Vendimi i qeverisë për shtyjen me 6 muaj të daljes në treg të lire të energjisë për mbi 7000 biznese është një vendim i drejtë dhe i nevojshëm në gjykimin e ekspertëve të fushës. Aktualisht, ka përfunduar liberalizimi i abonentëve të lidhur në tensionin 35 KV, ndërkohë që ndonëse parashikohej që një pjesë e bizneseve të lidhur në tensionin 20 kv të dilnin në treg të lirë nga 1 janari i këtij viti, procesi u shty duke u argumentuar me situatën në tregje me çmimet e larta të energjisë. Liberalizimi i tregut te energjisë dhe diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë do të jenë 2 masat kryesore të sektorin energjetik, të parashikuar në programin e reformave ekonomike 2022-2024, që është nxjerrë për konsultim publik.

Per mediat ekspertet vlerësojnë shtyrjen e daljes në treg të lirë të bizneseve të mbetura madje mendojnë se është e pamjaftueshme.

“Ishte e domosdoshme por mendoj se edhe 6 muaj nuk do të jetë e mjaftueshme sepse përkojnë me kulmin apo fillimin e krizës që pritet në verë sepse rezervat hidrike pakësohen dhe rritet importi I energjisë. Mbasë do të duhet në kohë edhe më e gjatë që këto biznese të kenë hapsirë për mënyra alternative për të plotësuar kërkësat dhe altenativat” tha eksperti Azmer Duleviç për mediat.

Ndërsa eksperti Lorenc Gordani i frikësohet faktit se bizneset mund të jenë të papërgatitura edhe në verë.

“Me biznesin shqiptar zakonisht ndodh në mënyrë frekuente përsëritet sindroma e studentit. Pra përgjithësisht preferohet të pritet të shtyhet sepse jemi gjithmonë të papërgatitur etj. Diçka e tillë është e qartë në këtë rast sepse normalisht duhej të ishte bërë në shumë vite më herët. Natyrisht me këtë dialogun e fundit që është hapur ka filluar një erë ndryshimi. Besoj që një pjesë e madhe e bizneseve janë bërë sensibël, janë ndërgjegjësuar në këtë drejtim po ashtu edhe zgjidhja që është gjetur sepse nuk është se ka një ndërprerje të daljes së tyre plotësisht në treg por ka një liberalizim të pjesshëm. Të paktën nga sa është bërë e njohur në tavolinën teknike spese nuk ka pasur një vendimmarrje nga Enti Rregullator flitet që çmimi të variojë nga 18 deri në 22 cent për lekë, pra përsëri do të kemi një lëvizje nga ai që ka qenë çmimi 10 ose çmimi12-14 sipas fashave që kishte secila kategori”, tha eksperti Gordani.Ekspertët flasin edhe për situatën aktuale me çmimet dhe prodhimin e energjisë në vend.

“Në fakt përsa i përket prodhimit ai është maksimal për të përballuar çmimet e larta të importit në mënyrë që të ndihet sa më shumë pak efekti i këtyre çmimeve, por nga ana tjetër rezerva strategjike është ndër nivelet minimale. Ai që është rregillatori është në nivelin 276 metra mbi nivelin e detit pra është një situatë e cila duke marrë në konsideratë dhe faktin që viti i ardhshëm nuk pritet të jetë me të njëjtat rreshje si këtë vit do të thotë pra që hap shumë skenarë pasigurie për atë që do të jetë vijimësia pasi natyrisht edhe çmimet do të vazhdojnë me këtë trend të paktën për gjashtë mujorin e e parë dhe pastaj pritet të ketë një ulje të çmimeve por mbetet që çmimet do të jenë rreth 3-fish më të larta se ato që kanë qenë zakonisht.”- tha Lorenc Gordani, ekspert energjie në intervistë televizive.

Çmimet e kripura ndjehen në shumë vende dhe parashikimet janë për një përkeqësim të mëtejshëm.

“Jo vetëm në vendin tonë por gjithashtu edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian çmimet dhe trendi shihet rritës, pra çmimet po rriten. Sot që flasim 1 megawat/orë kushton në vende të ndryshme për shembull në Gjermani 240-250 euro por trendi është që të shkojë më tepër nga studimet e fundit dhe bursa ndërkombëtare flitet që mund të shkojë pas dy vitesh edhe në 500 euro megawatt/orë që do të ishte një çmim shumë i lartë kryesisht për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla apo të mëdha në vendin tonë. Por në momentin që flasim në vendin tonë 97-98% e energjisë elektrike prodhohet nga burimet hidrike pra nga hidrocentralet. Fati i çmimit dhe i kësaj çfarë na pret me krizën energjitike varet më shumë edhe nga kushtet atmosferike pra dhe nga rreshjet pasi viti i ardhshëm mund të jetë një vit i vështirë me rreshjet çka mund ta përkeqësojë më tepër krizën energjitike në vendin tonë.”- tha Duleviç.

Por çfarë po ndodh me krizën energjitike, cilat janë shkaqët. Ekspertët rendisin faktorët kryesore.

“Kjo erdhi në vijim të rimëkëmbjes ekonomike, pra rritjes së papritur të kërkesës ose të menjëhershme dhe një seri seri faktorësh të tjerë. Energjitë e rinovueshme nga njëra anë kontributi i të cilave filloi të mungonte, natyrisht disa investime ishin ndërprerë sepse dhe situata pandemikë kishte ulur konsumin dhe ishin ndërprerë pra këto investime, po aq përsa i përket atyre që janë rezerva. Madje një aspekt shumë i rëndësishëm është dhe ajo që lidhet me gjeostrategjikën, politikën strategjike ndërkombëtare, pra me përplasjet të cilat mesa duket po shoqërojnë dhe vitin e ardhshëm. Pra kemi tashmë dhe vatrat e reja të cilat po hapen të cilat përsëri i shtojnë vështirësinë funksionimit optimal të burimeve tradicionale. Kemi ndërprerje nga federata ruse ose kemi mosmarrëveshje për vënie në shfrytëzim të atyre që janë gazsjellëve të rinj. Pra kemi këtë luftë të vazhdueshme. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara duket që synojnë të rimarrin një rol në gazin natyror, pra konsiderohet që aktualisht qindra tanker janë nisur nga SHBA për të furnizuar Evropën por mbetet fakti që kjo nuk do të mjaftojë. Pra, gjithsesi është një kontribut i cili nuk e plotëson të gjithë atë që është kërkesa aktuale. “-sipas Gordanit.

Nga ana tjetër Duleviç shton se Rusia është iniciatorja e kësaj krize pasi ka ndërprerë ose përgjysmuar furnizimin me gaz të Bashkimit Europian e cila është lënda bazë e prodhimit të energjisë elektrike sepse ndryshe nga vendi jonë vendet e tjera evropiane prodhojnë energjinë jo nga hidrocentralet por nga termocentralet sepse kanë rezerva të pakta hidrike dhe duke përgjysmuar furnizimin me gaz të këtyre vendeve detyrimisht do të rritej dhe çmimi me arsyetimin e vetëm sepse po e depoziton dhe po e ruan gazin për ta përdorur për nevojat e saj.