar një recesion në vitin 2020 dhe mund të përjetojnë rritje të vazhdueshme në rritje.

Sipas studimeve, çmimet e larta të lëndëve të para kanë përmirësuar kushtet e tregtimit në shumë tregje eksportuese kufitare. Pas goditjes fillestare, rikuperimi i çmimeve të mallrave në fakt ka mbështetur balancat e jashtme të shumë ekonomive kufitare.

Përveç çmimeve të larta të mallrave, këto tregje përfitojnë nga mbështetja solide nga institucionet. Edhe balancat me vendet e huaja u prekën nga pandemia për shkak të kufizimeve të vendosura në lëvizje. Shumë tregje kufitare janë me të vërtetë destinacione të njohura turistike.

Parametri i fundit i marrë në konsideratë nga “The Economist” është ai i borxhit publik. Rritja ishte pothuajse kudo, por edhe një herë vendet skandinave ranë në sy. Norvegjia madje uli borxhin ndaj PBB-së me 9%, ndërsa në Suedi dhe Danimarkë rritja ishte përkatësisht 6.2% dhe 3.5%, ndoshta edhe për shkak të vendimeve të marra nga pikëpamja shëndetësore të disa qeverive për mos të vendosur bllokime të rrepta, duke shmangur kështu bllokimin e ekonomisë.

Pandemia ka përforcuar nevojën për të marrë parasysh faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes në vendimet për investime. Në veçanti, faktorët socialë dhe të qeverisjes janë marrë në konsideratë kur vlerësohet shëndeti dhe siguria ose mbrojtja e punës dhe menaxhimi i krizave nga qeveritë.

Megjithatë, për tregjet kufitare, krahasuar me vendet më të zhvilluara të tregjeve në zhvillim ose tregjet e zhvilluara, një qasje e bazuar në kërkime është edhe më e rëndësishme pasi treguesit tradicionalë socilë dhe qeveritarë mund të jenë retrospektivë dhe shpesh penalizojnë vendet më pak të zhvilluara.

Një faktor tjetër me të cilin vlerësohet ndikimi i pandemisë përfaqësohet nga reagimi fiskal. Në përgjithësi, vendet më të pasura dhe më të zhvilluara kanë zbatuar “lockdown” më të rreptë dhe kanë caktuar më shumë para për masa mbështetëse sesa vendet më të varfra, duke gjeneruar kështu më pak të ardhura dhe duke rritur shpenzimet, duke rezultuar në deficite fiskale më të larta.

Rimëkëmbja ekonomike, argumenton “The Economist”, do të vazhdojë edhe në vitin 2022. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Italia do të rritet me 4.6% gjatë vitit që sapo ka filluar dhe me 2.6% në vitin 2023. Por dallimet do të mbetet. Deri në fund të vitit të ardhshëm vlerësohet se Danimarka, Sllovenia dhe Suedia do të shënojnë gjithsej +5% të PBB-së në vitin 2019, ndërsa Japonia, Britania e Madhe dhe Spanja, tre vendet e fundit të renditjes, do të ndalojnë në +1%.

Përgatiti: Irma Paloli